Oh sa mirë me kanë pushtetar !

25Mar - 0 - Kategoria: Opinione
Shkroi Prof. Jusuf Zimeri

Në shoqërinë tonë gjithnjë e më shumë po thellohet jazi i ndyrësirës më falni i ndarësisë mes opsionit “ne” dhe “ju”. Ky fjalor nuk u unifikua as në fushatën parazgjedhore, por përkundrazi u thellua edhe më shumë. Këtu nuk e kam fjalën për ndarjen e opsioneve dhe programeve partiake politike, sepse në realitet ato as që ekzistojnë.

Këtyre ditëve kemi pasur fatin dhe rastin që të dëgjojmë shuuuumë orator dhe oratori të ndryshëm, me një fjalor urrejtës që të lenë përshtypje se oratori është duke folur para kundërshtarëve të përhershëm, e jo para popullit dhe simpatizantëve të tij partiak. Sharjet, fyerjet, ofendimet, nënçmimet, që i bëjnë oponentët partiak mes veti të një gjuhe, kombi dhe feje nuk na habitin aspak, sepse me këtë jemi bërë imun, por kësaj radhe kam fjalën për raportet ndërpartiake, sepse partitë siç tha aj zotëria në parlament “le të shkojnë në të n……”, por e kam fjalën për raportin parti elektorat, apo ma mirë me thënë parti – votues.

Keni vërejtur edhe ju të nderuar lexues, se secili që i afronte buzët para mikrofonit thoshte “Ne” do bëjmë e do bëjmë, kurse “ju” duhet të bëni vetëm një punë, të na e jepni votën “neve”, jo atyre!!!” . Këtu detyrimisht lind pyetja: Kush jemi “ne”, kush jeni “ju” dhe kush janë “ata”???  Për të marrë një përgjigje më të saktë, rastësisht takova njërin prej shqiptuesve të kësaj oratorie, dhe duke pirë kafe i parashtrova të njëjtën pyetje ! Fillimisht lëshoi një shikim mbi mua sikur donte të thoshte, se “ti a nuk qenke me ne“, por megjithatë nuk e shqiptoi këtë fjali. U përpoq të ma sqaroj këtë terminologji, por realisht edhe më shumë ma ngatërroi, andaj të nderuar lexues, unë po e sqaroj ashtu si e kuptoj unë, edhe nëse është gabim, i imi është dhe mendoj se nuk e dëmtoj askënd.

Me nocionin  “Ne” nënkuptohen ata njerëz partiak të cilët populli detyrimisht duhet ti votojë, kurse me nocionin “ju” janë për qëllim popullata e thjeshtë! Pra, ata janë të përbërë, kurse ne jemi të thjeshtë. Thënë ndryshe, ne jemi ata që dinë të prodhojnë, e ata që dinë të hanë dhe jetojnë!. Ose thënë edhe më shkurtë e më shqip, ne jemi ata që duhet që brenda 48 muajve të këndojmë këngën :”Oh sa mirë me kanë shqiptar” e ata brenda katër viteve ta këndojnë këngën “Oh sa mirë me kanë pushtetar”. S’ka gajle, sepse pas katër viteve, sërish do ta këndojmë së bashku në miting, andaj ne nuk duhet ta harrojmë këtë këngë. /llojani.info

Lini një Përgjigje