Shushunjat e ligjësuara!

5Jan - 0 - Kategoria: Opinione
Shkroi Prof. Jusuf Zimeri

Një ditë, me një mik timin, për t’i dhënë kështu bisedës mundësi përvijimi, u ulem për të pirë kafe, apo thënë thjeshtë për të qarë e për t’i bërë qull disa halle, të cilat nuk ishin vetëm disa. Në sytë e tij vëreheshin shenjat e dëshpërimit, madje ato sy ishin mbushur edhe me gjak. Unë parimisht e dija se gjendja e tij ekonomike është e pa lakmueshme dhe se në familjen është sprovuar me një të sëmurë të ri. Sidoqoftë, tentova t’ia tërhiqja vëmendjen për disa çaste nga hallet e jetës, duke i thënë, mos ke gajle se do bëhet mirë, ngase mos harro se pas valës së vështirësive vijnë rrebeshet e mira.

Më shikoi shumë vrazhdët dhe më tha,- a edhe ti sikur ata a? Sikur kush, – i thashë unë, duke më shoqëruar njëkohësisht një hije e habisë. Ja sikur këta zullumqarët, hajdutët, matrapazët, që na e kanë shkelur me çizmet e hitlerit, e s’po na lanë me marrë frymë. Këta të politikës de, që na i kanë vërë zinxhirët në qafë, e na kanë robëruar, e po na ngrehin zvarrë sikur dikur “maxhupët” që i tërhiqnin arushat! Madje, madje na i kanë vërë edhe kroshnet në gojë e s’po guxojmë as të flasim, sikur dikur bujqit që ia vendonin kroshnet qeve kur lëronin tokën! Ndalu ore mik ndalu, – i thash, mos nxito, ngaqë e ke gabim. Për Zotin më tha, me një ndryshim të zërit, edhe ti mos ma turbullo mendjen, se jam duke u çmendur nga hidhërimi!

Për ta qetësuar, i thash, – ndalu mik, kur të hidhërohesh thuaj: O Zoti im më ndihmo të mbrohem nga djalli, sepse hidhërimi është nga djalli, pastaj merr abdes dhe padyshim që do të qetësohesh. Po ore po më tha ai, këtë e di, dhe e praktikoj, prej shejtanit exhin mbrohesh lehtë, por tregom ti, si të mbrohem prej shejtanëve njerëz? Si të mbrohem prej këtyre politikanëve patriotë, që në emër të patriotizmit, në emër të lirisë, në emër të kombit, në emër të vlerave, në emër të fesë, po i mbushin xhepat e tyre dhe po i robërojnë të lirët. O vallahi na kanë bërë rob, madje na kanë robëruar, këta nuk kanë iman, nuk kanë njerëzi, këta si takojnë njerëzve, sikur e humbi kontrollin miku im në një moment duke e ngritur zërin, saqë zëri i tij ia tërhoqi vërejtjen të gjithëve që ishin në atë hapësirë ku rravgoheshin edhe biseda të tjera. Qetësohu, qetësohu, i them unë, të lutem më thuaj, çfarë është problemi juaj, ndoshta mund t’ju ndihmojë.

Të më ndihmosh? Ti të më ndihmosh, – më tha duke më sakatuar me shikimin e tij shpues. Ti je anëtarë, apo aktivist i ndonjë partie politike? Je anëtar i atij rrethit ku ndahet kolaçi? A je anëtarë i hallkës së gjakpirësve shqiptar?! Jo, jo i thash! E pra si do të më ndihmosh? Ta them të vërtetën ngela pa fjalë, edhe pse në uzinën time gëlonin fjalët.

Sidoqoftë ma thuaj hallin bre mik, ndoshta ka ndonjë shpirtmirë? He, he, he, – buzëqeshi me ironi. Shpirtmirë, sa bukur po tingëllon! Pastaj vazhdoi, – shpirtmirë dhe politikan, jo, jo nuk e besoj, se mund të më marrin si të çmendur.

Ja çka është halli im or mik ma ktheu. Vëllai im konkuroi për një vend pune. I plotësonte të gjitha kushtet e pranimit që kërkoheshin në konkurs, por halli. Hmm! Halli është se ky një gjakëpirës edhe pse mirë e dinte se si e kam hallin në familje, për ta pranuar vëllain tim në punë e kushtëzoi duke i thënë, – po do të pranojmë në punë, por me kusht që së paku një vit e ndoshta edhe dy vite të gjitha rrogat e pranuara pa bëzajtur fare t’i zbrazësh në llogarinë time financiare (në konto)!!! A nuk është kjo robëri mor vëllai im? Po, po i tash robëri është!

Të them të drejtën ky rast më preku tej mase dhe më brengosi aq shumë, saqë edhe më tutje spo mund të lirohem. Ndoshta pasi këtë hall t’ia tregoj tërë botës do të lirohem pak, sepse besoj se ka shpirtmirë që dhembjen do ta ndajnë me njerëzit e tillë.

A thua vallë, këta burrat e mëdhenj që po na e rrahin gjokset se na e kanë sjellë lirinë, i dinë këto skandale antinjerëzore që i bëjnë njerëzit e tyre, i dinë këto marrëzira apo edhe atë mund të jenë bashkëpjesëmarrës i kësaj anije, detari i së cilës po i hedh udhëtarët mu në mes të oqeanit. Nëse nuk i dinë, atëherë turp është për ta, si guxojnë mos ti dinë dhe nëse i dinë por nuk reagojnë turpi është edhe më i madh, sepse janë bashkëpunëtorë me ta, ose janë nënshkruesit e licencave që këta njerëz të punojnë këso punë të ndytash.

Lini një Përgjigje