Namazi i sabahut i pazëvendësueshëm edhe gjuhësisht

26Maj - 0 - Kategoria: Opinione
Shkruan: Iljasa SALIHU

Unë në vitin 2003 në një bisedë me disa shok pata këmbëngulur që namazit të sabahut duhet t’i themi tani e tutje, “Lutja e mëngjesit”! Nuk arritën të pranishmit të më bindin se kalëroja “pelën mbrapsht”.

Kjo ishte si rrjedhojë e mosnjohjes sa duhet islamin si sistem jete. Këtë fe atëkohë e njihnim si pjesore, vetëm si adhurim dhe se çështjet ekonomike e gjuhësore s’kishin fare lidhje me fenë.

Deshi Zoti atëkohë në Prishtinë u bëra nxënës besnik i mulla Shefqet Krasniqit. Fillimisht ai të gjithëve na u duk si ekstremist, por më vonë pamë se ai kishte kuptuar se gjendej në mesin e të shmangurve ekstrem prej kësaj feje, madje në mesin e atyre që natë e ditë luftonin këtë fe të pamposhtur. Kishte pranuar t’i thonë edhe ekstremist, edhe vehabist, por ai sikur një makinë e fortë trimërisht çante edhe ortekët e larta të  dëborës.

Me ardhjen e mulla Shefqetit, kuptohet duke mos i anashkaluar edhe shumë hoxhallarë të tjera, Kosovën sikur e kaploi një revolucion fetar. Të gjithë filluan të flasin për fe, shumica shanin mulla Shefqetin, por të gjithë kishin dëshirë ta takonin këtë trim dhe ja sot Xhaminë e Madhe e ke të stërmbushur me të rinj e studentë, disa të rinj dikur të devijuar, sot të ulur me qetësi dëgjojnë ligjëratat e mulla Shefqetit. Kjo është padyshim udhëzim nga ana e Allahut.

Mulla Shefqeti diti edhe të gaboj, të përthekohet prej disa skandaleve dhe të zmadhohen pastaj ato prej mediave islamofobe, por kjo është natyrshmëria e çdo thirrësi, të cilit iu deshtë të merret me punë shumë të rëndë, ngase rrugë për të ecur kishte, por ajo ishte e ngulfatur prej mbeturinave.

Me kalimin e kohës mësova se edhe islami duhet ta ketë terminologjinë e vet. Aq më tepër kur sot shikova se edhe në Prishtinë kishte filluar të mbahet lutja e mëngjesit. Unë nuk e di se ata kujt iu lutën dhe për kë u lutën. Nëse ju lutën Zotit ata nuk përmendën fare ndonjë fe, kur dihet mirëfilli se ata që njohin vetëm Zotin dhe mohojnë fe, nuk mund të jetë gjë tjetër pos “ateistë të shëmtuar të veshur me gëzof të bukur”! Nëse ata u lutën për popullin e Kosovës nën emrin e këtij “ateizmi të shëmtuar të veshur me gëzof të bukur” atëherë ia kujtojmë se populli i Kosovës është me shumicë myslimane dhe se ata nuk duan të përfaqësohen në lutje prej atyre që mohojnë Pranuesin e lutjeve.

Kosova përmes këtij organizimi doli edhe njëherë sheshit për të treguar se islami ka qenë në kohën e Serbisë i huaj, ngase atëherë për disa kishte mjaftuar jehona e kambanave të kishës ortodokse dhe tani këtyre kambanave duan t’i hakmerren përmes zhurmës së “Katedrales së Rugovës” emër ky që do t’i vinte shumë mirë kësaj katedraleje, ngase Tereza fare nuk ka meritë për një gjë të tillë të cilën e ngriti Rugova.

Këta edhe pse duan ta tregojnë islamin si të huaj, vetë këta edhe pak për shqiptarët mysliman të Kosovës do të perceptohen si të huaj, ngase vendoren duan ta njohin për të huaj dhe të huajën, ashtu siç bëjnë edhe me produktet e Serbisë, duan ta njohin për vendore!

Gjithsesi shokët e mi kishin të drejtë atëherë, edhe pse nuk kishin sa duhet argumente të tregonin se togfjalëshi “Lutja e mëngjesit” është një shekullarizim i terminologjisë fetare, një parim i “ateizmit të shëmtuar me gëzof të bukur”. Për mua NAMAZI I SABAHUT përgjithmonë do të mbetet i tillë, do të jem fanatik në ruajtjen e gjuhës shqipe, do të jem përurues i përdorimit të sa më shumë fjalëve të cilat gjenden në pellgun e kësaj gjuhe, do t’i shporri gjithandej fjalët e huaja të cilat gjenden edhe në vargun e gjuhës sime të ëmbël e të pasur, por disa terme islame dhe tradicionale edhe pse nuk jehojnë shqip, unë do t’i ruaj dhe do t’i kultivojë ngjeshur, do t’i përdori me ngazëllim, qoftë edhe nëse nuk mbërrij krejtësisht t’ia kuptojë domethënien!

Lini një Përgjigje