Sulltani pa harem

5Dhj - 0 - Kategoria: Opinione

Duke shfletuar një libër nga sociologu i mirënjohur Joze Goriçar hasa në një thënie të tij, thënie sikur mu duk se ai kishte thënë enkas për frymëmarrjen time, frymëmarrje e cila kur shoqërohet me frymëmarrjen tënde dhe ytja me të tjetrit e kështu me radhë, rezulton me fjalën fuqi apo në gjuhën e vjetër me fjalën “popull”. Dukuritë shoqërore nuk shprehin dëshirën e individit, kështu që secili ndjenë presion të elementit sociologjik.

Duke kaluar rrugës pash një fëmijë i cili qante dhe nuk donte t’ia jepte dorën e vogël e të pastër një plakut. Iu afrova për të qetësuar fëmijën, plaku me një zë të lartë më tha: largohu nga nipi im. Unë desha të largohem por kësaj radhe këmbët më nuk më dëgjuan! Fillova ta ledhatoja fëmijën, më pas ai disi u qetësua, pasi u qetësua, e dëgjova atë fëmijë duke i thënë plakut, gjysh të lutem më dërgo në kopshtin e kafshëve dhe plaku u bë sikur nuk e dëgjoi dëshirën e atij fëmije. Plaku me një mjekër të bardhë e me plis të pastër mbi kokë, lëshoi dy pika loti duke pëshpëritur, oh mor biri im edhe unë dua të shkoj por, … ku të marr? Fëmija iu përgjigj duke i rënë lotët mbi fjalët lutëse, unë e di se aq ke, gjysh të premtoj se asgjë nuk do të blej për të lozur e as për të ngrënë, vetëm më dërgo të lutem. Me kësi lloj fjalësh melankolike i përgjërohej fëmija gjyshit. Gjyshi plak lëkundi kokën dukë pohuar.

Pas një kohe arritën në vendin e duhur, fëmija duke shikuar kërcente si dhe nuk ndalej së pyeturi gjyshin. Gjyshi kur pa nipin se si ecte, ia tërhoqi vërejtjen, por fëmija ia ktheu, gjysh në fshatin tim unë jam mësuar duke ecur të kam kujdes në gropat e rrugës, unë po shoh se këtu nuk ka gropa, po shoh se është rrafsh gjithçka, por ç’të bëjë e kam marrë shprehi të eci kështu si kangur. Pyetja e parë që do të krijonte rrëshirën e pyetje tjera, ishte: gjysh më trego pse në fshatin tonë kudo shoh ujë rrugëve, ndërsa këtu, … më fal gjysh si quhet ky ujë? Plaku iu përgjigj duke i thënë se ky lum buron në Vrutok. Po mirë gjysh, vallë Vrutoku është i njëjtë sikur penda jonë?! Gjyshi i tha jo. Fëmija lëkundi kokën duke vazhduar së menduari, po mirë gjysh, ata të cilët janë në atë Vrutokun, e shfrytëzojnë këtë begati ujore? Gjyshi sikur filloi të mërzitet nga pyetjet e njëpasnjëshme të fëmijës! Mjaft më, më lodhe, pse pyet ashtu. O gjyshi im i dashur, edhe nëpër fshatin tim kalon uji i pendës së Likovës, por unë vetëm mund ta shoh atë, as nuk mund të lahem, madje as që mund ta pijë. Gjysh unë e kisha dëgjuar njëherë një moshatar timin duke thënë “ova e voda”, ndërkaq ai e pinte ujë. Mirë gjysh, nuk do të pyes më.

Pas pak fëmija rifilloi, gjysh o gjysh, më thuaj pse ky njeriu qëndron mbi kalë, mos vallë dëshiron të ndeshet me neve përmes shpatës? Gjyshi iu përgjigj duke i thënë, o nipi im, nuk e sheh se ai njeriu nuk është i gjallë? Fëmija e mbajti fjalën se nuk do të kërkonte asgjë për të pirë e ngrënë, edhe pse refleksi i ngrënies ishte i aktivizuar tejmase, prapë nuk kërkoi gjë, edhe pse aty e mbante mendjen.

Pas një shëtitjeje të shkurtër, fëmija aty jo afër pa një kryq mbi kodër. Ai kryq që sikur tregonte varrin e madh të këtij shteti, fëmijën e shtyri të fillojë prapë me rrëshirën e pyetjeve, që edhe njohësin më të mirë të këtyre rrjedhave, mund ta zinin ngushtë. Kështu që gjyshit iu drejtua duke i thënë: gjysh çka është ajo atje, është lopë apo çka? Fëmija ishte mësuar në fshatin e tij sipër kodre të shohë lopë, ndaj figurën që e shihte si nëpër mjegulla e ndërlidhi me atë që iu kishte bërë përditshmëri pamjeje. Fëmija aty pranë i vështronte disa fëmijë duke lozur, iu afrua për të prekur lodrat e tyre, por nuk mundi t’i prekë dot, ngase nuk dinte si t’i kërkonte leje për një prekje të tillë. Fëmija më vonë e pyeti plakun duke i thënë: gjysh këtu kur errësohet? Plaku ia ktheu: po mirë ore nipi im i dashur, nuk e sheh dot se mbrëmje është. Pasi një pushimi të shkurtër, vazhdoi me pyetjen e tij të radhës: më thuaj, këto kuaj dhe këto luana ku marrin kashtë për të ngrënë? Gjyshi nuk foli fare, vetëm buzëqeshi. Gjysh vetëm edhe një pyetje të lutem. Ky personi që i ka paguar këto kafshë, pse nuk më ka blerë mua një laps? Fëmija pushoi së foluri një kohë. Ashtu i mallëngjyer, iu drejtua gjyshit me kërkesën që të shkojmë në atë fshatin e tyre, meqë edhe ky fshat, përpos madhësisë, qenka i njëjtë me fshatit im. Jo, nipi im i dashur, ai nuk është fshat, ai është shehër me që mbushet pre neve, për të na treguar pastaj praktikisht bukuritë e objekteve që i kemi financuar ne pa dijen tonë. Ndoshta kanë dashur të na befasojnë, për të na kënaqur kështu sa më mirë. Ku di qumështari se ku i shkon qumështi dhe në çfarë produkte trajtësohet. Për dallim prej neve, atij i paguhet çdo litër e shitur!

Qerim ISUFI

Lini një Përgjigje