Ndaji gjërat o student/e!

15Shk - 0 - Kategoria: Opinione
Shkruan: Iljasa SALIHU

Sot shumë të rinj i shoh në një pështjellim të thellë. Shkollën e mesme e marrin si diçka që patjetër duhet kryer, qoftë edhe nëse asgjë nuk mësojnë. Ëndërrojnë të regjistrohen në fakultet dhe këtë me lehtësi e mbërrijnë. Ajo që është më e dhimbshmja është fakti se këta ia fillojnë fakultetit me tri ëndërra njëkohësisht. Fillimisht, ata regjistrohen në fakultet se nuk kanë çka të bëjnë, lakmojnë si të çmendur pasurinë e shpejtë dhe të lehtë, duke synuar kështu të bëhen tregtar të rryer dhe pasi e shohin se këtë ëndërr e mori lumi, fillojnë të mendojnë se si të “dashurohen” në ndonjë vajzë me vizë, mbase i gjori mendon se edhe ajo mund të joshet lehtë, ngase bëhet fjalë për djalë me fakultet. Me vështirësi edhe kjo punë i shkon! Nuk i mbetet gjë tjetër, pos t’i rreket mësimit. Tashmë, edhe këtu hasë në rrjetën e merimangës, ngase viti i para si me vrap paska ikur dhe ky duke ëndërruar të bëhet tregtar apo ta joshe ndonjë vajzë me vizë, kishte mbetur pa asnjë provim të dhënë.

Ky djalë nesër disi mund ta kryej fakultetin, por po i the që vetëm dy fjalë të vetme t’i lidhë si duhet, do ta ngushtosh shumë, madje mund t’i ngelet edhe hatri shumë!

Këto tri ëndërra patjetër duhet ndarë. O ti student/e, nëse dëshiron të bëhesh tregtar apo ndonjë zanaçi i rryer mos ia mësyej dyerve të fakultetit, por asaj që e ëndërron. O ti student/e, nëse dëshiron ta joshës ndonëj vajzë me vizë, këtë bëje me ndershmëri, paraqitu ashti siç je dhe mos harxho kot para për studime. O ti student/e, nëse dëshiron shkollën e dijen, atëherë lexo, mëso, shkruaj dhe studio mesatarisht nga gjashtë orë në ditë dhe përnjëmend kape shkollën se asnjëherë nuk do të ngelesh në rrugë. Mund të sprovohesh, por fitorja e betejës më në fund është në duart e tua.

Lini një Përgjigje