Muhtari i Kasabasë sonë !!

18Dhj - 0 - Kategoria: Opinione

Të nderuar bashkëqytetar, ndoshta nocioni Muhtar është pak i vrazhdët për dikë, është demode, por ama vërtetë është shumë i mirë. Është i mirë sepse vërtetë është sinonim i demokracisë, edhe pse është me origjinë vjen nga orienti, ai është integruar, i plotëson të gjitha standardet dhe kriteret evropiane bile edhe jashtë evropiane. Është nocion modern, super modern, megamodern dhe postmodern. Pra ne nuk duhet ta humbim këtë titull vetëm nga shkaku se vjen nga orienti, ngase dikush është shumë alergjik për çështjet që vinë nga orienti –lindja, por se edhe drita vjen nga orienti – lindja, por ne e duam shumë sepse pa të s’ka jetë.   Nejse nejse, po mendoj mos t’ju lodhi shumë se s’ka shumë rëndësi nga e ka prejardhjen ky emër me rëndësi është çka fshehet në këtë emër.

Një komshi i kishte thënë Nasradin hoxhës, Nasradin, ç’pati mbrëmë një zhurmë te shtëpia juaj. Nasradini i tha: jo asgjë, gruaja ime u hidhërua dhe me hodhi mantelin nga lartë poshtë: Komshiu i tha: Po Nasradin shumë zhurmë u bë, e manteli nuk bënë kaq shumë zhurmë? Narsadini tha. Po edhe unë isha brenda në mantel !!Andaj po them, s’ka rëndësi emri por ai që fshehet pas emrit.

Ndoshta Muhtari jonë meriton emër edhe më të merituar se ky, por ja që ky popull assesi nuk po mund të integrohet me trendët e kohës dhe këtij muhtarit toni t’i gjejë emrin sipas meritave të tij.  Bile kjo është edhe një gajle shtesë e këtij umeti, po bisedojmë natë e ditë për këtë gajle, sepse s’po na merr gjumi, mos dikush të mendoj se për shkak të gajleve dhe derteve të zairës dhe të politikës, por për faktin si ta bëjmë Muhtarin e kasabasë sonë të lumtur, por fatkeqësisht akoma nuk po vijmë te kompromisi për të formuar konsensusin për këtë çështje.

Muhtari i kasabasë sonë, na donë neve shumë, sepse ai pa ne, vërtetë nuk mund të jetojë, andaj edhe ne e duam shumë. Ne asnjëherë nuk e kundërshtojmë, edhe kur na mbanë leksione nga sfera të ndryshme si ato etike, morale, humane, njerëzore, poltike ose edhe atëherë kur na tregon fabula.

Besoni të gjithë kasabatë tjera na e kanë zilinë për Muhtarin e kasabasë sonë. Ai është burrë me halle, edhe pse vërtetë nuk është shumë i rëndë në peshore, po ama, sekretin e burrërisë së tij ne e mbajnë shumë fshehtë “strogo doverlivo”. He, he, desh na e zbuloi sekretin një i huaj i cili kishte ardhur nga jashtë, nga një kasaba tjetër fqinje. Si duket ishte spiun i kasabasë së tij, por e kish kot se, ne nuk e shesim Muhtarin tonë. Këtë të drejtë ne nuk e kemi rezervuar për vete, këtë ia kemi besuar Muhtarit tonë, vetëm ai ka të drejtë ekskluzive të na shes neve, e jo edhe ne atë. Zoti na ruajt. Komshiu spiun nga kasabaja tjetër më pyeti. Pse e doni ka shumë muhtarin tuaj? Pa shiko or vëllaçko, pse ne e duam Muhtarin tonë kemi një milion arsye, por unë për ta ruajtur fshehtësinë po të tregoj vetëm një arsye. Ne e duam Muhtarin e kasabasë sonë, sepse ai na donë neve shumë. E more vesh. Po po, na donë neve andaj sa herë që e ftojmë në darka e dreka, e kemi aty. Bile për të mos na u bë monoton asnjëherë nuk na vjen me të njëjta rrobe, ai gjithherë e ndryshon ngjyrën e rrobave të tij. E kur nuk e ftojmë, nuk ka dëshirë të na shqetësojë. Bile nga ndjenja që aq shumë na donë neve kur ishte koha të zgjedhim Muhtarin tonë, na pat thënë: ju rrini rehat, fleni rehat, nuk ka nevojë të brengoseni se kush do jetë Muhtari i juaj. Mos u lodhni ju me procedura të kota të votimit, numërimit të kokrrave etj etj, unë kujdesem për ju. Unë i hedh kokrrat dhe i numëroj, pastaj nesër ju tregoj se në bazë të vendimit nga Komiteti, më falni Komisioni qendror zgjedhor, në mënyrë timokratike populli mi dha kokrrat mua, andaj prej sot unë jam Muhtari i juaj. E sheh vëllaçko sa na donë neve Muhtari jonë, s’ka dëshirë ta lodhë popullin e tij. Po po, kështu është demokracia, “kur unë flas ti duhet të heshtësh, e kur unë heshti ti sërish duhesh të heshtësh, se ndoshta unë flas” thoshte megafoni i kryedemokratit Husni Mubarak.

Mirëpo gjithkund vëlla ka njerëz të mirë dhe të këqij, e edhe në kasabanë tonë, por për dallim nga vendet tjera, në kasabanë tonë ata që janë të këqij, që nuk ia duan të mirën e popullit dhe Muhtarit tonë janë pak. Muhtari i kasabasë sonë, është ekspert për këto çështje, vetëm nëse dikush e hap gojën, me përjashtim te dentisti, ai e din menjëherë se ky asht armik dhe element destruktiv dhe menjëherë pasojnë sanksionet.

Muhtari i kasabasë sonë është njeri transporter, jo mor, si i thoshim morë këta të politikës trans trans transparent, ai për të gjitha sukseset e popullit, menjëherë raporton para popullit. Hë hë, po ta kishit dëgjuar raportin e tij këtë viti, respektivisht raportin me rastin e përcjelljes së vitit të vjetër dhe ardhjes së vitit të ri.  Muhtari i jonë në stilin e babadimrit shpalli se viti që po e lëmë pas nesh është viti i sukseseve të Muhtarit tonë, e ky që po vjen është viti i projekteve, andaj ju siguroj edhe v….. të sigurtë. Hajde hajrli qoftë, tha njëri për rreth, derisa Muhtari në stilin e papagallit raportonte për sukseset dhe projektet, inshallah këtë dimër bie borë shumë, se si na ka nxehë Muhtari, s’kemi dert për të ftohtë. Bile edhe rrugëve tani më nuk kemi me ju hedhë krip, por sheqer, se kripa e dëmton Muhtarin e pastaj s’mund t’i realizoj projektet pastaj.

Po e mbylli me fjalën: rroft Muhtari jonë, apo si thonë ata të nënës Shqipëri: Na rrofsh muhtari jonë !!

Shkruan: Jusuf ZIMERI

Lini një Përgjigje