Leximi i librit dhe teknologjia

13Dhj - 0 - Kategoria: Opinione
Autor: Xhabir Islami
Autor: Xhabir Islami


I nxitur nga një publikim në faqe të një rrjeti social, të cilin djali im një ditë ma tregoi, ku një i ri kishte shkruar: Një ditë të tërë ra rrjeti dhe nuk kisha qasje në të. Për këtë shkak m’u desh të zbres në dhomën e ditës dhe u habita se sa njerëz të mirë kishin qenë këta të shtëpisë sime, kishte një kohë të gjatë që s’i kisha parë.

Edhe mua më ndodhi thuajse e njëjta gjë. Rryma u ndal që pasdite vonë. Njëherë nuk e hetuam edhe aq mungesën e saj, sepse ende na mjaftonte drita natyrore. Me të filluar terri u shtriva pak të pushoj. Sa më kishte kotur gjumi një mesazh nga celulari ma prishi kotjen. Mora celularin dhe u përgjigja, por kisha një pengesë sepse bateria ishte kah fundi dhe rrjeti i celularit ishte dobësuar aq shumë saqë mezi shkonin mesazhet e shkurta. Vendosa të braktis celularin dhe të merrem me diçka tjetër. Kisha një llambë të mirë e cila bënte mjaftueshëm dritë. Duke soditur nëpër dhomë pash librat në raft nën televizor. Ide e mirë mendova të marr një nga ata e të filloj të lexoj diçka. Shfletova e shfletova dhe më në fund më bëri përshtypje “I humburi” nga Fatos Kongoli. Kishte kohë që e kisha lexuar dhe kisha humbur, mos të them edhe thelbin e romanit, por rrjedhën e tij gjithsesi. Kishte kohë që gjatë leximit nuk isha bërë mish e asht me një libër. Llamba më shërbente në mënyrë tepër besnike. E unë shijoja leximin deri në maksimum. Përmbajtja e një romani kurrë nuk më kishte qenë aq e kapshme dhe aq thellë isha zhytur sa që nuk e vërejta dobësimin e llambës me bateri. Rastësisht më shkuan sytë dhe pash sinjali lajmërues i cili tregonte se llamba ka nevojë për mbushje. Po rryma na kishte harruar edhe pse dy ditë më parë kisha paguar një çek për një muaj dhe me kamatë për vonesë diku afër 13000 denarë. Ç’të bëj, fillova të hulumtoj për ndonjë qiri, por më kot. Leximi më kishte ekstazuar dhe duhej patjetër të vazhdoj se ndryshe nuk bën. M’u desh të shkoja në shitoren afër për të marr ca qirinj. Nga tre që mora një e ndeza në korridor një në kuzhinë e një e lash për të vazhduar leximin. Isha futur në lojë dhe nuk mundja ta lë në gjysëm. Fillova, por një qiri ishte pak , afrova edhe atë që kisha lënë në kuzhinë dhe vazhdova. Aty pashë vetën se sa jemi të huaj kundrejt librit, sa jemi tjetërsuar e sa na ka kap gremçi i teknologjisë e ne jemi bërë rob të teknologjisë. I madh e i vogël, plak e fëmijë, grua e burrë e pa marrë parasysh se çfarë kombi, feje e ngjyre njeriu ka, të gjithë zihemi në të njëjtin kazan që flakën e kontrollon teknologjia e kohës.

Dikur më vonë u kthye edhe djali im. Por kjo fare nuk ma prishi terezinë. Unë vazhdova të lexoj derisa u lodha mbi libër. U shtriva të fli në dhomën e ditës sepse vetëm aty na ngeli vend i nxehtë. Ora katër rryma ma nxjerri gjumin. U ngrita, fika dritat dhe vazhdova gjumin deri në mëngjes. Kur u zgjova nuk lëviza nga shtrati, ngase ishte e shtunë dhe nuk kisha ndonjë obligim të veçantë. Kapa libri dhe u shoqërove me të edhe dy orë të tëra. Ende ngrohtësia e librit po më shoqëron, mirëpo herë pas herësh po ndihem keq se pse vetëm fashitja e rrymës më dërgoi deri te libri. Vallë, a nuk ia vlen ta ndajmë një kohë edhe për librin në letër, mbase duke mos e anashkaluar as përdorimin e matur të teknologjisë, por jo edhe të fundosemi në detin e teknologjisë, ngaqë si njerëz që jemi, sikur harruam se kemi filluar gjithnjë e më shumë t’i ngjajmë robotëve. Harruam se robotët i krijuam për të na shërbyer neve dhe jo për t’i ngjarë atyre!

Lini një Përgjigje