Sevdail Idrizi, shembull për rininë tonë dhe jo vetëm
Më 27.09.2026, Sevdail Idrizi nga fshati Llojan, i cili jeton dhe punon në Gjermani, mori pjesë në BMW Berlin Marathon 2026, duke përfunduar maratonën prej 42.3 km, në një nga maratonat më të njohura në botë me 60. 000 pjesëmarrës.
Një sfidë e tillë kërkon shumë punë, përkushtim dhe disiplinë. Por mbi të gjitha, është një shembull i bukur se sa shumë njeriu mund të arrijë me vullnet dhe dashuri për sportin dhe shëndetin.
Mesazhi i Sevdailit për të rinjtë tanë është i qartë që sa më shumë të merren me sport, të kujdesen për shëndetin dhe të largohen nga veset e dëmshme.
Urime Sevdail për këtë arritje dhe faleminderit për shembullin frymëzues që po jua jep rinisë sonë!
Sporti është shëndet mendor dhe trupor, disiplinë dhe jetë e shëndetshme.
Nga një fshat i vogël si Llojani, drejt një prej sistemeve shëndetësore më të zhvilluara në Evropë – kjo është historia e Dr. Bujamin Selmanit.
Me shumë punë, përkushtim dhe sakrificë, ai ndërtoi rrugën e tij profesionale deri në Zvicër, ku sot ushtron profesionin si specialist i kirurgjisë ortopedike dhe traumatologjisë në Berit Klinik në St. Gallen.
Por përtej titujve dhe suksesit profesional, Dr. Selmanin e karakterizojnë humanizmi, qetësia dhe respekti ndaj pacientëve. Për të, mjekësia nuk është vetëm profesion, por një mision për t’u gjendur pranë njeriut në momentet më të vështira.
Suksesi i tij është dëshmi se me dije, punë dhe përkushtim, ëndrrat e nisura në vendlindje mund të çojnë shumë larg.
Nga Llojani në Zvicër, Dr. Bujamin Selmani është sot një emër që sjell krenari për familjen, vendlindjen dhe të gjithë ata që e njohin. TV News
Jasin Mustafi, mes prejardhjes, shkences dhe besimit
Edhe pse Jasini jeton në diasporë tashmë si brez i tretë dhe ka lindur në Gjermani, ai kurrë nuk e ka harruar prejardhjen e tij kombëtare dhe fenë e paraardhësve të tij. Ai ka mbetur gjithmonë i lidhur me vendlindjen e gjyshit të tij.
Si brez i tretë në Gjermani, Jasini bart historinë e familjes së tij; gjyshi dikur erdhi si punëtor mysafir, me shpresë dhe qëllime të qarta. Babai e vazhdoi këtë rrugë. Studioi në Gjermani dhe u bë inxhinier i diplomuar. Ky shembull e ka ndikuar shumë Jasinin. Ai u rrit në një familje, ku arsimi ishte vlerë e trashëguar, jo vetëm një qëllim.
Që në moshën e re, Jasini tregoi kureshtje dhe dëshirë për të mësuar. Kjo disiplinë e hershme u bë boshti i rrugëtimit të tij.
Ai zgjodhi të studiojë fizikën, një shkencë që kërkon saktësi, logjikë dhe këmbëngulje. Ndërkohë, që studionte ligjet e natyrës në Karlsruhe, ai hapi edhe një derë tjetër; botën e shkencave islame dhe gjuhës arabe. Me të njëjtin përkushtim me të cilin zgjidhte problemet shkencore, ai iu përkushtua Hifzit, mësimit përmendësh të tërë Kur’anit famëlart.
Me këtë, Jasini bashkoi, ashtu si dijetarët klasikë islamë, dy fusha që shpesh shihen si të ndara. Ai studion ligjet e krijimit dhe ruan Fjalën e Krijuesit.
Për të rinjtë, ky djalë është shembull se si prejardhja mund të kthehet në forcë. Ai tregon se njeriu mund të jetë njëkohësisht shkencëtar dhe besimtar, mendimtar dhe ruajtës i traditës shqiptare. Që dija dhe besimi nuk janë kundërshti, por dy rrugë drejt së vërtetës, kjo tashmë prej kohësh është dëshmuar, ngaqë përkon me natyrshmërinë. Pastaj, suksesi nuk qëndron vetëm në tituj, por në aftësinë për të bashkuar botë të ndryshme brenda vetes. Të ndryshme dhe jo të kundërta!
Jasini është rezultat i një udhëtimi që e nisi gjyshi, e vazhdoi babai dhe që ai vetë e çon përpara me dinjitet dhe përkushtim, ky një shembull për një shoqëri që ka nevojë për njerëz si ai.
Me rastin e përfundimit të Hifzit të Kur’anit famëlart dhe kurorëzimit me titullin Hafiz, Këshilli i Xhamisë së Fshatit Llojan, ju fton më 19.09.2026, ora 12:00, të merrni pjesë në ceremoninë e nderimit të këtij titulli të veçantë.
Zoti e ruajttë këtë djalë dhe paçim edhe të rinj të tjerë që i hulumtojnë gjurmët e krijimit të Krijuesit dhe i zbatojnë me kënaqësi fjalët e Tij.
Shkëlqimi nuk është prej atyre të cilët kërkojnë me ngulm që veprimtaria t’i shkëlqejë sa më shumë që mundet, por veprat i lë vetë të flasin. Suksese Shkëlqim!
Sot, më 1 Shtator 2026 sikurse edhe ne shkollat e tjera te vendit edhe tek ne fillon një vit i ri shkollor, plot dije, shpresë dhe suksese të reja.
Urojmë që ky vit të jetë i mbarë për të gjithë nxënësit, veçanërisht për nxënësit e klasës së parë, të cilët sot nisin hapin e parë në rrugëtimin e tyre arsimor.
Ju dëshirojmë shumë suksese, shëndet dhe rezultate të shkëlqyera gjatë gjithë vitit shkollor, urime.
Intervistë me Enver Destanin, dhënë televizionit „Zëri i Kumanovës“ në vitin 1995
Enver Destani, bashkëluftëtar i Sulë Hotlës, rrëfen për shumë ngjarje që kanë ndodhur në fshatin Llojan dhe rrethinë.
Pjesëmarrësit në çetën e Sulë Hotlës kanë qenë vullnetarë për të luftuar për tokat shqiptare. Qëllimi i luftës ka qenë bashkimi i trojeve shqiptare.
Partia jonë ka qenë NDSH-ja dhe qëllimi i saj ka qenë: „Kush nuk e ndien veten shqiptar, le ta kontrollojë vetveten, që të mos marrë ndonjë rrugë të gabuar.“
Në moshën 23-vjeçare jam angazhuar në çetën e Sulë Hotlës. Në fillim kemi qenë pesë deri në gjashtë mijë luftëtarë në vendin e quajtur Kopilaç. Pastaj ka filluar shpërndarja në grupe: në fillim nga njëqind luftëtarë, pastaj në pesëdhjetë, e dikur më vonë edhe nga njëzet, dhe kemi arritur deri në pesë veta.
Këtë shpërndarje e kemi bërë për shkak se popullata e kishte më të lehtë të na mbante me ushqime, sepse pa ndihmën e popullit nuk mund të mbaheshim.
Uniforma jonë ka qenë shqiptare, me plisa të bardhë dhe me flamurin në ballë.
Me municion jemi furnizuar nga gjermanët, bullgarët, por edhe kur i zinin ose i vrisnim zullumqarët pra çetnikët sllavë, ua merrnim municionin.
Unë kam marrë pjesë në njëzet e katër beteja të zhvilluara në fshatin Llojan, dhe të gjitha betejat ishin në favorin tonë duke i larguar zullmqarët nga toka jonë si dhe në luftën e natës së Bajramit, e cila u zhvillua në Llojan. Ajo ka filluar në orën dhjetë të mbrëmjes dhe ka vazhduar deri në mëngjes, ka qenë luftë e madhe dhe e paster nga trimat tonë per ta mbrojtur vendin dhe nderit ku do te mbahet në mend brez pas brezi.
Sulmet kishin filluar nga Presheva, Miratoci dhe Llojani. Kur ka filluar sulmi mbi Miratocin, një grup prej shtatëdhjetë luftëtarësh kemi vrapuar t’u shkonim në ndihmë vëllezërve tanë në Miratoc.
Lufta e çetnikëve sllavë udhëhiqej nga një grua, e cila u jepte komanda, duke thënë: „Një grup sulmoni nga ana e majtë, një grup nga ana e djathtë!“ Kurse ne i sulmuam nga ana e majtë. Ajo vazhdonte me komandën, duke bërtitur: „Llojan, dorëzohuni!“
Ishte natë dhe fjalët e saj dëgjoheshin shumë larg.
Në këtë sulm ishte edhe vëllai im, Destani. Ai ishte me kalë dhe më mori me vete, duke më thënë të shkoja në Llojan për pesë minuta.
Çetnikët sllavë, partizanët, pa ndërprerë bërtisnin: „Dorëzohuni, Llojan, se jemi tre mijë vetë dhe nuk mund të shpëtoni!“
Unë dhe vëllai Destani u kthyem nga vreshtat. Kur u kthyem në fshat, disa nga fshatarët konkretisht gra dhe femije po e lëshonin fshatin, ndërsa disa burra të tjerë kishin filluar luftimet.
Kur dola te reka e Llojanit, edhe vëllai Destani kishte mbërritur me çetën e përbërë prej shtatëdhjetë vullnetarësh.
Çetnikët sllavë u afruan deri te varrezat e fshatit, sepse aty ishin vetëm dy shtëpi. Ne filluam t’u përgjigjeshim me armë.
Luftimet kanë zgjatur deri në mëngjes dhe çetnikët sllavë i kemi zbrapsur deri në Tasjan dhe Tabanoc. Pas përfundimit të luftimeve, përsëri jemi kthyer në fshatrat Runicë dhe Allashec, për tju bashkuar bashkëluftetarëve dhe për tju dalë në ndihmë banorëve.
Po i përmendi disa bashkëluftëtarë, si Sadik Veliun, i njohur si Sadik Llojani, nga Llojani; Ali Strazhën, të cilin e kam pasur bashkëluftëtar dhe dajë; si dhe Ali Runicën.
Formimi i Ballit Kombëtar nuk më kujtohet se kur dhe ku është bërë, por e di se patjetër duhej të ekzistonte. Flitej se ajo mbledhje ishte mbajtur te Guri i Shpumë.
Ka ardhur një brigadë nga Kosova me tre mijë shqiptarë, partizanë, dhe aty kanë ngrënë darkë te një „domaqin“ shtëpie, siç i kanë quajtur në atë kohë mikpritësi apo bukdhënësi.
Ai i pyet se deri ku do të shkonin. Ata i përgjigjen plakut: „Deri në Rustovcë dhe aty do ta ndajmë kufirin.“
„Kjo nuk mund të ndodhë, sepse nuk mund ta mbani“, u është përgjigjur plaku.
Ku ndodhej ky vend? Në mes të Vranjës dhe Vladiçki Hanit.
Disa oficerë deshën ta vrisnin të zotin e shtëpisë. Ai u tha: „Ju mund të më vrisni, por kufi aty nuk mund të vendosni.“
Ata vazhduan rrugën deri atje me flamurin tonë, kurse aty flamurin e kanë vendosur nën tavolinë dhe në Shid kanë marrë pjesë në luftë kundër gjermanëve.
Shtypi jugosllav, për luftimet në Shid, përmend Brigadën e Shtatë Maqedonase, por pa i përmendur shqiptarët si pjesëmarrës të luftës kundër gjermanëve. Në këtë betejë ishin vrarë shumë shqiptarë.
Kur e kuptuan shqiptarët se çfarë po ndodhte, ata u kthyen mbrapsht dhe përsëri u takuan me plakun, të cilin më parë deshën ta vrisnin, dhe i kërkuan falje: „Ne paskemi qenë gabim.“
Pastaj plaku u ndal dhe u thotë që të hanë edhe një darkë në fshatin e tij para se të vazhdojnë rrugën.
Ata në fillim nuk pranuan, duke thënë se nuk kishin kohë, pasi ishin nga Shqipëria. Por plaku nuk pajtohej që ata të vazhdonin rrugën pa ngrënë edhe një darkë në fshatin e tij.
Plaku u thotë: „Fshati im i ka treqind shtëpi. Patjetër keni për të ndaluar, se do t’ju ndjekim deri në Shqipëri.“
Pastaj ndalen edhe për një darkë në fshatin e plakut.
Ne betejat i kemi zhvilluar me flamurin tonë. Secili luftëtar e ka pasur shqiponjën në ballë. Flamuri ka qenë pa yll. Po të kishte pasur yll, do ta kisha djegur pesëdhjetë herë.
Sikur të isha i ri… Po çka të bëj kur më mungon shkolla? Po të kisha shkollimin, unë e dija se si do ta drejtoja popullin tim.
Tradhtarët t’i vrasim, pa marrë parasysh se kush do të jetë. Nuk duhet lejuar tradhtia, sepse tradhtia të çon në humnerë. Parlamenti i tanishëm nuk duhet të mblidhet përderisa ta pastrojmë vetveten.
Për fund, populli shqiptar duhet të afrohet. Afrimi mes vete sjell fitim. Nëse jemi të përçarë, nuk mund të kemi fitim.
Përçarja nuk na sjell fitore në të gjitha trojet shqiptare. Duhet të bisedojmë mes vete, t’i ndajmë hallet mes vete, të mos kemi frikë, ta ndihmojmë njëri-tjetrin, të nderohemi dhe të respektohemi mes vete.
Ne duhet ta ruajmë të parin tonë, sepse aty është një karrige, nuk janë dhjetë karrige. Derisa t’i shkojë puna mirë, populli shqiptar e sheh. Nëse nuk i shkon puna mirë, pastaj mund ta ndërrojmë, sepse edhe ai është vëllai ynë.
O vëlla, lëshoje karrigen dhe në vendin tënd le të vijë një tjetër që do ta bëjë punën më mirë. Ta bëjmë këtë si vëllezër, me marrëveshje.
Llojani e ruan në kujtesë atë natë të gjatë,
ku trimat u ngritën për vendin e të parëve;
koha kalon, por kujtimi mbetet gjallë,
si dëshmi e një historie që nuk shuhet kurrë.
Kujtesë Historike
nga rrëfimet e luftëtarit Enver Destani
Nga intervista janë nxjerrë dhe përpunuar këto shënime nga profesori Ridvan Memeti.
Pse mbeturinat nuk grumbullohen rregullisht, së paku një herë në javë? Nuk është normale që të kalojnë 2–3 javë pa ardhur ndërmarrja për t’i marrë.
Sidomos gjatë verës, nga i nxehti kundermon era e keqe, qent endacak po i shperndajne mbeturinat dhe kur bashkëfshatarët tanë nga mërgimi janë në vendlindje, sasia e mbeturinave rritet.
Kërkojmë nga ndërmarrja përgjegjëse që të vendosë dhe të respektojë një orar të rregullt javor të grumbullimit të mbeturinave.
Venet tona meritojnë shërbim të rregullt dhe të pastër!
Publicisti dhe maratonisti, bashkëfshatari ynë, Iljasa Salihu, sot vrapoi nga Shkupi deri në Llojan. Ja se çfarë shkruan në rrjetin e tij social:
„Një sfidë e vërtetë mendore dhe trupore e kurorëzuar me sukses. Nuk kishte kuptim të mos e kisha cak vendin ku linda, ku u mësova të eci dhe dikur të vrapoja, Llojanin.
Sot vrapova nga Shkupi deri në fshatin Llojan, duke përshkuar Hasanbegun, Haraçinën, Nakushtakun, Ropalcën, Mateçin, Hotlën, Likovën, Orizarën, Sllupçanin, Vaksincën dhe Llojanin.
45 kilometra vrapim, me 518 metra ngjitje.
Tani lirisht mund të them se largësia mes banesës sime dhe shtëpisë është shumë afër, aq afër sa mund të shkoni duke vrapuar !“