Sot Llojani po ndryshon…!

9Nën - 0 - Kategoria: Llojani Mbi Llojanin

Llojani po ndryshon prej vetë llojanasve
Dikur nëpër dasma, vajzat e reja për ti qëndruar besnik rimave të këngëve që këndoheshin në dasma, këndonin kështu: “rrugët e Llojanit krejt gropa-gropa…” Tani na vjen keq që këngën duhet ta ndryshojnë, ngase do të shihen praktikisht se nuk i këndojnë panoramës së vërtetë, sepse Llojani dukshëm po ndryshon, jo prej shtetit as prej komunës, por prej vetë bijve të këtij fshati, të cilët prej kohësh mërguan, që prej atje, edhe pse djersa e tyre e përzier me mallëngjim, nuk përtuan në asnjë çast ta ndihmojnë vëllain e gjakut këtu në vendlindje të cilët të privuar prej të mirave që sillte shteti, ishin ballafaquar me nje varfëri të skajshme.
Para dy muajve këta banorë, me ndihmën edhe të komunës, shtruan rrugën me pllaka të betonit, rrugë që përshkohej rreth 500 metrave gjatësi. Pasi përfundoi shtrimi i asaj rruge, kuptohet që në veti ajo rrugë ngërtheu kënaqësitë dhe pakënaqësitë, që natyrshëm përkojnë me çdo përmbyllje të ndonjë projekti të caktuar, disa banorë të këtij fshati, menduan që rrugën ta zgjasin teposhtë, përndryshe nuk kishte edhe kuptim gëzimi i pjesërishëm, pas së cilës sërisht buzëqeshte balta nëpër rrugën e shtruar.
Paraqitja si ide fillestare e Ragmi Aliji-t dhe e Rahim Bekteshi-t për një vazhdim të rrugës, mbase me cilësi edhe më të lavdëruar se pjesa e parë, fillimisht krijoi huti ndër banorët e pjesës së poshtme të Llojanit. Ata kishin paraparë që vetëm mërgimtarët ta financojnë shtrimin e kësaj rruge. Pati prej atyre që nuk ishin të kënaqur gjithaq me këtë propozim, por me një sfilitje shumë të dinjitetshme edhe kjo digë u shporrë, ngase rëndësia dhe cilësia e kësaj rrugë hoqi qafe çdo lloj pakënaqësie.
Ndërmarrja që e mori përsipër fillimin dhe përmbarimin e kësaj rruge është, Cyti Beton, një ndërmarrje shumë serioze, e dëshmuar për punë me cilësi të lartë, mbase ndërmarrje që bartë edhe përvoja ndërkombëtare për prodhimtari dhe ndërtimtari. Këtij karvani të organizatorëve iu bashkangjitën edhe Jahi Isufi, Zaim Duraku, Rahim Mustafa, Shpetim Iljazi, Halil Zeqiri dhe disa të tjerë të cilët ndihmuan dhe po ndihmojnë në forma të ndryshme. Rruga që fillon prej aty ku e mbaruan po këta banorë, pritet të përfundojë aty edhe ku do të përfundon rruga që zakonshëm përdoret për të lëvizur me vetura.

Lini një Përgjigje