Maturantët me një maturi të cekët!

17Pri - 0 - Kategoria: Opinione
Shkruan: Iljasa SALIHU

Arsimi i njerëzve duhet të niset me fjalë të urta dhe të mbaron me mendime të arta, – Seneka.

Sa shpejt kaluan katër vite, ishte një kënaqësi e paparë të ishe nxënës i shkollë së mesme, jemi kënaqur e hajt, të kujtohen shakatë joshëse që talleshim me profesorin, kënaqësinë e dashurisë që e gjeta gjatë këtyre katër viteve nuk do ta harrojë kurrë, të kujtohet kur i shkreti profesor na këshillonte që të blejmë libra dhe të lexojmë sa më shumë, ha, ha, ha, – vargan fjalish këto që janë bërë aksiomë e çdo maturanti, në vend të kujtimeve për librin dhe kapacitetin e nxënies së diturisë. Mbase kjo kundërthënie fatale me thelbin e asaj për të cilën nxënësit regjistrohen nëpër shkolla të mesme, nuk përfundon vetëm me retrospektivën që ngjallë nostalgji dobësie e të ulët, porse ajka përvijuese e gjithë atij rrugëtimi të mbrapshtë, artikulohet në ditët e përgatitjes së festimit të natës së fundit, thuajse kanë ndonjë arsye për të festuar.

Për çfarë në përgjithësi njeriu feston? Shumë njerëz japin gjithçka vetëm e vetëm që të mund të mbërrijnë diçka të dobishme për veten dhe shoqërinë. Burbuqet e para të këtij suksesi, sikur na bëjnë me dije se djersën e asaj sfilitje duhet përvijuar dhe shënuar në një ditë dhe datë të caktuar, që të mund të përkujtohen sfidat e atij shtegtimi të mundimshëm, mundim që së bashku me durimin materializojnë qëllimin e synuar më parë, ku buzëqeshjet me miq dhe shokë do t’ia vendos kapakun asaj vorbe, brenda së cilës u bë ngjizja dhe zhvillimi i një të arriture të caktuar. Kjo është festë e vërtetë, ku me entuziazëm të madh gjithsecili arsyeshëm do t’i gëzohet kësaj feste, ngase sikur pranë tyre me ngazëllim qëndron produkti i asaj sfilitjeje.

Ç’të thuash për ata që katër vite i kaluan në argëtim dhe pas kësaj zvarritje thuajse të kotë dhe të dëmshme, prapë në fund të vitit kërkojnë argëtim, mbase tash kërkesën për një veprim të tillë e bëjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ndonëse, fillimisht nxënësit e paskan rastin ta festojnë mbrëmjen e maturës, pse vallë të mos kënaqën, ngaqë dikur këtë natë me nostalgji të ëmbël do ta kujtojnë, – fjali që shpesh përsëritet prej prindërve dhe disa profesorëve. Ana e mirë e kësaj mendësie është pranimi i faktit dhe realitetit se gjëja e vetme që këta nxënës dikur do ta kujtojnë me nostalgji të ëmbël qenka festimi i kësaj mbrëmjeje. Ky është edhe objekti i brengosjes së shumë dashamirëve të shkencës dhe moralit, ngase qysh në fillim dhe prej “kujdestarëve të dijes dhe të moralit” të proklamohet se në kujtesën afatgjate do të struket mbresa e mbrëmjes së maturës, dëshmon se mbresat dhe dituritë e mbledhura gjatë katër viteve, as që do të vijnë në shprehje të kujtohen dhe përdoren ndonjëherë, ngase ato për një maturant të sodit dhe një prind a profesor, s’po ekzistuakan. Nga kjo shihet se faji i deficitit (mungesës) arsimor dhe moral nuk qenka vetëm tek nxënësit!

Të habit fakti se si është e mundur që një profesor ta harrojë aq shpejtë mosdisiplinën dhe mosmësimin e atij nxënësi, që katër vite ishte prezentë në klasë në cilësinë karrigeve apo dërrasës së zezë. Milionat e problemeve, sikur duan të shuhen brenda natës, me këtë të arsyetohet ajo plogështi dhe intrigë e paparë e nxënësit të sodit, veprime këto që gjetën shtrat në mendësinë e profesorit të sodit, i cili brengosjen e katër viteve për cilësi të dobët arsimor, disiplinë të ulët dhe për imoralitet në rritje, i shndërrojë sa ora në dëshmi të rrejshme, metamorfozë kjo që do t’i shërbejë për mbrapshtë shumë gjeneratave të ardhshme. Me të drejtë thoshte hoxhë Jakup Hasipi, Zoti e mëshiroftë, kur u drejtohej llojit të këtij profesori me vlerësimin: “O ti profesor, për katër vite e dëshmove vetën se sa ndikove në arsimimin dhe edukimin e nxënësit, edhe atë, pikërisht kur në mëngjesin e hershëm (pas mbarimit të festës së maturës) ia dërgove djalin e helmuar prej alkoolit prindit në shtëpi”, fjali kjo që dikujt mund t’i duket e tepërt dhe vlerësim i fryrë, por për fatin tonë të keq veprimet e kuptimit të kësaj fjali, sot kanë shkuar edhe disa hapa më përpara, ngase përpos helmimit me alkool, në prezencë të syve të verbër të profesorëve, disa vajza të “shkolluara” dhe të zhveshura në skajshmëri, në mëngjesin e hershëm po trokasin në derën e shtëpive të tyre pa gjënë më të shtrenjtë të tyre, sepse ndërmjetësimi i alkoolit, njëherësh ky edhe asgjësuesi i tërë turpit, i kishte detyruar që vajzat e njoma tutje të trokasin në dyert e imoralitetit. Kjo vrasje e shpirtrave ishte si rrjedhojë e orientimit të harbuar në punë të këqija. Brengosja katërvjeçare për shoqëruesin/en (partnerin) me të cilin do të defiloj lirshëm në prani të familjes dhe shokëve tjerë, lakuriqësia në mbrëmjen e maturës, (mos)mësimi, shkuarja në ekskursion dhe shoqërimi në vende të mbyllura me meshkuj, si dhe lëshimi pe i skajshëm i profesorëve dhe i prindërve, janë disa prej faktorëve që vajzat dhe djemtë i detyruan që greminën e turpit ta pranojnë si diçka normale, ku patjetër duhet rënë aty.

Mua para dy viteve më gëzoi veprimi i disa djemve të rinj të rrethinës së Kumanovës, ku mbrëmjen e maturës kishin vendosur ta bojkotojnë për arsye të rezultatit të përgjithshëm arsimor tejet të dobët dhe për shthurjet morale që po zë vend brenda mureve të asaj mbrëmje të maturës. Veprime të tilla janë për t’u përshëndetur, porse disa profesor atë veprim kishin filluar ta quajnë si veprim ekstrem, thuajse këta nxënës e kishin harruar se jemi duke jetuar në Evropë dhe të mbërthyer prej petkut (pas)demokrat. Mua më vjen keq se këta profesor shumë shpejtë, jo përmes fjalëve, por përmes veprimeve të dhembshme të fëmijëve të tyre, do ta kuptojnë se veprimet e këtilla degjenerues janë shumë të dëmshme, veprime që janë duke e ndihmuar venitjen e nocionit mësues, njerëzi dhe libër, mbase edhe veprime që do t’i shtyjnë prindërit të mendojnë rreth harxhimeve (diku 300 euro, një pagë e punëtorit shtetëror dhe dy paga të një hamallxhiu privat) të tepërta që bëhen për kësi lloj ahengje rrënuese të moralit dhe dëshmi se harxhimet financiare të katër viteve për arsimim të fëmijëve, paskan shkuar kotë së koti, sepse fëmijët për katër vite s’paskan arritur të mësojnë se ajka e moralit dhe e diturisë nuk përkon fare me mënyrën e festimit të

kësaj nate, porse veprimet e çmenduara para dhe gjata kësaj nate praktikisht ia dëshmuan prindërve dhe profesorëve të tyre thënien: “Ç’të mbjellësh do të korrësh”!

Lini një Përgjigje