Turp na qoftë

28Dhj - 0 - Kategoria: Opinione

Në tërë botën demokratike, njerëzit bëjnë përpjekje që përmes votës së tyre të lirë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre politikë, që me mençuri t’i menaxhojnë dhe t’i zgjedhin problemet e popullit, kurse këtu në Ballkan, konkretisht në Maqedoni, praktika po dëshmon se ne zgjedhim udhëheqës për të krijuar probleme dhe huti në popull.

Jam shumë i vetëdijshëm se në politikë nuk flitet për kodin moral dhe vlerat e tij, por kjo nuk i jep të drejtë askujt që të mos i përmbahet edhe kodit juridik dhe marrëveshjeve mes veti, sepse këto në kodin juridik konsiderohen shkelje ligjore me përgjegjësi, kurse në kodin njerëzorë konsiderohet tradhti. Viktimë e tradhtisë në Maqedoni si zakonisht jemi ne shqiptarët, pavarësisht se tradhtia na bëhet në rrafshin kombëtar apo atë fetar, pse jo edhe në atë ekonomik. Në kurthin e këtyre mashtrimeve po biem tani më disa herë me radhë dhe assesi të mbushemi me mend, mbase as që kërkuam ndonjëherë që dikush të jepë përgjegjësi për këtë veprim të shëmtuar. Përgjegjësia para se të vlerësohet si akt juridik, ajo së pari është akt moral dhe ky është elementi që e ngritë njeriun nga të tjerët, duke ia veshur kështu petkun që e dallon prej lëkurës së kafshëve .

Sidoqoftë të nderuar, dua t’ju tregoj diçka. Një mini-pol(e)itikan mega-patriot që kishte kryer nja tetë pasdreke shkollë titiste, që librezën e kuqe akoma e ruan për nostalgji në dollapin e tij, ma tërheq vërejtjen duke më thënë: Ti merru me punët tuaja, sepse nuk merr vesh në politikë! Në rregull. Ka të drejtë njeriu, andaj meqë s’po marr vesh në poli(e)tikë, po u tregoj disa muhabete alla-katundarçe. Një ditë duke llafosur me një plak të urtë të fshatit tim që njihej dhe shquhej për urtësi, ashtu si rastësisht u soll muhabeti, e më tha: Biro, të mençurit kanë thënë: “Nëse më mashtron një herë, turp të qoftë, nëse më mashtron për të dytën herë, të lumtë dhe nëse më mashtron për herën e tretë atëherë, turp më qoftë”?

Të them të drejtën fillimisht, jo që nuk ia vura veshin aq shumë kësaj fjale, por vetë me vete thash, fjalë popullore e mbështetur në Kanun që ne shqiptarët gjithnjë ia kemi parë sherrin. Plaku i urtë si duket e kuptoi qëndrimin tim dhe më tha: “Mirë birë, je i ri, por mbaje mend se ndoshta të duhet najë herë”! Mirë, mirë thash vetë me vete, nuk ia vlen të debatoj me këtë plak të moshuar e të pa arsimuar, andaj nuk ia prisha qejfin, sepse ne tani ndihemi më të shkolluar dhe më të privilegjuar, apo siç po thonë sot, më të civilizuar, madje edhe pak të sofistifikuar.

Plaku i urtë sikur ma lexoi trurin dhe sërish më tha: Or birë, po e shoh se nuk po ta kap rradakja, ama mixha ta tregon edhe një hiqaje (tregim). “Një grua vejushë kishte me veti edhe një djalë. Pas një kohe ishte martuar me një burrë që edhe ai kishte dy djem nga gruaja tjetër. Kjo shtëpi u bë e përzier biri im, andaj për të dominuar qetësia duhet mençuria, sepse gruaja si shtyllë e shtëpisë ishte edhe nënë edhe njerkë. Ajo edukonte tre fëmijë, dy të burrit të saj dhe një të vetin. Njerka asnjëherë nuk bëhet nënë, por me sjelljet e mira mund ta luaj rolin e saj, mbase së paku duhet të ketë sjellje “nënërie” dhe të mos jetë arrogante. Sidoqoftë, në mëngjes për të ngrënë ushqim

fëmijët, nëna-njerka kishte zier vetëm dy vezë, kurse kishte tre fëmijë. T’ia japë djalit të saj një vezë, kurse dy djemve të burrit t’u japë një vezë dhe ta ndajnë për gjysmë! Jo, jo se padrejtësia herët a vonë do të dilte në shesh. T’u japë dy djemve të burrit nga një vezë dhe djali i saj të ngelë pa asnjë. Mbase edhe kjo nuk mbante!

Çfarë bëni gruaja e mençur? Dy djemve të burrit u dha nga një vezë, që ata të mos mendojnë se njerka u bëri padrejtësi. Pastaj, pasi u dha atyre nga një vezë, u tha: Tash, djemtë e mi, ndani vëllait tuaj nga një gjysmë. Po pra, ata i dhanë vëllait të tyre nga një gjysmë, andaj djali i gruas e hëngri një vezë, kurse dy djemtë e burrit nga gjysmë. “Edhe delet në numër, edhe ujku i ngopur” do thoshte populli. E kështu birë është politika e jonë, – përfundojë plaku”!

Sidoqoftë u ndamë me plakun, por unë vazhdova të mendoj çka më tha plaku i urtë. Mu desh të kaloj një kohë që të kuptojë fjalët e plakut. Momenti kur unë gjeta kodin e kuptimit të fjalëve të plakut ishte kur unë në mbrëmje po dëgjoja lajmet. Kjo paska qenë politika e drejtë e ndarjes së kulaçit. E vërtetë, kështu po ndodhë me ne shqiptarët dhe myslimanët në Maqedoni, që kurrsesi nuk po dimë si t’ia vëmë emrin. Shqiptarët – myslimanët janë të barabartë me fqinjët tjerë, madje edhe më shumë gëzojnë prioritet në detyrimet ndaj shtetit, si bie fjala, në pagesat e tatimeve, gjobave, dhe shumë obligimeve tjera dhe për të drejtat, nuk ia vlen që ne shqiptarët të kemi epërsi edhe në obligime edhe në të drejta. Andaj i kemi ndarë në mënyrë të barabartë, ne kemi epërsi në detyrime, ata në të drejta! Ndoshta puqemi diku në peshorën e paqenë të drejtësisë. Po pra, ky është parimi i “drejtësisë”, atje ku ndahen fondet e shtetit, aty edhe bëhet ndarja e shapit prej sheqerit, ku në pështjellimet e kësaj kohe të mjegullt, akoma nuk kemi arritur ta përcaktojmë vetën në jemi shap apo sheqer. Ne do të shfrytëzojmë buxhetin e shtetit për investime nëpër shumë sfera, kurse ju shqiptarët dhe myslimanët do të keni të drejtë të shfrytëzoni të ardhurat nga IPA fondi. Njëherë le të ngelë kështu e pastaj, sërish nëse neve nuk na dalin lekët, do bëjmë revizion fondit dhe IPA Fondin ta ndajmë në proporcion me statistikat!! Kështu është “drejtësia”! Sepse përderisa në Shkup, fjala bie, njerëzit fluturojnë në ajër përmes teleferikut, për të shkuar në Vodno për të pirë një kafe dhe për të bërë aheng, ne të shkretët akoma po shkojmë në shkollë apo xhami nëpër baltë dhe errësirë sepse komuna që moti na i ka fikur dritat. Kur tanët që ne i kemi zgjedhur me kokrrat tona, na i fikin dritat, atëherë nuk vlen t’i thuhet tjetrit: Turp të qoftë, por duhet thënë: “Turp na qoftë”! Po e përfundoj me një pyetje qesharake: A ka turpi fund???

U ngrita menjëherë i nevrikosur dhe i shqetësuar, shtypa sustën e kuqe të dikitronit të televizorit dhe thash me zë jo aq të lartë: Zoti të mëshiroftë or Mixhë, vërtetë i mençur paske qenë?

Shkruan: Jusuf ZIMERI

Lini një Përgjigje