Pirgu i shëndoshë

20Mar - 0 - Kategoria: Opinione
Shkruan: Iljasa SALIHU

Sa më shumë që lexoj libra të ndryshme, aq më tepër më ngjeshet bindja e patjetërsisë së kthimit të njeriut kah udhëzimet e Zotit të Plotfuqishëm. Në këtë mozaik vlerash edhe të qenit shqiptar ka kuptim, mbase pikërisht në këtë kënd edhe gjendet afshi i kuptimit. Feja islame dhe asnjë koncept tjetër në botë, jep përgjigje të plota dhe të arsyeshme për tri çështje shumë të rëndësishme. Ajo jep përgjigje dhe shpjegime, se prej nga erdhi njeriu në këtë botë, përse erdhi dhe me gjithë ato të bëma, në cilin stacion të fundit do të ndalet.

Unë nuk mund ta kuptoj brengën e disa të mençurve tanë, kur shqetësohen për shqiptarët e rrëshqitur në besimin fetar. Botëkuptimi i tyre rrezaton brumosjen njëkahëshe e të qenit shqiptar dhe se besimi gjoja na qenka vetëm çështje shpirtërore, duke qenë kështu i privuar të gjejë shtrirje në kohë e në hapësirë. Këta të ndikuar prej sistemit shekullar, duan që përcaktimin kombëtar t’ia mveshin njeriut si krijues dhe jo si mëkëmbës i këtij identiteti, duke këputër kështu çdo lidhje me udhëzimet dhe me shpalljet e të Lartmadhëruarit. Se unë apo ti që jemi shqiptar, nuk është ndonjë meritë e jona, as përcaktimi ynë, por kështu ka dashtë Zoti dhe kaq. Nëse Zoti përcaktimin e besimit e ka lënë të lirë si përzgjedhje, edhe atë si shenjë sprove, kjo nuk e zbeh çështjen e besimit, përkundrazi, vetëm çështjet madhore i ofrohen njeriut si të lira në zgjedhje, ngase nesër pandehet që ai të jetë dëshmitar i vetëvetës për atë përzgjedhjeje.

Fjala bie, ja unë dua t’i jap përparësi kombit shqiptar kundrejt fesë islame. Fillimisht dikush le të më tregon përmes kodit kombëtar shqiptar se prej nga erdha në këtë botë e kush më solli, cili është synimi i ardhjes në këtë botë dhe pas këtij vargmali të të bëmave, ku do të shkoj e kujt do t’i përgjigjem për përgjigjet që nuk mbërrita të gjitha t’i marrë në këtë botë? Çfarë më thotë kombi im për brumosjen e shpirtit? Vallë, brumosje i thoni këngëve që ndonjë rapsod me veshje kombëtare ia thotë për të rënit, edhe atë duke i marrë të holla familjareve të të rënëve? Unë dua t’i pyes këta që shporrin fenë nën emrin e kombit, apo duan ta zbehin rolin e fesë kundrejt kombit. Çfarë më ligjëron kombi im për adhurimin, mënyrën dhe qëllimin e tij? Çfarë thotë kombi im i dashur shqiptar për pastërtinë si vlerë njerëzore? Po për marrëdhëniet jashtëmartesore? Po për kurorëzimin dhe mënyrën e tij? Po pas marrëdhënieve seksuale bashkëshortore çfarë duhet të bëj njeriu? T’ia rrase gjum apo të gdhihet fare pa u pastruar, apo? Po për bamirësinë dhe shpërblimin e saj? Dhe një sërë pyetjesh tjera, përballë të cilave kombi im i dashur rri i nemitur, jo nga paaftësia e tij, por nga natyrshmëria e tij.

Dikush mund të thotë, po disa prej këtyre çështjeve janë të rregulluara me kushtetutë. Sërish unë pyës: me cilën kushtetutë dhe vallë a është kjo kushtetutë tërësisht kombëtare, pra pjellë e kokave të cilët me çdo kusht duan të jenë vetja, të punojnë për vete fillimisht dhe të mos ndikohen prej të tjerëve të cilët nuk e

flasin të njëjtën gjuhë e nuk e ndajnë të njëjtën histori. Sistemi demokratik nuk është kombëtar, por është ndërkombëtar, gjithashtu edhe sistemi liberal ekonomik nuk është vlerë kombëtare, por koncept i ndërfutur prej jashtë dhe i pranuar pa asnjë ndryshim prej kreckatorëve që për hir të kombit flakin çdo lloj vlere tjetër. Përse në këtë rast nuk e çojnë zërin përpjetë, këta që duan të jenë vetëm shqiptar dhe t’i mohojnë të gjitha konceptet dhe ideologjitë që vijnë nga jashtë?

Të dashur lexues, nuk dua ta ngushtoj me këto pyetje kombin tim të dashur. Ai nuk është i varfër, por fukaratë në mendje duan ta paraqesin si të tillë, duke e ndarë kështu prej shpirtërores me thikë që kohë më parë ishin masakruar njerëz të pafajshëm. Pjellë e sistemit vrastar komunist ishte pyetja, – kombi a feja, duke lënë vraga të pashlyeshme dhe shumë të dëmshme përgjatë gjthë këtyre dekadave ndër njerëzit. Kombi dhe feja janë pjesë përbërëse në organizmit e qenies njerëzore, ngase janë me prejardhje nga një Krijues i gjithësisë. Të jesh shqiptar nuk do të thotë edhe të jesh më i ngritur se një gjerman, apo e kundërta. Njësia matëse e ngritjes nuk është përkatësia racore apo kombëtare, por është devotshmëria ajo e cila të jep pozitë të lakmueshme dhe të kënaqëshme te Krijuesi ynë. Këtë pozitë mund ta kuptojmë a ta jetësojmë duke iu qasë mësimeve fetare, përmes librit të shenjtë Kuranit, të dërguarve të Zotit dhe përmes dijetarëve të drejtë dhe me udhëzim hyjnor, të cilët u pagëzuan edhe si trashëgimtar të të dërguarve.

Meqë i përkas besimit islam, unë bëra fjalë vetëm për këtë besim. Duke u munduar t’i ndjek udhëzimet e Zotit, para se gjithash shoh se feja ime e kombi im nuk ka mundësi të bien ndesh në qenien time si njeri. Ndërsa edhe praktikisht i kam para ata që bëjnë thirrje për mosrrëshqitje në fe dhe dhënie rëndësi të tërësishme kombit, ishin dhe janë njerëz më të dështuar, si në aspektin kombëtar, njashtu edhe në atë njerëzor. Nuk mund të bëhesh shqiptar i mirë nëse mohon udhëzimin e Atij që të përcaktoj të jesh shqiptar!

Nëse kemi mëtime për një instrumentalizim të fesë përmes politikës së sotme, atëherë të mos urrehet feja, që përmes disa njerëzve me petk të rremë fetar, duan që fesë t’ia japin një cilësi neveritëse. Feja islame është si një këmishë e bardhë dhe nëse shohim ndonjë pllangë në atë këmishë, bardhësia e këmishës nuk i ka fajet, por ndotësi i saj. Feja islame është sistem jete. Në korpusin e kësaj feje kemi ligjvënie që në asnjë pikë nuk bie ndesh me qenien e pastër njerëzore. Nuk ka pyetje që kjo fe nuk mundi t’i përgjigjet dhe nuk ka përgjigje që kjo fe ngushtoi natyrën e njeriut. E pra, si vallë ndonjë i mençur paska fytyrë të brengoset për ata që u gatuan në këtë fe të pastërt?

Lini një Përgjigje