Shkatërrimi i mirëqenies së përgjithshme përmes pasurimit vetjak

19Kor - 0 - Kategoria: Opinione
Shkruan: Iljasa SALIHU

Faktorët e prodhimit në ekonomi janë: toka, puna, kapitali dhe aftësia sipërmarrëse. Parimisht çdo shtet i ka këto faktor. Në formë të rregullt, çdo shtet duhet të jetë i pasur. Ndërsa në të vërtetë nuk është çdo shtet i pasur, jo që kemi më pak të pasur, ngase kjo do të ishte në rrethin normal, por kemi shtete shumë të varfra, përkundër se kanë tokë, njerëz që punojnë, kapital përmes të cilit do të prodhonin edhe më tej, si dhe është e palogjikshme të mos kemi të atillë që kanë guxim dhe aftësi të themelojnë dhe jetësojnë projekte kapitale. Mirëpo, sërish shohim dhe dëgjojmë për popull a shoqëri të varfër, të cilët rënkojnë për bukë, kurse të mos flasim për gjëra të luksit.

Përse kështu? Përse ky anakronizëm social dhe ekonomik? Ku është politika që natyrshëm shërben si një mekanizëm për arritjen e mirëqenies së përgjithshme, përmes së cilës çdo njëri do ta merrte të drejtën që i takon, apo pikërisht anijën politike e fundosën politikanët, të cilët në disa fise të varfra për mend, kishin vjedhur një sasi të konsiderueshme të arit, duke e ngarkuar kështu së tepërmi anijën, ajo ishte fundosur në det, por ja që fatkeqësisht shumica e politikanëve kishin shpëtuar, për të vazhduar kështu me pandalshmërinë e fundosjeve? Sigurisht se ka shumë faktor që i zbehën faktorët e prodhimit dhe të mirëqenies, por si një ndër më kryesori në këtë kohë do ta vendosja korrupsionin që është sinonim i amullisë juridike të një shteti.

Përmes shpirtit dhe mendësisë së korruptuar, njëri prej të ndytëve futet në garën zgjedhore, kuptohet duke e korruptuar atë që pushon nën hije, por që prej kohësh vazhdon të paraqitet si diell për një tufë njerëzisht, të cilëve ia ka ëndja të ecin përpara përmes rrugës jo të ligjshme. Fillon fushatën zgjedhore me mjete financiare të ndonjë ndërmarrje tregtare apo prodhuese, që nesër kjo ndërmarrje të lihet e lirë, të mos paguajë asnjë detyrim ndaj shtetit, si dhe punëtorët të mund t’i trajtojë si të jenë kafshë, në mos edhe më keq. Zgjedhet drejtues shteti përmes formave të korrupsionit. Tashmë korrupsioni është mishëruar me të. Zgjyrën në jakën e bardhë e shesh si ngjyrë të zezë, edhe pse ajo në të vërtetë është pllangë llumi e balte. Vetëm ndonjë kundërshtarë në politikë do të arrestohet për vepra penale të korrupsionit, teksa në anën tjetër korrupsini hedh krye gjithandej.

Toka nuk punohet, sepse shteti përmes politikave bujqësore, do t’i epërsojë vetëm ata që i japin ryshfet drejtuesve të këtyre politikave. Të tjerët e mallkojnë shtetin në heshtje, sepse shpenzimet për kultivimin e produketeve bujqësore i tejkalojnë të ardhuart që merren prej atij kultivimi. Subvencione nuk kanë mundësi të marrin, ngase nuk kanë ndonjë të afërm në qeveri a në ministri, mbase kishin menduar të mos e korruptojnë asnjë zyrtar, pra të punojnë me ndershmëri, edhe pse çmimi i ndershmërisë

doli të jetë shumë i shtrenjtë, aq i shtrenjtë sa falimentimi qëndrontë në zgrip të veprimtarive të tyre ekonomike.

Në kësi lloj mjedisesh të korruptuara, puna gjendet në gjumë. Nuk ka llogari për të punuar, ani pse kanë llogari t’i llogarisin pallogaritë. Në pamundësi të prodhimit duke punuar, njerëzit do të jenë të prirë t’i vërsulen fitimeve përmes lojërave të fatit. Do ta kërkojnë fatin në fatkeqësi, kështu disi i thonë kësaj pune.

Kapitali është i mbërthyer prej ndryshkut. Ai nuk i nënshtrohet lëvizjes, kurse ligji i moslëvizjes krijon ndryshkun. Ai që duhet ta lëvizte kapitalin, duke qenë i dëshpëruar prej udhëheqësve të korruptuar, një kohë të gjatë e kalonte brenda mureve të bastores. Priste se mos do t’i buzëqeshte fati, edhe pse vetë godina e asaj bastoreje kishte marrë një formë pikëllimi. Në anën tjetër, nuk të lënë shantazhuesit t’i hapësh sytë. Nuk ke kujt t’i ankohesh, janë të fortë me partinë në pushtet.

Aftësia sipërmarrëse është trajtësuar në mangësi. Ujqërit aq të fortë janë, sa që çdo përballje me ta do të jetë një vulosje përfundimtare e dështimit në çdo hap. Ujqërit janë të fortë, sepse një grup i caktuar ata i kishte ushqyer për çdo ditë me nga një qengj, përndryshe grupi në fjalë edhe pak ato të mira që i kishte shumë shpejt do t’i humbiste.

Kësodore, ekonomia natyrshëm i ka faktorët e saj të prodhimit, të mirëqenies dhe të zhvillimit, por ajo ka një armik shumë të fortë, tejet kryeneç; atë që të pasuron duke të ndotur, atë që të bën ligjërues fakulteti duke qenë injorant i dëshmuar, ministër me kusht që të kesh një të kaluar të zymtë morale, të bën që të tjerët t’i lësh shumë mbrapa dhe ti të ecësh shumë përpara, por me kusht që shteti të ngelet tejet i prapambetur. Ngjashëm sikurse mikrobët siç trashen në mjedise të ndotura, ashtu edhe ky lloj i njerëzve të caktuar kënaqen në kësi lloj mjedisesh. Me pak fjalë, këta janë më të padobishëm se plehu. Përmes plehërimit të tokës, ajo do të bëhet më pjellore, kurse lloji i këtyre njerëzve, tokat do t’i plaçkisin dhe do t’ia shesin me pak para përtacëve, të cilët më pastaj do të bëjnë tregti me tokë, por nuk do të prodhojnë të mira përmes vetë punimit të atyre tokave. Ata mund të jenë të tejngopur, por ata janë mikrobë, sepse lejuan që përmes korrupsionit të pasurohet tepër, duke e varfëruar kështu shoqërinë dhe shtetin goxha shumë.

Teksa i vargova këto fjalë, në fund nënvetëdijshëm pyeta veten, vallë do të kisha mundur të frymëzohesha nëse do të jetoja në ndonjë vend shumë pak të korruptuar dhe me mirëqenie të lartë ekonomike, politike dhe juridike?

Lini një Përgjigje