Historia e fshatit Llojan – pjesa e tretë

Në këtë pjesë do të mundohemi të evidentojmë dhe të përmendim emrat e qytetarëve të fshatit Llojan që ranë heroikisht gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në kujtim të atyre që dhanë jetën për lirinë dhe dinjitetin e vendit tonë, sjellim listën e dëshmorëve nga fshati Llojan, dy deshmoreve nga fshati Miratocë dhe një dëshmorit nga fshati Kurbali, që ranë heroikishtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Këta burra të guximshëm u flijuan në beteja të ndryshme, brenda dhe jashtë fshatit, duke mbetur përjetësisht pjesë e historisë sonë.

1. Asan Kamberi Asan – vendi: Gurra e Gatë Llojan

2. Zulfi Rushiti – i plagosur në stacionin hekurudhor, vdes në Sllupçan

3. Xhemail Avdyli – vendi: Qafa e Padinës Llojan

4. Sulejman Sulejmani – i plagosur te Livadhet e Mëdha, vdes në Llojan

5. Destan Destani – vendi: Rrafshi i Allashecit

6. Sadik Veliu – Llojani – i rënë heroikisht në Llojan

7. Hysen Ismaili – vendi: Surdulicë, u masakrua

8. Avdi Negovci – vendi: Surdulicë, u masakrua

9. Hamid Jaka – vendi: Surdulicë, u masakrua.

10. Nazif Nuhiu – vendi: Sllanish, nder livadhet e mdhaja të fshatit Llojan.

11. Hamzi Haliti – nga fshati Miratocë, vendi: Sllanish, nder livadhet e mdhaja të fshatit Llojan.

12. Aqif Iseni (Cena) – nga fshati Miratocë, vendi: Sllanish, nder livadhet e mdhaja të fshatit Llojan.

13. Sali Iljazi (Saliu) – vendi: Vinkovcë

14. Azem Hysman Kurbalia – vendi: Kodra e Gatë në Llojan.

Nëse ndonjë emër mungon në këtë listë, kërkojmë mirëkuptimin e të gjithëve dhe ftojmë banorët që të ndihmojnë me plotësimin e saj, në mënyrë që çdo dëshmor të zërë vendin e merituar në kujtesën tonë historike.

Lavdi e përjetshme atyre që sakrifikuan jetën për liri

Pjesa tjeter Historike e fshati Llojan vazhdon.

Pjesa 3,

Materjali u kompletua dhe u pergadit nga Pr. Ridvan Memeti, i cili po mundohet te nxjerr ne publik disa pjesë Historike nga Arkivi historik per fshatin Llojan.

Njoftim për Banorët e Fshatit Llojan

Të nderuar bashkëfshatarë,

Pllaka përkujtimore e vendosur për Sadik Llojanin është dëmtuar dhe e marrë nga persona të papërgjegjshëm. Duke qenë se kjo figurë e çmuar e fshatit tonë meriton nderim dhe respekt, propozojmë te paraqitet ndonje vullnetare të ndërmarre një iniciativë për vendosjen e një pllake të re, më të denjë dhe më të qëndrueshme, do ta mbeshtesim te gjithe.

Sadik Llojani është pjesë e kujtesës dhe historisë sonë kolektive, ndaj është detyrë e jona të kujdesemi që kujtimi i tij të ruhet me dinjitet për gjeneratat që vijnë.

Na njoftoi:

Qamil Abdyli

Historia e fshatit Llojan – Pjesa e dytë

Fshati Llojan, i njohur për pozitën e tij gjeografije dhe per rezistencën e banorëve të tij, ka kaluar periudha të vështira gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj.

Banorët shqiptarë të këtij vendbanimi jo vetëm që u përballën me varfëri e mungesa, por edhe me rreziqe të vazhdueshme nga forcat pushtuese dhe sllavokomuniste.

Këto ngjarje lanë gjurmë të thella në kujtesën e te parve tan dhe u bënë pjesë e historisë së qëndresës shqiptare.

Do ti permendim disa zona ku u zhvilluan perleshjet me te ashpra në rrethinen e fshatit Llojan :

Humza e Maslinkave, Kuria e Plakë, (zabeli), Ara e Saitit, Guri i Gjarpërinjëve, Lugu i Plepave, Lugu i Keq, Lugu i Mirë, Lugu i Dushkut të Trashë, Gurët e Zinj, Toptel, Kodra e Gjatë, Gura e Shpellave, Brezja e Staneve, te Guri i Kristë, Kuka e Brazit, Guri i Dushkut, Lugu i Avdisë, Reka e Vogël, Reka e Madhe.

Këto toponime sot nuk janë vetëm pjesë e gjeografisë së Llojanit, por edhe monumente të gjalla të historisë.

Në fund të vitit 1944, Kasëm Azemi, iu bashkua Brigadës së VII Sulmuese Shqiptare dhe mori pjesë në frontin e Sremit, ku shqiptarët luftuan kundër trupave gjermane dhe bashkëpunëtorëve të tyre.

Në të njëjtën kohë, Sadik Llojani dhe Enver Destani qëndruan në malet përreth fshatit, duke organizuar mbrojtjen lokale për të penguar depërtimet sllavokomuniste.

Në prill të vitit 1945, në qytetin e Apatinit ( Qytet në Sërbi), u ekzekutuan disa banorë të fshatit Llojan që ishin mobilizuar ose kapur nga forcat jugosllave. Midis tyre ishin:

Azem Kasumi, lindur më 1903, i cili në moshën 42-vjeçare u likuidua pa mëshirë.

Ibrahim Sulejmani, lindur më 1906, i cili në moshën 43-vjeçare u ekzegutua, pra pësoi të njëjtin fat.

Varret e tyre nuk janë të njohura deri më sot, gjë që e bën dhimbjen edhe më të madhe për familjet e tyre.

Ngjarja më e përgjakshme ndodhi më 15 maj 1946, në vendin e njohur si Guri i Shpellës.

Sadik Llojani, një nga luftëtarët më të ashpër të fshatit, u plagos rëndë, për të mos u dorëzuar kurrë, nga rrethimi qe ju kishte berë dhe ne munges te monicionit kreu vetëvrasje, duke lënë pas një akt heroik që mbeti i paharruar.

Në të njëjtën betejë: u vra Azem Kurbalia, u plagos Enver Destani, ndërsa Bajram Kurbalia shpëtoi me jetën.

Kjo ngjarje tregoi vendosmërinë e burrave të të cilet nuk u dorëzuan kurrë përballë një armiku shumë më të fuqishem dhe me te madh në numër ushtaresh dhe ne armatim.

Kasëm Azemi (1903 – 1945)

Një luftëtar i njohur i fshatit, i cili iu bashkua Brigadës së VII Sulmuese Shqiptare. Ai ra në Apatin, duke mos e parë më kurrë vendlindjen. Emri i tij lidhet me kontributin e shqiptarëve në frontin e Sremit.

Sadik Llojani (1910 – 1946)

Luftëtar i palodhur i maleve të Llojanit. Heroizmi i tij në Gurin e Shpellës është një ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë së fshatit. Ai zgjodhi vdekjen me nder në vend të robërisë.

Enver Destani

Shok i ngushtë i Sadik Llojanit. Edhe pse u plagos në betejë, mbeti gjallë dhe kujtoi ngjarjet e asaj kohe, duke shërbyer si dëshmitar i gjallë i sakrificave të bashkëfshatarëve.

Azem dhe Bajram Kurbalia

Dy vëllezër që morën pjesë aktivisht në mbrojtjen e fshatit Llojan, Azemi dha jetën, ndërsa Bajrami arriti të shpëtojë, duke mbetur dëshmitar i betejës së ashpër.

Ngjarjet e viteve 1944–1946 tregojnë për një periudhë të errët, por njëkohësisht krenare për fshatin Llojan. Banorët e tij, të përballur me shtypje, internime dhe likuidime, nuk u përkulën. Ata qëndruan, luftuan në fronte të ndryshme dhe dhanë jetën për të mbrojtur popullin e tyre.

Heroizmi dhe lufta e ketyre burrave qe i permendem dhe do ti permendim më vonë janë pjesë e historisë së një fshati të vogël por me shpirt të madh.

Pjesa 2,

Materjali u kompletua dhe u pergadit nga Pr. Ridvan Memeti, i cili po mundohet te nxjerr ne publik disa pjesë Historike nga Arkivi historik per fshatit Llojan.