Violina e Nasredinit

20Dhj - 0 - Kategoria: Opinione

Duke e pritur një pluskë bore, ishte kredhur në mendime se përse bora prej kohësh kishte harruar adresën tonë. Por ç’të bëj, pritja nuk ka fillim!

Lexues i nderuar, kësaj radhe do t`i thyej disa rregulla të metodologjisë së shkrimit. Një ditë, njërit prej miqëve, iu kishte djegur ahuri, desha t’i paraqitem të zgjedhurit (sezonal) të zonës për t’ia qarë hallin e tij, kinse unë e njihja që nga koha e vjedhjeve më fal e zgjedhjeve. Po çfarë halli se! Miku nga ato kafshë e kishte siguruar kafshatën e bukës për anëtarët e familjes së vet, atij nuk i interesonte fare se si quhet Enciklopedia Maqedonase apo Enciklopedia e Maqedonisë. Miku ishte brengosur për kafshët e sidomos për ushqimin e tyre, ndaj mu lut duke më thënë: meqë njiheni me atë, pse nuk shkon të kërkosh së paku ushqim për kafshët?! Unë nuk desha t’ia zymtoj shpresën, ngase unë e dija se ata nuk përdorin një ushqim të tillë. Sikur deshi të më thotë edhe diçka, por heshti, megjithate me insistimin tim ai e tha atë që fshehu, miku në moshë të thellë madje edhe një pjesë e mustaqeve iu kishte zverdhur nga tymi i duhanit. Mik, kur u prish Jugosllavija e mbaj mirë në mend, erdhën të gjithë mërgimtarët për të votuar, në atë kohë thonin shkoi komunizmi, besa edhe unë gëzova. Por me kalimin e kohës sa herë që shkeli udhën e fshatit, detyrimisht e kërkoj më shumë atë komunizëm. Hmm!

Mua nuk më erdhi ky vështrim i mirë, kështu që ndërhyra duke i thënë, – hë ore burrë, pse e thua atë, tani jemi më mirë. Më dhuroi një buzëqeshje të përzier me ironi dhe më pas më tha, – o lum, më thuaj që nga viti 1991 çfarë është punuar në këtë fshat? Unë desha t’i përgjigjem duke i thënë: Politika …, – më ndërpreu duke mu drejtuar me një zë të lartë, – lopët e mia nuk hanë politikë, more bir, këtë asnjëherë mos e harro dhe si të haje ajo politika jote kashtë, atëherë të paktën mos të mendoje se edhe ne hajmë kashtë, sa një gjë të tillë ta besojmë. Më pas vazhdoi duke më thënë dhe duke demonstruar me gishtin e tij tregues, se vallë e sheh atë asfalt aty? Unë iu përgjigja duke pohuar, – ajo udhë është asfaltuar para viteve 80-ta, ndaj investimi i fundit në katundim tim është që nga koha e Titos.

Rroftë Tito-ja, me pahir bërtiti, duke e vetëkorigjuar pastaj vetën, hë de, doja të thoshta “Rroftë Tito-ja në xhehenem”!

Disi më nevrikosi, por ç’të bësh, mosha e bën të veten, – kështu thonë të moshuarit. Desha ta bindi plakun se nuk ishte ashtu, duke i thënë: unë nuk pajtohem me ju nga fakti se ti nuk i di disa ndryshime që janë bërë …, – më ndërhyri duke më thënë, hë pra më trego, për çfarë ndryshimesh e ke fjalën, për ndryshime që nuk ndryshojnë aspakt, sikur ky asfalti, që padashje na kujton Titon dhe unë për të mos e

lënë të shkallmojë tutje, e ndërpreva duke i thënë: e di ti se tani me ligj, më falë me zakon, është e rregulluar përdorimi i gjuhës shqipe …, – ha, ha, ha, qeshi plaku duke më shikuar në bebëzat e syrit. Djalo e di ti se para vitin 1974 kudo kemi folur shqip, madje me një shqipe të pa përzier me anglisht, italisht dhe frëngjisht.

Mirë, mirë axhok, le ta ndërrojm kahjen e diskutimit. Ti e di se edhe flamurin tonë të ëmbël e të kuq mund ta përdorim kudo …, prapë më ndërpreu duke më thënë, unë në katunin tim gjithënjë kam folur shqip dhe gjithënjë e kam ngritur flamurin, jo vetëm gjatë festave, por edhe gjatë ndërtimit të shtëpive të reja, aty në kulm valonte ai i ëmbël e tërheqës. Pastaj më ndërhyri përmes radhitjes së argumenteve duke më thënë: shko në (ai e kishte mësuar Bitoll) Manastir atje zbatoje këtë zakon. Madje në cilësinë e të shtririt për toke, shtova duke i thënë se tani edhe dokumentet zyrtare i përdorim në gjuhën shqipe! Prapë qeshi por më gjatë se herave tjera, unë tha ai (izvodin) e kishte fjalën për çertifikatën e lindjes, e kam vetëm në gjuhën shqipe, madje nuk shkruan as në gjuhën sërbe. Madje në (vaktin) kohën tonë, e kishte fjalën për natën e Bajramit (kur ishte sulmuar fshati Llojan) gjatë Luftës se Dytë Botërore, banorët e fshatit Miratoc na kishin ardhur në ndihmë, tani, ju tani as që mund të shkoni në atë fshat, – ofshau thellë, fshat që gjendet larg vetëm dy hapa. Mandej vazhdoi duke u ankuar se kishte paguar një kohë të gjatë (porez) tatim, ndaj këtij shteti, por asnjëherë nuk mu kanë kthyer ato të holla së paku një përqindje nga ajo shumë, nuk kërkoj të më kthenin të holla, por së paku të kishin investuar diçka në fshatin tim nga ai tatim. Duke e ulur dhe duke e lëkundur kokën tha: jo, jo, unë nuk i hirdhërohem shkive pse nuk vijnë së paku të na vizitojnë, por unë tha ai, e kam mërinë me ata tanët, me kutinë tonë, që unë i gjori hodha disa kokërra, qëllimi i të cilave ishte mbartja e tyre për në arën pjellore, ku një ditë së bashku do t’i vjelnim frutat e atyre kokërrave. Ndërkaq, ata lëre që kokvrrat tona nuk i hodhën aspak në arën e brengës sonë, por ata përmes atyre kokërrave sot lodrojnë si t’u tekej, madje, madje, të mirën e kokvrrave tona e kishin shfrytëzuar disa me flokë të bardha, që nuk ngjanin në meshkuj, mbase as në burra, porse nga shkaku se shumë po e duakan demokracinë, kishin vendosur që gjitha gjymtyrët e trupit t’i ngritnin përpjetë, vetëm e vetëm të dëshmojnë se janë të çelta apo të hapura në këtë treg të hapur. Bac, unë mbeta pa shkuar te deputeti i rajonit për t’ia rrëfyer dëmin tënd. Jo, jo, -tha ai, mos shko! Mua mu dogj ahuri, për këtë e kemi dëshmi edhe tymin, por më dhimbsen bashkëkombasit e mi, që nuk po e shohin tymin e tyre, si dëshmi të amullisë. Plaku ishte analfabet, por shumë i urtë, ndaj kujdes atyre që fotografohen pranë Muzeut të Alfabetit, mund të jenë alfabet, por jo edhe të urtë.

Qerim Isufi

Lini një Përgjigje