Nuk dilet për gjah pa pushkë, si dhe nuk dilet me pushkë pa leje për gjah!

12Tet - 0 - Kategoria: Intervista

caki_goniIntervistë me publicistin Iljasa SALIHU, të cilën e zhvilloi Agron SHAQIRI.

Agron SHAQIRI: Kur keni filluar të merreni me shkrimi?

Iljasa SALIHU: Për herë të parë që kam filluar ta ndiej veten se mund të shkruaj ka qenë viti 2000, gjegjësisht kur kam qenë në vit të parë në shkollë të mesme. Atëkohë meqë lexoja tregime e romane, mbase një mundësi të tillë e kisha si rrjedhojë se unë kisha prindin mësues dhe vëllezërit më të mëdhenj ishin nëpër shkolla të larta dhe lehtas mu gjendshin nëpër duar libra të natyrës shkencore dhe të artit, porse unë isha më shumë i interesuar të lexoja libra të artit, për të cilat nuk u pyesja në shkollë. Unë me shokun tim, Sud Daipin që tashmë ai është profesor, patëm filluar ta shkruanim një roman qysh në atë kohë, që për subjekt shtjellimi kishte dukurinë e dashurisë. Idetë i patëm grumbulluar së bashku, edhe pse ishim jashtë çdo standardi që përkonte me shkrimin e një romani. Ai kishte bukurshkrim të mahnitshëm, ndërsa unë isha i prirë më shumë të flisja. Ai shkruante në një fletore të formatit A4, ndërsa unë rrëfeja atë që duhej shkruar, duke u ndalur shpesh që së bashku ta rregullonim ndonjë fjali, edhe pse idenë si tërësi e kishim zhvilluar nëpër kokat tona. Punuam afro tre muaj, por më në fund pamë se ende ishim të vegjël për të shkruar roman, leksikun e fjalëve atëkohë nuk e kishim gjithaq të mbushur sa për ta përvijuar një roman. Ai roman kurrë nuk u botua, edhe pse për sa i përket çështjes së shkrimit, goxha shumë u kalitëm si rrjedhojë e saj pune të lodhshme. Madje shpesh kur ta lexoj në fletore më qeshet, por edhe ngazëllehem, ngase të paktën më vije mirë se qysh atëherë kishim një vullnet të pashoq për të shkruar diçka, gjë që mua dikur ai mund do të më ndihmonte shumë, sepse meraku i atëhershëm për të shkruar roman, sot më ka bërë me dy romane të shkruara e të vlerësuar mirë.
Përndryshe hera e parë që kam botuar shkrim në gazetë ka qenë në fillim të vitit 2007, shkrimi “Përse politika sundon ekonominë” i botuar në gazetën Lajm në Maqedoni. Pastaj rrjedha e shkrimeve të mia ka qenë e shtrirë në portalin “mesazhi.com” në revistën “Paqja” në Prishtinë e kështu me radhë.

Agron SHAQIRI: Nga e merrni tërë këtë frymëzim?

Iljasa SALIHU: Unë nuk e marr, ai më merr si të jetë një lum i tërbuar! Unë shpesh dua të mos shkruaj, ngase lodhem shumë, nuk e kam vetëm punën e shkrimeve, më duhet të punoj, të lexoj libra të trasha e të holla, të kujdesem për familjen, të merrem me sport e ta adhuroj sa më denjësisht Allahun. Kjo kërkon sfilitje të djersitur. Ndërsa frymëzimi nuk më pyet, më rrëmben, më thotë se duhet të shkruash, përndryshe koka të pëlcet, hidhe atë vrer të grumbulluar prej soditjes dhe leximit, të paktën në formë të shkrimit. Kusht që frymëzimi të jetë me frymë e me jetë në organizmin e një njeriu është të vlerësosh drejt dhe të brengosesh për dukuritë e pështira. Pastaj çështja e përdorimit a stolisjes së gjuhës vije vet. Unë çka do që lexoj, nuk e lexoj shkel e shko, kudo që shkoj, nuk qëndroj si dru dhe me kë të takohem kur është për të dëgjuar, dëgjoj ashtu si duhet. I gjithë ky qëndrim, pastaj detyrimisht më shpie sipër letrës së bardhë me një laps të gdhendur mirë në dorën e çarë prej punëve tjera.

Agron SHAQIRI: Ju si publicist si do ta kishit përshkruar me pak fjalë gjendjen e përgjithshme në Maqedoni?

Iljasa SALIHU: Ndërprerja e regjistrimit të popullsisë, tërheqja e enciklopedisë fyese për shqiptarët dhe pastaj mos përmirësimi i asaj që shkallmoi vlerat njerëzore, gulçet për sa i përket jetësimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe zhurma për çdo vit rreth miratimit të buxhetit, gjegjësisht rreth përcaktimit të derdhjes së mjeteve buxhetore në objekte kapitale. Këto janë tregues i mjaftueshëm se në këtë shtet, mjalti në rrjedhën e bukur të qumështit, si i tillë mund të jetë i këndshme vetëm në ndonjë ëndërr të bukur në vagëllimën e parë të mëngjesit. Padyshim, nuk duhet mohuar faktin se pas lufte pamë ndryshme rrënjësore në këtë shtet, edhe pse për këtë ndryshim rrënjësor u deshtë që rrënjët e pemës së lirisë t’i ujitnim me djersë e me gjak. Ka shumë për t’u bërë, të paktën për të mundur të flisnim më ballëhapur për pemën e lirisë të ujitur tashmë me ujë dhe djersë në paqe.

Agron SHAQIRI: Si e shihni rininë e sodit, për sa i përket shkollimit e brumosjes morale, a është në vijën e duhur?

Iljasa SALIHU: Pyetje shumë prekëse i nderuar Agron. Unë shpesh dua të mos e shoh fare rininë e sodit, se mund ta shoh në pozitën që as në ëndërr nuk do të dëshiroja ta shihja. Rinia e sodit, fatkeqësisht është ndarë në dy pllaja të skajshme. Ajo që është thellësisht është dhënë pas alkoolit, pas duhanit, pas muzikës, pas lakuriqësisë, pas epsheve seksuale dhe pas përbuzjes së arsimimit dhe pastaj pas diplomimit të lehtë prej të njëjtave përbuzës. Ndërsa një grup shumë më i vogël se ky, shoh se është dhënë pas mësimit dhe pas rrugës që Zoti është i kënaqur. Ku qëndron e keqja e këtij hendeku të thellë? Se sikur të jenë vëllezër bashkëpunojnë të dy grupet, duke druajtur këta të mirët t’i këshillojnë dhe qortojnë këta të humburit. Thjeshtë shoh një pajtim mes grupeve që realisht do të duhej ndodhur një hidhërim ose përmirësim për hir të së vërtetës. Nuk mund që delja të jetojë në paqe me ujkun, as nuk mund ta vëmë tendën sipër vrimës së gjarprit. Ndërsa vetëm në këtë shoqëri shoh aleanca të tilla, të cilat mendja e shëndoshë vështirë se do t’i përthithte!

Agron SHAQIRI: A mund ta paramendoni jetën tuaj pa lexim dhe në rast të tilla çka do të bënit?

Iljasa SALIHU: Nuk mund ta paramendoj, ngase kurrë nuk e kam menduar e nuk e kam përjetuar. Unë as nuk mund t’i mendoj disa që viti u kalon ndoshta vetëm me një libër të lexuar. Them si nuk vdesin vallë? Për mua leximi është ushqim. Nëse pa bukë mund disi të qëndroj një ditë pa ngrënë, pa lexim nuk mund të jetoj as një ditë. Në rast vdekjeje, rast dasme e raste të tjera, unë patjetër duhet të paktën të lexoj një orë në ditë, qoftë gazetë, koment në “facebook” a qoftë ndonjë pjesëz prej libëri. Kjo është e pakta që mund të gjendem në raste jo të zakonshme. Ndoshta mundem, por nuk e kam provuar. Me këtë nuk dua të them se unë jam shumë punëtor dhe tejet i dijshëm. Jo, jo, sepse aq më shumë sa lexoj, aq më tepër më del vetja qejfit, aq injorant e shoh veten dhe me aq të panjohura e gjej veten. Kisha për të thënë, nëse do të më privonte dikush prej leximit, ai në fakt do të më privonte prej jetës normale!

Agron SHAQIRI: Si do ta kishit sqaruar thënien “maturantë të dëshmuar e jo të dështuar”?

Iljasa SALIHU: Sa mirë si fjali e bukur kjo! Gjithnjë e më shumë po më rastis të takohem me maturant të dëshmuar për dështim dhe jo të dëshmuar për njerëzi e sukses. Një nxënës i cili ende pa hyrë mirë në vitin e parë që breng kryesore e ka se me cilën vajzë të defilojë kur të bëhet maturant, çfarë modeli të flokëve do të rregullojë, si dhe çfarë rroba të vesh për mbrëmjen e turpit të maturës, atëherë i dashur Agron kot mund të shpresosh për maturant të dëshmuar, edhe pse ka ndonjë përjashtim aty-këtu. Por faji më i madh këtu është te prindërit dhe profesorët, të cilët fillimisht nuk lexojnë sa duhet e nuk kundrojnë me syrin e duhur, por me atë material.

Agron SHAQIRI: Deri më tani keni botuar pesë libra, vallë a ju ka ndihmuar dikush financiarisht për botimit e tyre dhe pas botimit si jeni ndier me ecjen e librit në treg?

Iljasa SALIHU: Unë kur kam ndërmend të shkruaj libra, çështjen e botimit as që e mendoj. Aq shumë kridhem rreth asaj që duhet shkruar sa për botim as që dua të lodhem. Përkundër kësaj brenga evoluon. Vetëm pasi ta bëj gati librin, atëherë filloj të brengosem për çështjen e botimit. Dhe këtu shpesh përthekohem prej dëshpërimit. Deri më tani më ka ndihmuar familja dhe në disa raste shoqëria financiarisht për t’i botuar librat, ndërsa së fundmi tërësisht një vendas imi, z. Ibrahim Shaqiri e ka financuar botimin e romanit tim “Beteja e paqes”! Ndërsa në treg ndihem si ai shitësi me speca të shëndosha, por të cilat nuk i shiten sa duhet, edhe pse shumëkush ankohet se nuk po mund të gjejnë speca të tilla. Duhet falënderuar disa nxënës të shkollave të mesme, të cilat librat e mia pa kurrë njëfarë përtese i kanë shpërndarë nëpër shkolla të mesme.

Agron SHAQIRI: Si mund t’i nxisim të rinjtë për të lexuar?

Iljasa SALIHU: Një filozof latin thotë se libri është arma e diturisë. Nëse dëshironi të dilni për gjah pa pushkën në krahë, atëherë mos e mallkoni kafshën për vërsulje dhe për kafshim, por vendimin tuaj të ngjashëm me vendimin e një kafshe. Në kacafytje me injorancën, është arma e diturisë ajo që e plandos për toke këtë dashakeqe të njerëzimit. Ndaj, shmangni armët e ngrohta e të ftohta që i mbani nëpër xhepa a nëpër çanta, pajisuni me armën e diturisë në kokë dhe ju siguroj se do të dilni gjithherë ngadhënjimtar në çdo betejë!

Agron SHAQIRI: Si i kishit sqaruar ju fjalët interes, xhelozi, urrejtje, dashuri dhe trimëri?

Iljasa SALIHU: Në secilën fjalë mund ta gjejmë të mirën dhe të keqen. Unë shkruaj, sepse interesi im është që njerëzit të lexojnë diçka të dobishme, por unë mund të shkruaj dokrra që t’i futem në qejf horrave për një interes financiar. Unë jam xheloz se përse sivjet nuk i kam lexuar 100 libra aq sa i ka lexuar një mik imi, por unë mund të jem edhe xheloz vetëm pse ai i ka lexuar dhe jo përse unë nuk kam mundur t’i lexoj aq libra. Unë e urrej lakuriqësinë, por unë mund t’i urrej edhe ata që urrejnë lakuriqësinë. Unë kam dashuri të veçantë ndaj gruas, por këtë dashuri mund ta lakoj edhe për gjësende të huaja. Trimëri është të falësh, trimëri është ta flasësh të drejtën pranë udhëheqësit keqbërës. Ndërsa për disa trimëri është ta dëgjojnë Ilir Shaqirin si refugjat, pikërisht atëherë kur atdheu i tyre dergjej dhe kërkonte burra për ta mbrojtur atdheun!

Agron SHAQIRI: Për fund ndonjë porosi?

Iljasa SALIHU: Agron i nderuar, të uroj e të përgëzoj për punën që je duk e bërë. Je shembull për t’u ndjekur. Secili i ri në vend të pasqyrës, shesh duhet të drejtohet kah ti për ta shikuar gjendjen e tyre të njëmend. Vazhdo me shkrime edhe pse kjo nuk është zeje e lehtë. Unë të kisha këshilluar që më shumë të përqendrohesh në fushën e poezisë, sidomos të saj me rima, që vërtet kënaqemi teksa i lexojmë ato poezi. Mos vrit mendjen se çka të thonë disa shok dashakeq të librit, lutu për ta, këshillojë se tani për tani mund të mos dinë!

Lini një Përgjigje