Në dorën e kujt do të jenë gërshërët?

13Sht - 0 - Kategoria: Llojani Mbi Llojanin

Shteti që përmotshëm ka harruar disa gjymtyr të tij, dinë të zgjohet vetëm atëherë kur vendasit ankohen për ndonjë gjë në mënyrë të hapur, apo bëjnë ndonjë punë në mënyrë vetjake. Në këto dy raste shtetarët do të zgjohen ose për t’i mbuluar me ndonjë premtim të rrejshëm pakënaqësitë e tyre, ose për ta përuruar punën e bërë prej vetë banorëve. Kjo ndodh kryesisht në ato shtete ku padrejtësia në shpërndarje të mjeteve financiare është kryefjala e çdo gjëje dhe drejtësia e mbledhjes së mjeteve financiare prej popullit është lokomotiva që assesi nuk thyhet dhe nuk ndalet.
Rruga në fshatin Llojan e cila tashmë është ndërtuar në mendjet e banoreve vendas, ngase nëse një send përsëritet e përfolet aq shumë ajo fillon edhe të jetësohet në paramendimin e atyre që detyrimisht i dëgjuan këto përralla me mbret, kërkon për mjete shtesë prej banoreve të fshatit. Ishte rregull prej komunës, që ajo të merrë pjesë në financim vetëm në tri metra gjerësi dhe pjesën tjetër, duke përfshirë këtu edhe punën, duheshka bërë vetë fshati. Kjo për këta banor nuk është ndonjë risi, ngase ata janë mësuar të ndajnë prej djersës së tyre të holla për shkollë, sjelljen e telefonave, të rrymës, sigurmin e ujësjellësit vet, ndërtimin e xhamisë dhe mirëmbajtjen e saj, tani së fundi edhe pjesëmarrjen financiare në kanalizim e të ngjashme. Qenka rregull herë i shkruar e herë i pashkruar që vendet e banuara me shqiptar të mos lirohen prej obligimit financiar, obligim ky që patjetër duhet ta kryejë shteti dhe komunat.
Ajo që shihet si brengë tani në fshatin Llojan, është se kush do t’i mbajë gërshërët dhe kush do ta presë shiritin në ditën e përurimit të rrugës? Nëse i pari i komunës, atëherë aty do të dëshmohet se banorët vendas nuk paskan asnjë meritë, nëse banorët vendas do të jenë të parët e lëvizjes kryqore të gërshërëve, atëherë i pari do të ndjehet si i dyti. Dyzim i thellë, duket se patjetër do të paraqitet nevoja e ndërhyrjes ndërkombëtare për ta zgjidhur këtë skeç me humoristë shumë të dobët! /llojani.info

Lini një Përgjigje