Nuk e dinte sa peshonte pushka, por e dinte sa peshonte atdheu!

8Pri - 0 - Kategoria: Libra Opinione

Shkruan: Anesa Aliti

(Analizë romanit “Mëngjesi i hershëm” i shkrimtarit Iljasa Salihu)

Kënaqësia që të jep të lexuarit varet nga shkruesi i asaj që lexon.

Thënë të drejtën, edhepse shumë bashkëmoshatarë e kishin lexuar tashmë romanin ”Mëngjesi i hershëm”, interesi për të qenë një nga lexuesit më lindi vetëm pasi pata mundësinë të prezentoj në ligjeratën e të nderuarit, Mr. Iljasa Salihut, me temën, ”Ndaji gjërat, o nxësës” e cila u mbajt më 09 mars, në shkollën e mesme ekonomike të Kumanovës.

Ëmbëlsia dhe bukuria e përshkrimeve i ngjante atyre të shkrimtarëve të mëdhenj botërorë. Hollësirat ngjallnin emocion, vuaja bashkë me Betimin, i cili rrezikoi të bie në pesimizmin e Spases; qeshja me Arbërin, që si Pucelli i P. Markos di të bëj shaka edhe në çastet më të vështira… Pra nëse çdo shkrimtar synon të të ngërthejë të lexosh “Pa frymë” deri në fund, të të bëj të meditosh me figurat e përdorura, pa më të voglin dyshim them se z. Salihu e ka realizuar me sukses.

Punët e mëdha kryhen në vagëllimën e parë të mëngjesit. Në mëngjesë është begatia. Iku errësira, trokiti fija e dritës. Po vijnë ditë të mira për shqiptarët. Po zgjohen prej gjumi shqiptarët. Janë këto disa nga ajo që mund ta kuptojmë prej titullit dhe përmbajtjes së romanit të shkruar dhe thurur me aq kujdes.

Në roman flitet për historinë e djaloshit ambicioz e patriot, i cili është në mes zjarrit të shkollimit dhe luftës kombëtare.

Në aspektin e ndërtimit të subjektit, romanin mund ta ndajmë në tre pjesë kryesore:

Pjesa e parë: Betimi, nxësës në shkollë fillore. Kjo përfshin gjashtë kapitujt e parë:

Ngjarja fillon me përshkrimin e plogështisë së Betimit, nxënës në klasë të gjashtë dhe vazhdon me përshkrimin e shkollës dhe jetës shkollore, si mozaik vlerash për të cilin nxënësit janë si rrënja e etur që kërkon ujë. Në muajin korrik, në vapën që vështirë përballohej, Betimi takon Suejbin dhe Arbërin dhe rastësisht kupton shkakun e plogështisë së tij. Kjo ishte “Lufta”, që nisej me flijimin e familjes Jashari. Duke u njohur me karakterin e Betimit, që i mbronte shoqet e klasës nga rrugaçët, njihemi me një problem të rrethinës. Në vend të këshillave prindërit heshtin dhe kjo i shtyn adoleshentet naïve drejt greminës.

Në mëngjesin e hershëm të vitit 1998 derisa Betimi po kthehej nga Orizarja, në të hyrë të fshatit Vaksincë e ndaluan disa policë, të cilët sikur ujqit të uritur për dele, me të parë se dikush rente në drejtimin e tyre, policët u ngazëllyen shumë. Ata e maltretojnë psikikisht e fizikisht, madje edhe e fyejnë dhe e urdhërojnë të kthehet mbrapa. Në rrugëtimin për në fshatin Sllupçan takon Ga Metin (babain e një shoku), nëpunës shteti, i cili e merr Betimin me veturë. Betimi tani gjendej ndërmjet dy lebetive. Njëra përkonte sërish me veten dhe tjetra, mos vallë për shkakun e tij, tani do të pësonte keq edhe Ga Meti. Edhe me atë i ndalin, bëjnë kontrolle. Guxojnë të mohojnë njohjen e Kur’anit, por sakaq ndryshojnë sjelljen, vetëm kur Ga Meti ua përmend kushtetutën e shtetit, që si duket ishte e vetmja që i frikësoheshin. Nga kjo ngjarje Betimi fillon t’i urrejë sllavët. Ishte uurejtje gjithëpërfshirëse, ishte një urrejtje që mund ta bënte një adolesht, që duket se ende nuk mund ta bënte dallimin ndërmjet të veçantës dhe asaj të përgjithshmes. Humb interesin për futboll, për të cilin sport kishte investuar shumë. Pas asaj ngjarje rrëqethëse ai i përkushtohet njohjes së historisë së popullit shqiptarë. Gjyshi i tij tregon për vëllain e ndjerë, Salihin, i cili kohë më parë kishte rënë në luftë kundër gjermanëve, i detyruar të shpëtojë familjen nga internimet dhe gjenocidet sllave. Por gjyshi i tij rrëfen me frikë, sepse në kohë me skenare të këtilla maltretimesh ec e binde se jetojmë në një sistem, ku e drejta e shprehjes është e garantuar edhe me kushtetutë.

Në shtatorin e vitit 1998, Betimi i tregon Suejbit se parandjenja e vitit të kaluar, tashmë i është shndërruar në shpresë për fitore gjithëkombëtare. Tani në klasë të shtatë bie niveli i arsimit, pavarësisht se arsimtarët përdorin lloj-lloj metodash. Është e kotë edhe që u thonin se “…Suksesi në mësim është sikur të keni luftuar, kacafytja me injorancën është luftë, djersa e derdhur është gjaku i dëshmorëve dhe ngadhënjimi mbi injorancën është fitore e përhershme e luftës…”! Këta nxënës ishin të bindur se shqiptarët janë një organizëm dhe për çdo gjymtyrë të shkëputur lëngon tërë trupi. Kësisoj, nuk mund të mësonin përderisa kosovarët hapnin varre për prindërit dhe shokët e vrarë nga dora

gjakatare serbe. Ndërkohë u organizuan tubime për të hedhur poshtë gënjeshtrën se ushtarët e UÇK-së ishin banditë të ndjekur nga shteti.

Kah fundi i klasës së tetë ishte koha kur forcat policore maqedonase i mbanin peng të dëbuarit nga Kosova dhe Lugina e Preshevës, duke mos u dhënë as ushqim. Prandaj banorët e fshatit Llojan dhe fshatrave tjerë përreth “U zgjuan në këmbë” dhe bashkë me kryetarin e komunës e thyen gardhin. Bëhej fjalë për gardh që ndante vëllezërit! Kështu secila familje vendase mori nën përkujdesje një nga familjet e dëbuara. U mishëruan aq shumë sa që nuk kishte pronësues e shfrytëzues, të gjithë ishin të barabartë. Ashtu si dhe në shkollën e mbushur edhe me nxënës të ardhur.

Fakti që Amerika mbështeti shqiptarët, që NATO bombardoi Sërbinë 73 ditë u dha zemër nxënësve, që ditën e fundit të klasës së tetë të mbajnë një tubim, ku kujtonin gabime të ndryshme e qeshnin me shakatë e shumta. Pastaj të pikëlluar e të përlotur shkëmbyen lamtumirën me njëri-tjetrin.

Pjesa e dytë: Periudha e pushimit mes mbarimit të shkollës fillore dhe fillimit të shkollimit të mesëm. Përfshin gjashtë kapitujt në vazhdim:

Është korrik dhe lufta ka përfunduar! Duket se përfunduan të korrat kombëtare në këtë muaj që është sinonim i të korrave. Shqiptarët korrën fitoren. Të dëbuarit janë kthyer në shtëpitë e tyre. Betimi e Suejbi takohen. Janë të penduar thellë për dy vitet e humbura dhe betohen se do lexojnë që nga ai moment, të paktën ta ndreqin gabimin e bërë.

Një ditë takohen të gjithë shokët për të lozur futboll në natyrë. Pasi luajnë futboll, ia mësyjnë pyllit. Atje bisedojnë rreth shkollimit të mesëm. Diskutim të ngjajshëm bëjnë edhe hera të tjera dhe problemin e gjendjes financiare pretendojnë ta zgjidhin duke punuar tokën. Nga ku kuptojmë se këta banorë përballeshin me një diskriminim tjetër. Ajo ishte, politika bujqësore i privonte bujqit shqiptarë nga çdo lloj subvencioni shtetëror.

Në fillim prindërit kishin vendosur ta dërgojnë në ndonjë zanat Betimin, por derisa sheh entuziasmin e të birit, nëna kujton si e kishin ndaluar atë të shkollohej e tani sa maltretoheshin në spitale e administrata nga pala tjetër. Babai i revoltuar nga ana tjetër vendosë ta shkollojë edhe Betimin sikur dy djemtë tjerë, pavarësisht gjendjes së vështirë financiare.

Të gjithë shokët vendosin të vazhdojnë shkollimin në shkollën e mesme teknike, me përjashtim të Nolit që vazhdon për tekstil. Që të mund vetëm me tri vite të diplomohet e t’i përkushtohet familjes.

Pjesa e tretë: Betimi nxënës i shkollës së mesme. Përfshin katër kapitujt e fundit:

Është shtator i vitit 1999. Në një klasë tani ndodhen qytetarë e fshatarë të të dy kombësive. Në ditën e parë pas pritjes prej një ore, Betimi del në korridor për të parë nëse është duke ardhur ndonjë profesor. Kur kthehet has në provokim nga një nxënës qyteti. Kështu që, Betimi humb durimin dhe e godet atë. Por pastaj vijon sanksioni nga

ana e shkollës. Por shpejtë këta dy ia shtrijnë njëri-tjetrit dorën e pajtimit, sepse ai kishte qenë i këshilluar nga banditët qytetarë, që i urrenin fshatarët. Ishte një lojë e fëlliqur e atyre që mëtonin të krijonin një hendek të thellë ndërmjet fshatarëve (selakëve) dhe qytetarëve (zorraxhive). Por kjo nuk i ndezi, ngase Betimi dhe i godituri lehtas çjerrën lojën e ndytë!

Shokët në shkollë kalojnë shumë mirë, kënaqen duke mësuar së bashku edhe në automjet deri sa arrijnë në Kumanovë. Një herë u ndodh të mësojnë deri vonë dhe vendosën të gënjejnë për mungesën në orën e parë. Por pasi zihen në rrjetën e merimangës, shohin se me gënjshtra nuk arrihet asgjë, ndaj edhe pendohen dhe ia tregojnë të vërtetën profesorit. Kështu profesori vendosë t’i falë, ngase u treguan të dinjitetshëm.

Në vitin 2000 sërish fillojnë përleshjet e armatosura në Luginën e Preshevës. Protagonistët kishin harruar se dikur ishin penduar skajshmërisht për lëshimin e mësimit dhe betimin që kishin bërë. Kështu që, filluan të braktisin mësimet. Bindja se libri e lapsi ishin armët e vetme kudër palës tjetër, tani u zëvendësua me zgjidhjen e problemit kombëtar, me idealin e ‘Bashkimit Kombëtar’(sepse ashtu siç një njëri nuk mund të ketë dy nëna, nuk mund të ketë as dy atdhe). Betimi e Shkëlqimi vendosin të shkojnë për të luftuar, por pas një sfilitje të rëndë, ata takohen me disa të pjekur dhe marrin kumtin se edhe pak do ta keni të njëjtën dasëm me të njëjtët dasmorë atje prej nga vini. Kësisoj, ata i porositin të mos nguten se e njejta do ndodh edhe me vendin e tyre. Tani u premtojnë prindërve se do mësojnë.

Në dimrin e vitit 2001 ra dëshmori i pare, Muzafër Xhaferi. Në Tanushë luftohej. Nga policia zyrtare e Tetovës u ekzekutuan dy civilë shqiptarë (babë e bir). Ndërsa UÇK-ja u vendos edhe nëpër fshatra. Më 01 Maj, Betimi shkon në shtab për t’u anëtarësuar. Atë nuk e pranojnë nga shkaku i moshës (sapo kishte mbushur 17 vjet). Ky dëshpërohet!

Më 3 Maj shpallet e fillon lufta. Atë ditë që sulmojnë helikopterë mbi Vaksincë, ushtarët refuzojnë të dërgojnë pako municionesh nëpër istikame. Këtë e bën vullnetarisht Betimi dhe komandanti dhe vetëm pas këtij gjesti burrëror e pranon për ushtar. Që nga ky moment ditët bëhen të vështira në luftim të vazhdueshëm. Ai s’mendon gjë tjetër, pos vdekjes si fund i pashmangshëm. U përhap lajmi se të nesërmen fshati Llojan e kishte rradhën e pushtimit dhe se tortura të ndryshme do të kryhen mbi civilëve në stacionin e Kumanovës. Kështu përveç 15 ushtarëve të gjithë ia mësyn ikjes. Familja i përgjërohen Betimit t’i bashkohet karvanit të tyre, por ky nuk bindet. Nuk mund të mbash dot lotët kur ai ndahet nga nëna! Aq më rrëqethëse, kur nëna e tij i thotë gjyshit të Betimit, se nëse ma vrasin djalin, varrimi të bëhet në shtëpi, ngase dua ta shoh gjurmën e frikës së të mëdhenjve dhe guximin e këtij djaloshari. Hallall i qoftë qumështi, – më në fund shprehej ajo, pas ngulmimit që edhe ajo të qëndrojë në fshat!

Të nesërmen bie dëshmor komandant Tigri dhe pak muaj më vonë edhe hoxha i Vaksincës, si rrjedhojë e asaj që kishte guxuar në Xhami të ligjëron për rëndësinë e luftës dhe të mbrojtjes së atdheut. Komandant Ibra po mendonte t’i bashkohet me gjithë tufën e luftëtarëve që kishin mbetur, mes të cilëve ishte edhe Betimi, luftëtarëve të fshatit Sllupçan. Por nga qendra urdhërohen të tërhiqen përkohësisht në Kosovë. Mirëpo atje Betimi nuk është rehat, me besimin e madh në Zot, shpejt sërish kthehet në vendlindje. Ja se çfarë i thotë gjyshes kur e takon: “Sikur mali dhe gjithçka që ka në tokë të bëhet copa e pluhur, unë këtu do të jem”.

Epilogu i romanit është luftimi i djalit nga fshati në fshat dhe të medituarit e tij mbi shpërblimin nga Zoti për ata që në mbrojtje të atdheut humbën gjymtyrët dhe jetën, mbaron me të kërkuarit falje Zotit që nuk i del hakut NËNËS e SHKRONJAVE.

Kësisoj, tema e dashurisë për diturinë është e mishëruar me dashurinë e shqiptarit për atdheun. Kjo e dyta ngadhënjen çdo herë që vjen në shprehje, për dy arsye. Sepse mund të mësosh vetëm kur je i lirë dhe se liria fitohet vetëm me gjak. Jo se ishte përtac, dëshmojmë se rrethanat ndikuan që protagonisti ynë kryesor të braktisë mësimin.

Përfundimisht romani është realist dhe nuk mund të jetë shkruar nga tjetër, përveç se prej përjetuesit të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të ngjarjes konkrete. Për të qenë më objektiv, në shikim të parë mund të duket sikur romani ka elementin nacionalist. Por jo, jo, është roman dhe kumt njerëzor. Sigurisht është normale të mbrohesh nga sulmi e të urresh sulmuesin, kur je i pafajshëm. Për më tepër jam plotësisht e bindur se ky është romani që një nxënës shqiptar të sodit, do ta motivonte jashtëzakonisht shumë. Zoti e ruajt autorin dhe i dhëntë vullentë edhe për romane tjera, ngase vërtetë e ka dëshmuar se një gjë të tillë mund ta bëje!

(Autorja është nxënëse e shkëlqyer në vitin e katër të shkollës së mesme ekonomike në Kumanovë)

Lini një Përgjigje