Llojani ndërmjet të pabërës dhe të pritshmës

19Mar - 0 - Kategoria: Opinione

Të flasësh në fshatin Llojan përgjatë fushatës zgjedhore, madje edhe para e pas kësaj fushate për investime kapitale në cilësinë e zyrtarit shtetëror, përpos që do t’i fyesh banorët e kësaj “shkretëtire” edhe do të lësh mbresa të atij që krenohen se ka pastruar shtratin  e lumit duke qenë se ai vend përpos disa përroskave nuk ka ndonjë rrjedhë tjetër të ujit. Prej vitit 1972 banorët e kësaj ana për çdo projekt, qoftë edhe ai simbolik, kishin dhënë të holla prej xhepit të vetë, xhep ky i cili asnjëherë nuk e kishte kursyer djersën e vetë edhe për obligimet juridike që i takonin arkës së shtetit, arkë kjo e cila në vazhdimësi ishte dhe është treguar shumë koprrace për sa i përket kthimit të mjeteve financiare atje ku banorët vuanin edhe për gjëra themelore.

Tani nga ky fshat kemi kandidat të mundshëm për kryetar të Komunës së Likovës. Nën rrungajën e harresës së këtij fshati, krejt beftë, shfaqet njeriu i cili para se të merret me atë se çfarë ka bërë, brengoset me atë që çka do të bëj. Banorët e këtij fshati shpesh i kemi dëgjuar duke thënë, – nuk jemi PDSh, por do t’ia japim votën vendasit tonë, jo për faktin se është i yni, porse ai që sot kërkon votën, për katër vjet nuk bëzajti fare për këtë fshat, madje as për komunën në përgjithësi.

Në Llojan pritet që bindshëm të fiton Murtezan Idrizi (mësues Xana, siç e njohin nxënësit e tij), por një frikë qëndron në sytë e këtyre të shkretëve. Ata me të drejtë thonë, nëse vetëm në disa fshatra fiton z. Murtezani dhe komunën e merrë sërish z. Sadullahu, atëherë a do të zyrtarizohet përfundimisht anatemimi i atyre që guxuan të mendojnë (votojnë) ndryshe prej asaj që mendon i pari i “kasabasë” së komunës më të varfër në Maqedoni?

Mbetet të shihet, por lusim Zotin të fitoj ai që në rend të parë nuk e ka ndërmend t’i hakmerret atyre që guxuan të mendojnë ndryshe. Të fitoj ai cili bëri diçka, ai i cili pritet të bëj ndonjë gjë për të mirën e qytetarëve të këtij pirgu të thatë dhe të ndëshkohet ai i cili pluhurin dhe gropat i soditi si të mira natyrore të paprekshme! Llojani.info

Lini një Përgjigje