Mali digjet komuna dhe drejtoritë krihen!

27Gus - 0 - Kategoria: Llojani

Ka ditë që mali dhe fusha gjithandej digjen. Përpos që mjedisi i gjallë është shndërruar në kufomë mu në mes të mjedisit, era dhe thithja e tymit janë bërë të padurueshme dhe padyshim seriozisht të dëmshme për shëndetin tonë. Të reshurave të rralla me gjasë do t’i ndihmojë tani edhe më tepër “avullimi” i avullimit, që bëhej i mundur përmes dendësisë së pyjeve dhe bimëve të ndryshme. Shkencëtarët e botanikës pohojnë se me zhdukjen e bimëve të llojeve të ndryshme do të ulet mundësia për reshje të shiut, ngaqë procesit të avullimit do t’i mungojë lënda e parë.

E keqja bëhet edhe më rrjepane, kur organet përgjegjëse për parandalimin dhe shërimin e asaj të keqe, bëjnë sehir në vend të ndërmarrjes së hapave konkrete. Parandalimi është shumë i qartë dhe shumë i lehtë. Mjafton të jetë më syçelë policia pyjore. Kësisoj, për të qenë kjo më syçelë, duhet të jetë vetë Ministria e Punëve të Brenshme syçelë dhe e vetëdijshme për pasojat e përgjumosjes së tillë. Pasaj edhe Ministria e Mbrojtjes, e cila në rast rreziqesh dhe kanosjesh së mjedisit dhe qytetarit në bashkëpunim me Shtabim e Përgjithshëm të ARM-së, duhet t’i dalin në ndihmë malit seç po lakuriqësohet prej zjarrit, çdo ditë e më tepër.

Zjarri vërshëllon në çdo anë dhe flakëron me mijëra instekte, të cilët tokën e vdekur e gjallërojnë dhe sërish institucionet në fjalë nuk ndërmarrin asgjë. Turp! Mjerim për popullin dhe pasuritë e tyre!

Me këtë dukuri të zjarrit dhe shpresës se një ditë ai do të fiket ai vetvetiu, u përballë edhe fshati Llojan, në të cilin nuk mbeti arë pa u djegur dhe tani, gjegjësisht pardje, pamë se malin sipër fshatit e kishte kapluar një zjarrë i llahtarshëm. Zjarri duket se nëpër fusha e bëri të vetën, kurse tani malit ia ka mësyer shumë seriozisht. Tym ditën e tym natën në fshatin Llojan. Fshati i cili shquhej për ajër të pastër është trajtësuar në një fabrikë që vretë përmes tytës së quajtur oxhak. Mbase vrasje nuk bën vetëm ai që vret, porse edhe ai që nuk parandalon dhe nuk ndërmerr diçka për ta shmangur atë vrasje, mund të llogaritet si pjesëmarrës i asaj vrasje. Kjo është Komuna e Likovës e cila nuk dëgjohet e gjallë edhe për këtë fatëkeqësi njerëzore dhe natyrore, e cila duhet të përmblidhet, të lajmërojë për rreziqet, ta bashkëpunoj me drejtorinë për udhëheqje me kriza, fundja të kërkojë ndihmë edhe vullnetare prej popullit, vetëm e vetëm që ta ulë përshkallëzimin e mëtejmë të këtij zjarri, rezultati i të cilit mund të jetë shtrirje edhe në fshat dhe qelosje të pyllit që do të shoqërohet me mijëra pasoja të tjera. Çdo ditë e më tepër kjo Komunë vijon të jepë shenja vdekjeje, jo pse duam vetëm ta kritikojmë atë, porse është bërë një e nemitur që përmes heshtjes keqas është duke prerë e vrarë. Nuk jemi kundër të parit të kësaj Komune si njeri, por kundër këtij njeriu i cili aspak nuk punon si i pari i kësaj Komune!  /Llojani

Lini një Përgjigje