Vapë nga lartë, zjarr nga poshtë!

31Gus - 0 - Kategoria: Opinione
Shkroi Prof. Jusuf Zimeri

Jemi prej popujve të rallë që vapës ia shoqërojmë edhe flakën, thatësisë edhe tymin, gropave edhe mbeturinat dhe injorancës edhe djegien e librave!

Sot, teksa kthehesha prej punës, ashtu i kredhur në mendime rreth përqafimit tonë të katëranshëm me nxehtësi, posa hyra në Komunën e Likovës, mendimet ashtu fluturimthi më çuan diku larg, larg shumë larg, diku në Afrikë, por jo në gjitha vendet e Afrikës. Eu bre thash vetë me vete, si na u bë e mundur të jetojmë në të njëjtën kohë në tre kontinente edhe pse ende nuk e kam të qartë se kjo është dhuratë për ne apo dënim prej të Gjithmëshirshmit! Gjeografikisht jetojmë në Evropë, me klimë afrikane, kurse shoqëria e përzier me shoqërinë aziatike.

Motivet që më shtynë të mendoj kështu, ishte se posa të hysh në atarin e Komunës sonë të quajtur Likovë, veçanërisht në dy fshatrat e skajshëm të Komunës (Vaksinc dhe LLojan), edhe pse edhe ende jemi në stinën e verës, ngjyra e gjelbër thuajse është bërë e ndaluar për syrin tonë. Arsyet e zhdukjes së gjelbër, pa dyshim se janë si pasojë e mungesës së shiut që nuk ka pikuar disa muaj me radhë në njërën anë dhe mungesa e sistemit të ujitjes në këtë vend. Sistem ujitjeje, më falni kjo qenka gabim, sepse ne tashmë po ballafaqohemi edhe me mungesë të ujit për nevojat esenciale jetike.

Këto dy arsye të shndërrimit të këtij vendi në shkretëtirë, po më brengosin mjaftë, por asnjëra prej tyre drejtpërdrejtë nuk është në dorën e këtij populli, por ajo që po më mundon më së shumti është faktori që është i lidhur drejtpërdrejtë me ne.

Kah do që ta lëshosh shikimin në këtë vend sheh vetëm zi, gjurmë dhe mbeturina të zjarrit që ta vrasin jo vetëm syrin por edhe zemrën, kuptohet për ata që kanë dhe askush nuk çanë kokën për këtë dukuri të llahtarshme. Këto zjarre absolutisht nuk i sjellin asnjë dobi kësaj popullate, nuk zgjidhin asnjë problem as fetar e as kombëtar apo ekonomik, përkundrazi sjellin pasoja të pa parashikuara tokës që mbjellet me bereqet, por cilat janë ato pasoja le ta thonë përgjegjësit e kësaj fushe, thuajse edhe fusha e veprimtarive të tyre është bërë shkrumb e hi, sepse unë nuk jam i tillë. Përveç që po djegim çdo gjë, fushë e mal, sot pata fatin e zi të shohë se si digjen edhe varrezat në fshatin tonë për rreth. U shqetësove tej mase, sepse po digjeshin eshtrat e prindërve, shtëpitë e atyre që nuk kanë mundësi të flasin, motrave dhe vëllezërve tanë të vdekur, derisa të gjallët po bëjnë qejfe nën hijet e paramenduar të rrapit trasha apo diku tjetër dhe gjoja debatojmë për çështje madhore fetare e kombëtare, për patriotizëm e humanizëm, tolerancë dhe mirëkuptim! Ne sikur asnjëherë nuk po arrijmë të kuptojmë se demagogjia dhe bigotizmi asnjëherë nuk kanë qenë e as që do të jenë patriotizëm. Patriotizmi është vlerë që shkëlqen, nuk është kontribut i njerëzve të pavlerë dhe pa parime? Të digjen varrezat s’është patriotizëm, mbase të bëhet sehir përballë kësaj katrahure është tradhëti, apo jo? Të digjen varrezat, në aspektin juridik është krim që kërkon sanksionim, në aspektin moral dhe kombëtar është vandalizëm, kurse në aspektin fetar është veprim i ndaluar (haram). Duke kaluar pranë zjarrit që kishte kapluar varrezat e fshatit, sikur dëgjoja zërat e atyre që banonin në ato vendbanime (ku së shpejti edhe ne do ti shoqërojmë ata) duke na mallkuar neve që pushojmë nën hijet e trasha dhe sikur jashtë çdo ligji mëtojmë që ata t’i dënojmë me zjarr prej kësaj bote, ku

ende jemi të lirë në veprimet tona, qofshin ato edhe shtazore. Turp, turp, turp! Atëherë më lindi ideja të pyes veten time, por ende s’po gjejë përgjigje: Kush banon në këto fshatra, myslimanët, shqiptarët, kriminelët, vandalistët, patriotët apo kush? Po pyes kështu sepse ky akt i shëmtuar më shqetësoj tej mase, ngase është veprim i ndaluar nga të gjitha aspektet, nga ai fetar, kombëtar, njerëzor, human, shoqëror, ekonomik e të ngjashme. Dikush ndoshta paska menduar se në këtë formë bëhet pastrimi i varrezave! Do të ishte mirë që fillimisht të eksperimentonte këtë veprim në oborrin dhe shtëpinë e tij, për ta pastruar atë, e pastaj të mendojë edhe për këtë mënyrë.

Më duket se me këtë dukuri askush nuk po çanë kokën, as udhëheqësit familjarë e as udhëheqësit e fshatrave, e të mos flasim për shkallat më të larta që janë verbuar nga pushteti dhe korrupsioni, e kjo nënkupton se ne jemi të pajtimit me këtë që po na rrethon. Shpjegim tjetër nuk ka. Mendoj se derisa të ketë veprime të tilla, ndoshta do ketë edhe mungesë shiu, sepse nëse ne i dënojmë të tjerët me zjarr edhe neve na dënon dikush me mungesë të ujit! Kisha dashur që të jem i gabuar në këtë që e thash, por për fat të keq ky është realiteti, përballë të cilit ende dikush i zgurdullon sytë me habi!

Jusuf Zimeri
/llojani.info

Lini një Përgjigje