Një kokë, sikur pistë aeroplanësh e ngarkuar me dokrra

5Maj - 2 - Kategoria: Opinione
Shkruan: Iljasa SALIHU

Dikush dikë e turpëron për bashkëpunimin me shërbimet jugosllave dhe po ky shpallës i tradhtarëve, sot mes rreshtave mund të krenohet se bashkëpunon me shërbimet e mëdha botërore. Dallimi është sikur i prostitutave që punojnë nëpër kafenetë e Moldavisë me ato që punojnë me letra nëpër metropolet evropiane. Gjithsesi, emëruesi i tyre i përbashkët është kurvërimi, qoftë ai i kontrolluar prej mjekut, ose qoftë ai i kurvëruar edhe prej mjekëve!

Të ishe spiun në kohën e Jugosllavisë së dikurshme ishte një tradhti e madhe, madje edhe një lebeti për ata që detyrimisht duhej të kishin punë me ty. Nëse një i tillë ka qenë në lagjen ku jeton, mbase edhe në familje, për ty dhe për mbresat e tua vërtetë ka qenë tejet rëndë, madje edhe sikur t’i kishe bërë vetëm nja dy ditë jetë në atë lagje ku çdo gjë kishte sy, vesh dhe mendje të mykur, sërish harlisja e mbresës së keqe do të ngjitej përpjetë në pjergullën e ndërtuar afër shtëpisë. Për përjetuesin e asaj zallahie nuk ka qenë lehtë. Si rrjedhë e asaj lagje spiunësh, këtij mund t’i krijohej mbresa se të gjithë në atë shtet mund të ishin si të tillë, apo të gjithë shtëpitë kishin nga një milingonë me përgjues, milingonë kjo që ishte në shërbim të kasapit satrap. Megjithëkëtë, njeriu duke u rritur e duke u zhvilluar si në trup ashtu edhe në mendje, afërmendsh nuk do t’i sheh njerëzit e tjerë sikur babanë e vete, as babanë e vetë sikur njerëzit e tjerë, aq më tepër një paragjykim i tillë gjithëpërfshirës do të avullohej tërësisht me rastin e marrjes udhë për në dyert e shkollës, pastaj edhe për në amfiteatrot e universiteteve. Megjithatë, për dikë të gjykuarit përmes silogjizmave në vend të fakteve, të gjykuarit përmes paragjykimit, të gjykuarit shoqërinë përmes grindavecëve të mëhallës, do të mbetej e përjetshme, pavarësisht shkeljes së dyshemeve të universiteteve me nam botëror.Në një emision që udhëhiqet prej Baton Haxhiut që njihet si “Zona B”, psikopati, më falni, psikoanalisti i psikogrameve të primatit, Xhemal Ahmeti, duke dashur të rrëfejë për karakterin e njerëzve publik, ai tërësisht kishte harruar të merret pak edhe me veten, me karakterin e tij të zhveshur goxha shumë prej karakterit njerëzor. Madje edhe kur përmend prindin e tij, flet thuajse bëhet fjalë për një vazo të bukur antike e prodhuar me shumë mangësi, por meqë është antike, ajo vazo sikur i pëlqen. Madje çka është dhe më tragjikja, ky hiqet edhe si historian, teolog, gazetar, politikolog e më në fund një asnjëfarëlogu i përçudnuar, mbase mos të harrojmë se ky qenka edhe profesor në Universitetin e Freiburgut në Zvicër, – pa, pa, pa, kështu do të psherëtinte secili i shëndoshë kur dëgjon dërdëllitjen e tij për “jahuditë shqiptar të Maqedonisë” të cilët të dhëntë pas parave, pastaj edhe pas islamit, i cila paska qenë një barrikadë për zhvillimine identitetit kombëtar dhe habitshëm përskaj gjithë kësaj barrikade, sot shqiptaria si askund tjetër ruhet pikërisht në Maqedoni, kuptohet duke mos përjashtuar faktin e pranisë së argatëve që punojnë për të tjerët, argatë këto që i përkasin më shumë këmishëve të bardha dhe kolltukut të ngrohtë, madje mund të ngelësh pamend duke e përcjell shtegtimin e këtij shpendi me krahë të mushkonjës!Pas kësaj panorame të grisur me duart e çara dhe prej kokës së një të krisuri, unë vërtetë kam filluar ta ndryshoj mendimin për fakultetet tona. Në këtë pikë del se këto fakultete kanë staf shumë më njerëzor e më të përgatitur se sa ky analist për nga lëvizja e gjymtyrëve që është pjesë e stafit në Universitetin Zviceran.Këtij po i penguaka islami, njëri prej kritereve për të ecur përpara në botën e jashtme, brenda së cilës zihen laramani pisllëqesh. Ky i ndikuar prej rrethit të ngushtë, si shkencëtar që gjykon me silogjizma, merr guxim të rrezatojë vlerësim të përgjithshëm për shqiptarët e Maqedonisë në aspektin fetar islam. Ky hoxhallarëve u thotë se keni qenë spiun të Titos, kuptohet vetëm duke kumtuar e bubulluar dhe njëkohësisht duke mos sjellë fare ndonjë argument konkret për lulen që padrejtësisht i sulet, aq më qesharake bëhet çështja e kësaj bubullime pa shi, kur mësojmë se ky punon në kuzhinën shkencore ku zien e fërgohen argumentet. Ja fut kështu kot, sepse te emisioni i Batonin kjo shkon sikur tufat e leshta që bëheshin prej sheqerit të shkrirë dhe si fëmijë dikur u çmendeshim pas tyre.Unë nuk kam çka të shkruaj, nëse islami i ka shpëtuar shqiptarët prej tjetërsimit kombëtar, ose për të kundërtën e kësaj, ngase islami nuk erdhi për ta shpëtuar shembjen tonë kombëtare! Mbrojtja dhe kultivimi i identitetit kombëtar i përket natyrshmërisë, pastaj edhe brumosjes së vetëdijes për një gjë të tillë, sepse lindëm si të tillë, nuk e zgjodhëm përkatësinë kombëtare, madje as nuk u vumë në sprovë për ndonjë ndërrim të mundshëm, përpos disa që shkëmbyen këtë identitet për të përfituar ndonjë privilegj shtetëror, ose për t’u ruajtur prej asgjësimit fizik. Feja islame erdhi për diçka shumë më madhore, pra për t’i shpëtuar njerëzit prej panjerëzisë, për ta larguar njeriun nga adhurimi njeriu njeriun në adhurim njeriu Zotin, edhe pse një vargan i tërë gjoja shkrimtarësh e analistësh duan që këtë ujanë ta trajtësojnë në një përroskë të vakët!

 

Lini një Përgjigje