Vdekje për shpëtimtarët!

6Shk - 0 - Kategoria: Opinione
Shkruan: Iljasa SALIHU

Mbetëm me dëshirën e integrimit dhe ngelëm me dëshminë e izolimit!

Psikologu dhe gjithë mjekët që kanë për qëllim shërimin dhe shpëtimin e atij që gjendet në zgrip të batakut asgjësues, duhet të vdesin, – kështu një ditë kishte thënë pacienti që me çdo kusht dëshironte që portreti i tij të del në rubrikën e atyre që përkujtohen prej të gjallëve. Ata duan ta shërojnë dhe sa më gjatë ta mbajnë në jetë, ndërsa ky i shkreti dëshiron vdekjen e shpëtuesve. Lëre që refuzon shpëtimin, por ai shkon edhe më tej çmendurisë së tij, duke kërkuar gropëzimin e shpëtimtarëve. Psikologu do të thoshte, lëreni, mos u merrni me të marrin, ngase marrëzia në mendime dhe në veprime është profesion i tij, mbase edhe ai dikur do të pendohet, porse këtë do ta bënte pasi produkti i marrëzisë së tij do ta thërrmonte, duke e lënë kështu edhe pa varr. Këtij kapadaiu i është bërë jeta e mjerë, e rëndë, e stërmbushur me probleme dhe konteste të ndryshme, të cilin nuk e duan fqinjët, nuk e duan edhe të tjerët jashtë lagjes së tij, mbase edhe toka sikur i pëshpëritë në vesh se për mua je bërë i tepërt, shiu sikur bëhet gati për një vërshim apokaliptik, uji nga brenda me gjithë shtëpinë e ndërtuar me djersën e tjerëve, sikur ka filluar ta gërryen furishëm dhe në gjithë këtë furtunë ai fajin e sheh te ndihmësi, duke mos guxuar të merret me ata që as një qen të zgjebosur nuk e konsiderojnë.

Maqedoni është atdheu im, kishte thënë ai për të cilin nëna e tij qau me dekada të tëra, për arsye se kjo Maqedoni e kishte ndjekur sa andej. Luftuam për ta mbrojtur Maqedoninë, kishte thënë ai që në fillim kishte thënë se kjo luftë është për bashkimin kombëtar shqiptar, madje edhe emblema në krahun e trimave si e tillë lexohej. Do të bashkohemi në Bashkimin Evropian, kishte thënë ai që fort mirë e dinte se kjo familje është bashkim kombesh dhe interesash, e jo bashkim shtetesh e meritash. Do të punojmë ditë e natë vetëm që Maqedonia të bëhet anëtare e BE-së dhe e NATO-s, kishte thënë ai që edhe fyerjet, nënçmimin dhe njollosjen e kombësisë, fesë dhe votuesve i kishte heshtur, vetëm e vetëm të mos i prish punët me atë që pandehte se ka në dorë timonin e këtij shteti me drejtim kah Rusia. Ditët sikur një tren i shpejtë që mbart mallra të ligjshme e të paligjshme iknin. Mbetëm me dëshirën e integrimit dhe ngelëm me dëshminë e izolimit! U flijuam për të tjerët, më falni, na flijuan për të tjetër dhe po këta të tjerë duan të na fluturojnë për në qiell, mbase sipas një këngë të tyre, as atje për shqiptarët nuk paska vend.

Në karnavalin primitiv ata provuan një tjetër mundësi për konflikt, mundësi që do të sillte aq pasoja të mëdha sa që nocioni konflikt do ta humbiste kuptimin e tij. Sulmuan në palcë, të shkretit u lodhën me sulme, qëllimi i të cilëve është gjetja e atyre që duan të marrin pjesë në prishjen e kësaj ngrehine pa plan dhe pa leje urbanistike. Përmes paraqitjes së organit gjenital të madh, treguan se vuajnë për një të tillë, pavarësisht se Greqia prej kohësh është duke e mbajtur në kësi lloj madhësie dhe gjymtyre. Ndonjëherë për këtë mos ndijim mund t’i ketë fajet edhe dukuria e madhësisë së vrimës. Është e kotë trashësia dhe gjatësia e gozhdës, përderisa vetë muri është vrimë, – do të thoshin kështu të vjetrit.

Fyerjet e maqedonasve kundrejt shqiptarëve shpëtimtar të tyre janë të vjetra, pavarësisht se ky shtet akoma është në pragun e pubertetit. Ndërsa fyerja në karnavalin e turpit ishte një projekt i menduar mirë, që lehtas mund t’i gjente ata që pas samitit në Çikago do të dënoheshin për zymtimin e vendit përpara samitit dhe si rrjedhojë e veprimeve të tyre Maqedonia ja ngeli jashtë NATO-s. Dihet, fajtor do të piketohen shqiptarët bashkë me fenë e tyre, madje këtë qysh në fillim kryeministri i shtetit e dëshmojë, duke mos bëzajtur fare për rastin e karnavalit që dridhi tokën ajo fyerje djallëzore, si dhe duke reaguar menjëherë pasi kishat filluan të kolliten prej tymit. Ashtu sikurse ndodhi edhe më parë, rasti i djegies së flamujve shqiptar, brohoritjet sharëse ndaj shqiptarëve nëpër ndeshje të futbollit e basketbollit, i cili përmes shurdhërisë së qëllimshme u bënte gati për dënimin e reagimeve të këtyre fyerjeve. Ajo që më indinjoj ishte edhe vendndodhja e kryeministrit në kohën kur njerëzit luanin me vlerat islame. Kryeministri pra atë ditë ndodhej në Turqi. Nuk e përmblodhën me shqelma ata që i përkasin vlerave që atë ditë u shkelmuan rëndë. Sidoqoftë kjo le të mbetën në ndërgjegjen e tyre!

Tani janë bërë normale afishet që tregojnë dëshirën e zjarrtë për vdekje të shqiptarit. Hetimet vazhdojnë për në koshin e plehrave. Si të dënohet aktori për veprën e tij kur skenaristi e ka në dorë kamxhikun dhe kalemin e dënimit. Duhet të vazhdojnë hetimet, duhet të mbushet koshi i plehrave me hetime derisa të hasin në atë që i duhet, në atë që e ruajti dhe po e ruan këtë shtet prej prishjes. Pas këtij arrestimi me burg të përjetshëm, i shoqëruar çdo ditë me kamxhikë, ai do të thoshte: pse ore mua më rrihni në burg me kamxhik, kur dihet se po unë isha ai që e shpëtova këtë shtet? Përgjigja do të ishte: pikërisht për këtë të rrahim!

Lini një Përgjigje