Jasin Mustafi, mes prejardhjes, shkences dhe besimit
Edhe pse Jasini jeton në diasporë tashmë si brez i tretë dhe ka lindur në Gjermani, ai kurrë nuk e ka harruar prejardhjen e tij kombëtare dhe fenë e paraardhësve të tij. Ai ka mbetur gjithmonë i lidhur me vendlindjen e gjyshit të tij.
Si brez i tretë në Gjermani, Jasini bart historinë e familjes së tij; gjyshi dikur erdhi si punëtor mysafir, me shpresë dhe qëllime të qarta. Babai e vazhdoi këtë rrugë. Studioi në Gjermani dhe u bë inxhinier i diplomuar. Ky shembull e ka ndikuar shumë Jasinin. Ai u rrit në një familje, ku arsimi ishte vlerë e trashëguar, jo vetëm një qëllim.
Që në moshën e re, Jasini tregoi kureshtje dhe dëshirë për të mësuar. Kjo disiplinë e hershme u bë boshti i rrugëtimit të tij.
Ai zgjodhi të studiojë fizikën, një shkencë që kërkon saktësi, logjikë dhe këmbëngulje. Ndërkohë, që studionte ligjet e natyrës në Karlsruhe, ai hapi edhe një derë tjetër; botën e shkencave islame dhe gjuhës arabe. Me të njëjtin përkushtim me të cilin zgjidhte problemet shkencore, ai iu përkushtua Hifzit, mësimit përmendësh të tërë Kur’anit famëlart.
Me këtë, Jasini bashkoi, ashtu si dijetarët klasikë islamë, dy fusha që shpesh shihen si të ndara. Ai studion ligjet e krijimit dhe ruan Fjalën e Krijuesit.
Për të rinjtë, ky djalë është shembull se si prejardhja mund të kthehet në forcë. Ai tregon se njeriu mund të jetë njëkohësisht shkencëtar dhe besimtar, mendimtar dhe ruajtës i traditës shqiptare. Që dija dhe besimi nuk janë kundërshti, por dy rrugë drejt së vërtetës, kjo tashmë prej kohësh është dëshmuar, ngaqë përkon me natyrshmërinë. Pastaj, suksesi nuk qëndron vetëm në tituj, por në aftësinë për të bashkuar botë të ndryshme brenda vetes. Të ndryshme dhe jo të kundërta!
Jasini është rezultat i një udhëtimi që e nisi gjyshi, e vazhdoi babai dhe që ai vetë e çon përpara me dinjitet dhe përkushtim, ky një shembull për një shoqëri që ka nevojë për njerëz si ai.
Me rastin e përfundimit të Hifzit të Kur’anit famëlart dhe kurorëzimit me titullin Hafiz, Këshilli i Xhamisë së Fshatit Llojan, ju fton më 19.09.2026, ora 12:00, të merrni pjesë në ceremoninë e nderimit të këtij titulli të veçantë.
Zoti e ruajttë këtë djalë dhe paçim edhe të rinj të tjerë që i hulumtojnë gjurmët e krijimit të Krijuesit dhe i zbatojnë me kënaqësi fjalët e Tij.
