Mos të zëntë terri në Llojan

22Dhj - 0 - Kategoria: Llojani Mbi Llojanin

Komuna e Likovës sikur mbretëritë që trashëgojnë lloj-lloj kontestesh e borxhesh, kjo e jona lere që i trashëgojë këto të dyjat, porse varganin e trashëgimisë e shfrytëzojë për arsyetime të mos ecjes përpara, duke i gjetur çdo gjësë arsye: mos zhvillimin ekonomikë me larjen e borxhëve që i kishte lënë kryetari para këtij të sotmit, mos transferimin e një pjese të administratës së Kumanovës në këtë komunë me mungesën e kapaciteteve hapsinore dhe njerëzore dhe shumëçka tjetër me gjithëçka tjetër banale.

Si rrjedhojë e borxhëve ndaj EVN-së, që kuptohet, i kishte lënë ai që ishte para këtij, në tërë komunën u ndërpre ndriçimi publikë, me disa përjashtime. Ai që merr rrugë prej Kumanovës për në Llojan, ka gjasa t’i dëmtojë sytë prej ndryshimit të skajshëm të dritës. Në Reçicë, një fshat ky i banuar më shumë me serbë, çdo skaj i ngushtë është nën dritën e ndriçimit publikë. Ndërsa posa të hysh në Vaksincë, ke për të parë se nuk je duke parë aq sa shihje në Reçicë. Kurse edhe kur të hysh në fshatin Llojan, vështirë është të dallohet se ke mbërritur në ndonjë vend të banuar me njerëz apo në ndonjë vend që njëherë në dekadë vizitohet në cilësinë e një fshati të lashtë, ngase qysh në hyrje përpos territ, që me besnikëri vazhdon ta shoqërojë natën e këtij fshati, nuk mund të shohësh asgjë tjetër, me përjashtim të dritave të veturës me të cilën je duke udhëtuar përgjatë atij terri, që gjithnjë e më shumë krijohet përshtypja se këtë fshat, dikush është i interesuar ta ruaj dhe mbaj ashtu si e ka krijuar Krijuesi, duke ngjarë me njeriun lakuriq, që për hir të asaj që ai sa më shumë të ngjan me origjinalin në barkun e femrës, dikush kishte vendosur të mos i vesh fare rroba, ngaqë u frikuaka se po ia humb natyrshmërinë e lindjes.

Llojani në muzgun e hershëm dhe atë të vonshëm, vazhdon të mos shihet, të ngjanë me hapësirat e vdekura dhe të trishtuara, ku një lëkundje e gjethit prej erës, mund edhe të t’i shtie ethet në bark, ngaqë kalimtari pa fener publikë, lëvizjet e florës, mund t’i perceptojë si vërsulje të faunës.

Lini një Përgjigje