Roli i mashkullit në shoqëri universal dhe ai i femrës specifik!

14Maj - 0 - Kategoria: Opinione
Shkruan: Iljasa SALIHU

Debati mugullon vetëm atëherë kur paraqiten dy apo më shumë mendime të kundërta, duke ofruar kështu secili argumente në mbështetje dhe forcim të mendimit dhe ideve të tyre. Mendimet e kundërta nuk duhet të krijohet vetëm sa për ta bërë një debat, por debati duhet të bëhet si rrjedhojë e pranisë së hendekut në mendime, përndryshe do të vihet në spikamë ngritja dhe bërja e debatit me çdo kusht dhe ndikimi i atij debati do të ishte vetëm një përgatitje për aftësim për të bërë debat dhe jo ndikim e shtrirje të ideve përmes debatit.

Këto ditë, gjegjësisht të shtunën pata rastin ta ndjek një debat ndërmjet nxënësve të shkollave të mesme, organizim ky që prihej prej Qendrës Racio në bashkëpunim me Forumin Rinor Islam. Isha kureshtar për ndjekjen e këtij debati. Më shumë se objekti i temës, më interesonte subjekti paraqitës i nxënësve!

Programi filloi! Pjesëmarrësit në debat ishin ndarë në dy grupe. Grupi parë quhej grupi afirmativ (pohues të asaj se femra ka rol specifik në shoqëri dhe se mashkulli ka rol universal) dhe grupi dytë quhej grupi negativ (mohues, pra të kundërtën që e pandehte grupi parë). Filluan paraqitjet një nga një. Secili jepte argumente në epërsi të tezës së grupit. Teksa ata flisnin me emfazë e me tërë afsh, unë njëkohesisht kujtoja kohën e brezit tim, brezë ky që duhej ta mësonte historinë e këtij populli të përvuajtur duke i kundruar me pikëllim drejtpërdrejtë ngjarjet e llahtarshme në vendin tonë. Diku-diku vërehej mangësia e të mësuarit përmendsh, edhe pse kjo nëpër debate nuk është e pëlqyer, ngase një “përse” prej anës së kundërshtarit lëmsh e dhalltë ta bën konceptin. Flisnin rrjedhshëm me një shqipe mirë të renditur e bukur të shqipëruar. Edhe pse ishim aty për dëgjim të debatit, nuk arritëm të shohim gjithaq përplasje të ideve, por mjaftonte përsiatja për një përplasje të tillë.

Grupi parë pohonte se roli i mashkullit në shoqëri është universal, gabimisht duke pandehur se kjo e epërson mashkullin. Grupi dytë mohonte se roli i mashkullit në shoqëri është universal, duke pohuar mohimin e tyre me argumentin e nënçmimit të femrës poqë se do t’i jepej roli specifik në shoqëri.

Femra dhe mashkulli, ose mashkulli dhe femra janë dy botëra të mangëta, të cilët së bashku e përbëjnë një botë të vetme e të shëndetshme. Secili në fushën e vetë është luan ose luaneshë dhe vetëm në fushën e tjetrit ndonjëri mund të bëhen dhelpër, edhe pse nuk përjashtohen mundësia e të ekzistuarit së ndonjë fushe të përbashkët, siç janë, fjala bie, çështjet arsimore! Nëse një romancier paska shkruar romane duke qenë i frymëzuar prej femrave, nuk do të thotë kjo se femra duhet epërsuar, ngase paska vënë në shërbim të sajën lapsin e mashkullit. Madje as Agata Kristi kur shkruan romane, duke i paraqitur meshkujt si vrasës me motive edhe të ndonjë femreje, nuk epërsonte personazhet e romanit, mbase

as nuk e nënçmon autoren e romaneve. Femra për mashkullin është plotësuese dhe aspak zëvendësuese, njashtu edhe mashkulli për femrën është i tillë, ndaj si paska mundësi që njërit t’i themi vetëm universal dhe tjetrës vetëm specifike?

Kësisoj, dukuritë shoqërore natyrshëm ngërthehen prej rrjedhave gjithëpërfshirëse (universale) dhe prej rrjedhave të veçanta (specifike). Të jesh i veçantë në mesin e këtij deti universal, do të thotë të kesh karakteristika dhe cilësi të ndryshme prej atyre që syprinën e detit e shohin, por nuk çajnë kokën se përse nuk mund të shohin edhe nën sipërfaqen e detit, qoftë ajo vetëm një pjesë e vogël. Ai që sheh nën syprinën e detit, ai mund të shquhen si i veçantë prej atyre që krenohen me kundrimin (vëzhgimin) e tërë sipërfaqes së detit.

Megjithëkëtë, edhe ai që shquhet për këtë mprehtësi pamjeje, patjetër që duhet të ketë karakteristika edhe të të kundruarit universalisht. Për t’u zhytur në ujëra të thella, fillimisht duhet t’ia japësh një sy edhe vendit a syprinës brenda së cilës mendon të zhytesh. Kështu që, mund të themi se universalja është pararendëse e specifikës dhe specifikja dëshmi e shoshitjes që është bërë në sitën e universales.

Roli i mashkullit në shoqëri si universal, në shikim të parë të jep të kuptosh se këtu i bëhet padrejtësi fillimisht mashkullit, ngase privohet nga të qenit edhe specifik. Njashtu roli i femrës në shoqëri si specifik, në shikim të parë të jep të kuptosh se epërson femrën kundrejt rolit të mashkullit, ngase femrës i jep cilësi specifike, duke nënkuptuar me këtë argument se ajo zotëron mbarësisht edhe universalen, sepse të jesh specifik për një gjë të caktuar, do të thotë se përgjatë atij gjarpërimi, ndoshta edhe pa dijenin tuaj, ke kaluar nëpër malin e mbushur me laramani gjallesash e krijesash (ky mal mund të njihet si mal universal, se me qenë mal specifikë, ai duhet të karakterizohet, fjala bie, vetëm për posedim të pishave të lartë, kështu e rrjepur prej shkurreve e ferrave të ndryshme).

Të kesh rol universal në shoqëri, do të thotë të jesh gjithëpërfshirës për nga njohuria dhe për nga qasja në veprimtari të ndryshme. Të jesh universal në shoqëri, duke të emëruar vetëm kështu, do të thotë të vuash për një qasje specifike, të flasësh për gjithçka, duke mos piketuar asgjë konkrete. Për shembull, në luftë të jesh këmbësor, snajperist, tenkist, pilot, kuzhinier, ushtar, major e gjeneral dhe në fund edhe vetë mund të hutohesh rreth rolit tuaj në atë luftë, madje të zitë e ullirit mund t’i heq edhe udhëpërshkruesi juaj pas mbarimit të asaj beteje.

Të kesh rol specifik në shoqëri, nënkuptohet se ke kaluar me sukses universalen, ngase prej universales rrjedhë specifikja dhe jo prej specifikes universalja! Të gjithë nxënësit klasën e parë e fillojnë njëjtë, edhe pse nesër nga e njëjta bankë mund të dalin profesionistë me dallime të skajshme. Fjala bie, unë me shokun tim deri në klasën e tetë kemi qenë në të njëjtën bankë, matematikën e lëndët tjera afërsisht i kemi mësuar e zotëruar njëjtë dhe sot, ai është mjek dhe unë ekonomist, pra përmes njohurive universale dhe nga gryka e arsimimit,

kemi kaluar në njohuritë dhe zotërimet specifike, edhe pse nuk mund të thuash se nuk marrim fare erë edhe prej çështjeve gjithëpërfshirëse (universale).

Natyrshmëria e gjinive sikur të jetë një sitë e pagabueshme ka bërë edhe ndarjen e tyre për sa i përket zotërimit të punëve a njohurive në këtë botë shumëngjyrëshe, e cila është e mbërthyer prej universales dhe prej specifikes. Për nga natyra mashkulli është i prirë t’i rreket punëve të ndryshme që i përkasin shumëllojshmërisë. Mashkulli mund të shkojë në luftë, mbase edhe t’ia del mban rreziqeve më të ashpëra me të cilat karakterizohet lufta. Po e deshi nevoja mund t’ia del mban edhe rolit të dados, edhe pse me shumë vështirësi do t’ia dilte kësaj pune. Ndërkaq, të pakta janë ato femra që mund të shëmbëllejnë në luftë, mund të bëhen automekanike të rryera, edhe pse mashkulli sot botërisht vlerësohet si kuzhinieri më i rryer kundrejt femrave, edhe atë, duke e ditur ne se gatimi i përket vetëm nënave, mbresë kjo e krijuar në saje të vëzhgimit të nënave tona, të cilat, ndoshta me padëshirën e tyre e pranuan rolin e amviseve në shtëpi, duke qenë universale në kryerjen e punëve të shtëpisë dhe specifike në brumosjen me njerëzi të fëmijve.

Nëse shkencërisht pranohet argumenti se familja është bërthama e shoqërisë dhe rrjedhat e mira ose të këqija në shoqëri janë në varësi të gatimit familjarë, atëherë del se femra ose nëna ka një rol specifik në shoqëri, porse në këtë rast roli i saj është i tërthortë, pra duke e përgatitur produktin në punishte, si dhe duke mos pasur pastaj mundësi t’i ndjek rrjedhat e tregut për produktin në fjalë. Gjithsesi, konsumatorit i intereson prejardhja e produktit dhe jo gjithaq vendi ku shitet e tregtohet ai produkt. Kësisoj, në këtë rast roli i femrës është specifik, ngase gatuan kolosë që mund të merren edhe me gjëra gjithëpërfshirëse.

Mashkulli i cili del prej kësaj dore vetëm në prirje dhe gatishmëri (mundësi) mund të mëtohet si universal, përndryshe edhe ai mund të përcaktohet për një fushë të veçantë, të cilën do ta kryejë me përkushtim të lartë, mbase duhet ditur se përkushtimi i lartë dhe i thellë përkon vetëm me të veçantën!

Lini një Përgjigje