Robin Hud!

18Mar - 0 - Kategoria: Opinione
Shkruan: Qerim ISUFI

Në pritje të një dite. Në pritje të shiut që do t’i ujiste shpresat e venituara që moti. Në pritje të rrezeve të diellit, rreze këto që do ta kundërshtonin errësirën. Jemi lodhur me rrezatimin e errët të atyre që parapalqejnë një tranzicion të tejzgjatur. Jam në kërkim të një kënge, këngë kjo e cila nuk ishte kënduar nga ndonjë këngëtar, por nga një shpend i cili ia thonte këngës pa instrumente e pa para, madje edhe të pranishmit nuk i interesonin. Por të them të drejtën përderisa dëgjoja atë tekst asokohe, gati u binda se nëse ai shpend ngjitet në majë të plepit (me shkallët e të tjerëve) nuk do të kemi nevojë tanimë të punojmë.

Pranvera e katërt agoi, nuk humbi plepi por humbi shpendi i cili ia thonte këngës, këngë e cila thonte: “po më ndihmuat mua, unë nga lart do t’ju ushqej me frute plepi. Për habi, besa i besuam se do na jepte frutet e premtuara, pa menduar fare se plepi nuk posedon frute!!! Sidoqoftë ia arriti qëllimit. Shpendin ciceron e ngjitëm lart. Në çastin e vendosjes së tij lart, hasi në një fole të majme. Më pas të jemi të realtë, nga teksti i këngës së tij nuk e dëgjuam, porse nga veprimet kuptuam porosinë: ”Ju atje poshtë nëse mundeni ejani lart”. Ç’të bënin të mjerët, lëre që nuk kishin degë për t’u ngjitur, por ajo pemë, degët e veta i shfaqte njëherë në katër pranvera. Shpendët e tjerë pëshpëritnin duke thënë, tani lëre që e meriton të të “hipim” lart, por aq më pak të të besojmë për frutet e premtuara. Ngase ata nuk hanin as plepa e as degë, ata hanin bukë. Ah, kjo bukë ç`bëri, uria i shtyu që t’ia presin rrënjët plepit, ngase ishin ngopur me këngë ngopëse, këngë të përcjellura jo me orkestër, por me stomak të zbrazët.

Robin Hudi (Robin Hood) besohet të kishte jetuar rreth viteve 1300. Ky njeri njihej si patriot, njkohësisht edhe si njeri djallëzor. Konsiderohej si patriot nga fakti se i ndimonte të varfrit. Jo që ai ishte i pasur, por grabiste nga të pasurit dhe ia jepte të varfërve atë që e plaçkiste. Robin Hudat tanë kanë ngatërruar misionet të cilat i vjedhin të varfrit për t’i pasuruar të pasurit dhe ata të pasurit për të ndërtuar fole për të tjerët e për të kujdestaruar foletë e tyre. Fole të cilat njihen si mollë sherri. Po, po, mollë sherri ngase folet e tyre nuk njihen nga fqinjët e tyre. Do të ishte mirë që ata të zbresin poshtë dhe të shohin se si grabitqarët i gërvishin të vegjlit e tyre, të vegjël të cilët dikur i kishin mbledhur gjethet për të krijuar shkallë. Ato shkallë i kishin hipur lart, apo ishin ngjitur përpjetë përmes shkallëve të dhuruara prej të vegjëlve. Tani, të vegjlit e kanë tekstin e këngës, tekst i cili ia thotë këngës me shkronjat e radhitura në këtë formë:” Mjaft më” të përcjellura me pyetjet: Çka? “Bashkë ndërtojmë”!

A thua bashkëndërtojmë foletë e të tjerëve? Vallë nëse bashkëndërtojmë foletë e të tjerëve, atëherë do të ishte kënga më tërheqëse nëse themi ”Bashkërrënojmë” foletë tona? Seç mu kujtua një thënie e cila nuk është në adresë të gabuar: Tradhtar është ai i cili  është i pabesë ndaj vend(as)it të tij.

Nëse mund të më ndihmoni të piketoj thënien e Nostradamusit. Jo, jo, por atë të rilindasit errësues në këtë aspekt: “Feja e shqiptarit është shqiptaria apo shqip-partia”!  /llojani.info

Lini një Përgjigje