Vendkalimi Haxhi Hyseni filloi të frymojë

28Qer - 0 - Kategoria: Mbi Llojanin Opinione
Shkruan: Iljasa SALIHU

Zogjtë, gjarpërinjtë, hardhucët dhe shumë zvarranikë tjerë këtë javë ia mësynë vendeve tjera, ngase ekskavatori me ushtimën e tij praktikisht i tregoi se tutje oaza e juaj do t’i kthehet natyrshmërisë së saj. Rëra në rrugë sërish filloi të piketohet prej rrezeve përcëlluese të diellit, flluskat e borës tashmë nuk do të ndalen nëpër gjembat e ngjeshurta që rrinin sikur policë kryeneçë mu në mes të rrugës.

Llojanasit, i madh e i vogël, të huajt, i zi e i bardhë, që këtë fshat prej kohësh janë duke e ndier si të tyrin, ashtu të ngazëllyer e të habitur dolën të shohin se çka po ndodh me barrikadat e vendosura prej kryeneçësisë së dy shteteve me të njëjtin qëllim – ndërprerja e arteries shqiptare. Pas shumë zvarritjeve, zhurmës së krijuar, premtimeve rrenacake, nervozizmit dhe padurueshmërisë, filloi të pastrohet rruga në fshatin Llojan që lidh gjithashtu fshatin tjetër shqiptar, Miratoc. Populli me përvojë vuajtjeje dhe zhgënjimi këtë veprim të papritur e priti me dyshim, duke pohuar se mos vallë, meqë jemi në prag të zgjedhjeve lokale ky pluhur mund të jetë një propagandë parazgjedhore e politike, kishte prej tyre që pohonin se pavarësisht prapavisë, mirë do të bëhet nëse puna e filluar do të përfundojë si është më së miri, mbase fshati Llojan do të lidhet me komunat tjera shqiptare në Serbi dhe tutje nuk do të quhet “zorra qorre” në komunën e Likovës, porse do të thirret si arteria ushqyese e komunave shqiptare, mbase edhe e shteteve shqiptare.

Prej kohësh dukuria Haxhi Hyseni përmes shprehjes së tij të lirë në një intervistë të bërë para disa muajve sa vjen e rritet dhe njëkohësisht çdo ditë e më tepër sikur pikat e shiut që plandosen të shkapërderdhura për toke, ngjashëm u përplasën në tokën e thatë edhe deklaratat, analizat dhe premtimet e të ashtuquajturve njerëz të penes dhe njerëz të zgjedhur gjoja prej popullit për t’ia zgjidhur gjoja hallet e popullit. Pak para fillimit të kësaj rruge, qëllimi i së cilës mëtohet të jetë edhe hapja e këtij vendkalimi, televizioni Alsat-M e intensifikojë prononcimin e tij përmes PIP-ave (ndërprerjeve) të shumta, mbase lahtas përmes “body language” gjuhës trupore lehtas mund të kuptohej thumbi i fjalës së tij. Vetëm pas disa ditëve kjo rrugë e përjetoi edhe gërryerjen e parë! Kjo edhe njëherë dëshmoi se po nuk e tepruam në kërkim, ndonjëherë edhe me fjalë e veprime të pahijshme atë që natyrshëm na takonë, të fjeturit tanë vetëm se do ta thellojnë gjumin dhe pastaj ëndërrat që mund t’i shohin prej atij gjumi të stërgjatur do t’i pandehinin si veprime konkrete dhe kështu ngadalë do të çliroheshin prej ndjenjës së përgjegjësisë.

Kjo rrugë dhe ky vendkalim do ta meritonte plotësisht emrin HAXHI HYSENI me një falënderim edhe të televizionit Alsat – M!

Iljasa SALIHU

Lini një Përgjigje