Kyçeni trurin për ta parë mjerimin!

5Jan - 0 - Kategoria: Opinione

Pak para gjendocidit serb në Bosnjë, organet shtetërore serbe që mbanin të rrethuar civilët boshnjakë, i kishin lajmëruar organizatat ndërkombëtare se civilët e zënë peng, kishin nevojë të menjëherëshme për produkte higjienike.

Ndërkombëtarët duke mos dashur ta shohin tmerrin e vërtetë në tokë, përmes helikopterit, atyre që për javë të tëra nuk kishin futur asgjë në gojë, i kishin hedhur furçe dhëmbësh. Sikur pulat që me yrysh mblidhen kur pronari tyre i ushqen, ashtu edhe ata me lëvizje të çakërdisura prisnin prej lart ushqim që do ta arsyetonte prezencën e lukthit brenda organizmit të tyre. Ç’të presin të gjorët, furçë dhëmbësh, mbase dikush sikur kishte menduar që me gojë të pastruar dhe me erë të mirë t’i përcjell për në botën e amshuar. Këtë ngjarje ma kujtoi përurimi i broshurës së re, “Kurse, kyçe trurin, shkyçe rrymën”, autore e së cilës është Ministria e Ekonomisë. Edhe pse gjëja e parë që mua më shkoi ndër mend ishte ngjarja e sipërcekur, kjo nuk domethënë se vijëzat e paralelës janë të njëjta me atë ngjarje, porse çuditërisht mua mendja më vajti atje.

Sot çdo ekonomist do të dilte qesharak nëse e këshillon të kursejë para atë që merr ndihmë sociale 50 euro, kur dihet mirëfilli se vetëm shpenzimet e domosdoshme në muaj në Maqedoni janë afërsisht 250 euro, shumë kjo që ta arsyeton mbijetesën dhe assesi jetesën! Njëlloj është edhe t’i këshillosh për izolim muret e shtëpive ata që as themelet për shtëpi nuk arrisin t’i mbjellin në tokë, duke u detyruar për dekada të tëra të jetojnë në komunitet, ngaqë sistemi financiar në këtë shtet që kërkon shumë më shumë se sa të jepë, një gjë të tillë ta pamundëson.

Nuk jemi kundër përmbajtjes së broshurës, me sa arritëm ta shohim, ajo ishte për merak, por kumti i tyre në prezencë të kushteve tona të mjerueshme, ishte i ngjashëm me furçet e dhëmbëve në prezencë të barkut bosh. Nuk është problemi se nuk dimë të kursejmë, edhe pse metodat më të mira për kursim asnjëherë nuk do t’i refuzojmë, porse para këshillave për kursim, kemi nevojë të krijojmë kushte për kursim, pra të kemi çka të kursejmë. Përmes këtyre kumteve gjithnjë e më shumë më krijohet përshtypja e paraqitjes së gjërave ashtu siç nuk janë. Kështu, përmes përfoljes së metodave të kursimit të rrymës, krijohet përshtypja se qytetarët i paskan plotësuar gjitha kushtet që ia mundësojnë pagesën e rrymës në mënyrë të rregullt dhe ja tani paska ardhur koha për këshilla në formë urdhërore e miqësore se si të blejmë sende që do të mund t’i shkurtojmë shpenzimet e rrymës elektrike, në kohën kur shumica e qytetarëve nuk ka para as për të blerë sfungjer për një dritare të vetme dhe të mos flasim për blerje të aparateve për amvistri, që sot për standartin tonë janë shumë të shtrenjta. Në vend se të punohet në përmirësimin e kushteve socio-ekonomike, ata këshillojnë kursimin në kohën kur të ardhurat as që duan të përpjestohen me

kursimin, ngase një formulë e tillë në Maqedoni është utopi, me përjashtim të rasteve të vogla, të cilët pushtetin e shfrytëzuan si lokomotivë tregtie.

Çmimi i karburanteve çdo ditë e më tepër rritet, çmimi i ngrohjes ka filluar t’i ngrohë gjakrat e qytetarëve, edhe atë në kohën kur nuk po flitet gjithaq për ngrohjen botërore, rryma gjithashtu, produktet ushqimore dhe materiale vazhdojnë të mbesin të paprekshme për një pjesë bukur të madhe të popullatës, papunësia ka gjetë shtrat të ngrohtë në divanin e këtij shteti dhe pagat për shkaqe të krizës financiare botërore nuk lëvizin përpjetë. Ky shtet, nëse me të vërtetë ia do të mirën qytetarëve të vet, atëherë le të mendojë dhe të punojë ditë e natë për mundësitë e krijimit të klimës për biznes të ligjshëm, të tërheqjes së investitorëve të jashtëm, por jo pastaj duke i rrëfyer dhe krekosur me Aleksandrin e Madh, ose duke i kërkuar investitërve të jashtëm dhurata që përuronin këtë figurë, siç ishte rasti me kompaninë turke Tav, që me dëshirë të tyre apo pa dëshirë, drejtori ia dhuroi të ngrirë Aleksandrin kryeministrit të vendit. Pastaj të mendojnë në uljen e akcizës së karburanteve, uljes së papunësisë, uljes së çmimeve që janë me rëndësi jetike për qytetarët dhe në fund të gëzuar prej kësaj ulje, le ta ngrisin kokën përpjetë, duke i ngritur kështu edhe pagat e të punësuarve, angazhim ky që do të ishte në të mirë të buxhetit, të investimeve kapitale, në të mirë të qytetarëve dhe në të mirë të vetë shtetit.

Përndryshe këshillat e mira për kursim të rrymës, do t’i kursejmë për kohë më të mira, kohë që edhe dielli me rrezet e tij do të shëmbëllejë në sofrën tonë të begatshme.

Iljasa SALIHU

Lini një Përgjigje