Vlera e njeriut e (zh)vlerësuar në para!

8Maj - 0 - Kategoria: Opinione
Shkruan: Iljasa SALIHU

Në të vërtetë, vlera e njeriut nuk mund të shprehet në para. Njeriu është i vlefshëm për aq sa ka arritur ta kuptojë urtësinë dhe qëllimin e ardhjes në këtë botë. Gjithsesi, vlerën e tij nuk e përcakton masa e posedimit të pasurisë materiale. As vlerën e vërtetë të mallit nuk e përcakton shija dhe kërkesa e njeriut, edhe pse është rregull i njohur dhe i pranuar në ekonomi se çmimi i një malli në ekonominë e tregut të lirë e përcakton vlerën dhe rëndësinë e produktit të caktuar. Vlera e një libri sot nuk mund të përcaktohet me ecejaken e kërkesës së atij libri. Kjo varet prej masës së vetëdijës së një populli për të lexuar libra! Gjithashtu, vlera e qumështit nuk mund të përcaktohet në varësi të kërkesës për qumësht, ngase sot një i ri, ose një familje, me një çmim më të lartë është më shumë e prirë të blejë një lëng të gazuar e me ngjyrë artificiale dhe të dëmshme për organizmin e njeriut, se sa një litër qumësht, dobia e të cilit assesi nuk mund të vihet as në krahasim me dobinë e qumështit. Sidoqoftë, ky është rregulli dhe këta janë lojtarët e kësaj loje ekonomike, ku vlera e një malli përcaktohet në saje të masës së ofertës dhe kërkesës për atë mall!

Prej kohësh qenia njerëzore është vërë në thumbin e atyre të cilët njeriun e duan të trajtësuar në veçori të tjera, duke pasur ndjesi kundrejt tij vetëm në ruajtjen e pamjes së jashtme. Nga kjo del qartë se njësia matëse e vlerës së njeriut nuk qenka njerëzia, por aftësia e tij për të grumbulluar pasuri materiale. Njeriu sot, prej atyre që duan vetëm bark të ngopur, më shumë shikohet si thes dollari se si një ujëvare prej së cilës rrjedhë ujë i pashtershëm i urtësisë. Për fatin tonë të keq, sot kush është i pasur ka edhe fjalën kryesore, ka edhe vendin në krye të dhomës, ka edhe ndarjen e drejtësisë ndërmjet njerëzve të drejtë, ka edhe deponinë e dhënive të përgjigjeve të sakta, disi mund të ketë në dorë edhe nderin e vajzave të njoma, ka edhe fakultetet, ka edhe shumëçka tjetër, pos asaj që natyrshëm duhet ta ketë çdo njeri i sendertuar me të gjitha vlerat njerëzore.

Aftësia dhe vlera e njeriu sot më shumë vlerësohet në saje të mundësisë për të prodhuar të mira materiale dhe se si po atyre të mirave materiale do t’i nënshtrohej, duke menduar se ato i ka në zotërim, se ashtu për të cilën njëmend e krijoi Zoti i Lartmadhërishëm atë. Si rrjedhojë e kësaj, njeriu nga qenie njerëzore është trajtësuar në mall, vlera e të cilit matet me çmimin e atij malli, gjegjësisht me kërkesën për atë mall. Këtu ndonëse harrohet një fakt shumë i rëndësishëm. Edhe ata që njeriun e duan vetëm mall me pamje njeriu, papandehur luajnë rolin e depove ku ruhen e shpërndahen mallrat për në tregje të ndryshme. Mos të harrojmë se edhe depoja është mall i dikujt, apo të paktën ka cilësi të mallit!

Disa personazhe me role të këtilla, të cilët e rrëfejnë njëmendësinë e veprimtarive gërshetuese të qenieve njerëzore dhe mallrave të cilët përdoren për ta rritur fitimin

dhe sundimin mbi falanikët, të cilët punojnë sa për të mbetur gjallë e nuk gjallërojnë fare punë, përmes së cilët do të rronte më dinjitetshëm, shohim se si njeriu në emër të përvetësimit të të mirave ekonomike u përvetësua vetë ai në një mall, vlera e të cilit varet prej pleksjes së kërkesës dhe ofertës. Në suaza të këtij botëkuptimi, më par pata kështu pata shkruar: “Njeriu i sotëm ende nuk ka arritur ta kuptojë se nuk është me rëndësi vëllimi i pasurisë, por rrugëtimi dhe mënyra e grumbullimit të asaj pasurie. Sa të pasur sot kërkojnë tregje ku blihet pasuria e shpirtit, edhe pse ajo jepet e nuk blihet. Dhe sa të varfër sot me pak para shesin lumturinë, edhe pse kështu e pandehin të pasurit, ngase ajo fitohet e nuk blihet. Prej këndit të dhomës katërkëndore, sa afër i shohim fytyrat e të pasurve me ato të varfërve. Ndoshta aq afër sa nuk mund ta shohin edhe njëri-tjetrin, sepse ngjashëm siç në largësi nuk mund të shihen gjërat, ashtu edhe në afërsi ndodhë e njëjta gjë”!

Ata që njeriun e duan vetëm mall, sikur harruan se qenia njerëzore është e mbërthyer prej ndjenjave të dashurisë, dëshirës, urrejtjes e të ngjashme dhe afërmendësh është që një ditë edhe falaniku së bashku me robin më të madh të parasë, nesër të ndjenin nevojë për lumturi njerëzore, ngase ajo që dikur teorikisht e mohuan, në një të ardhme të afërt, gjallërisht do të trokiste në derën e ndërgjegjës buzë vdekjes. Këta ngjasuan atë që mohonte Zotin dhe kur një ditë krejt beftë parashuta filloi t’i tkurrej, ai harroi rrezikun duke u kredhur në atë se përse kaq shpesh e me padëshirën e tij, me pipëtimë pandërprerë thoshte, o Zot më shpëto, o Zot më ruaj, o Zot…!

Kryepersonazhi i krijimit të këtij strumbullari me erë të keqe është ai i cili në bardhësinë e botës fëmijërore shëmbëllente vlera burrërore dhe kur njëmend u bë burr, filloi të sillet si një fëmijë që kërkonte para të shumta duke e vërë në shkëmbim edhe boshtin kurrizorë të tij, vetëm e vetëm të mund të blinte lodra të shtrenjta, lodra këto që mëtonin t’ia zëvendësonin shokët e tij të vërtetë. Në kumtin e këtyre pakurrizorëve, lihet mbresa se në këtë botë jetojnë vetëm këta njerëz, të cilët vlerën e njëmend të njeriut dhe asaj të shkërmoqur e marrin si një krijesë të krijuar prej balte, jo për diçka tjetër, por për të treguar se sa lehtë shembet një kullë prej rëre nën rrebeshin e djersës së reve!

Lini një Përgjigje