Kush ju krodhi?

22Jan - 0 - Kategoria: Opinione

Desha por nuk guxova, ngase prapë nuk guxoj ta them, ndaj vetëm po e lëshoj në një letër të bardhë. Ç’të duhet liria pa të drejtën e të shprehurit, jo, jo unë prapë nuk do ta them, vetëm po e shkruaj atë që në rezervuarin tim të filtrimit quhet jo e mirë dhe jo e bukur. A thua nuk ekziston vepra e keqe në këtë nënqiell? Vallë, mungon krimi mbi këtë tokë, meqë nuk munden të them në tokë, si dhe një oqean pyetjesh tjera?! Si përgjigje të pyetjeve të kësaj natyre mund të ilustrojmë pohimin: “Unë jam kriminel, unë jam i keq, unë jam diktator”, unë nuk munda askund të lexoj fjali të këtilla, nëse ndokush ka hasur në fjali të tilla, do të isha mirënjohës nëse më tregon autorin dhe titullin e librit, qoftë edhe broshurë. Askund nuk e lexova në studimet e jetës së Hitlerit, të Gadafit, apo të Gadafit të Ballkanit, një gjë të ngjashme, në të gjitha përshkrimet e tyre lexova: “Unë i bëra për të mirë të popullit tim”! A thua populli i tyre qenka vetëm familja dhe ushtarët e kampanjës vjedhore, në fakt zgjedhore? Pyetjet nuk kanë të ndalur. A mundemi të gjithë të bëhemi familje apo ushtarë të tyre? Po më habit fakti, që kur jemi në veprim të arritjes së qëllimit, të gjithë bëhemi më katolik se vet Papa. Po, po, gjatë kësaj lëvizjeje letra e mbushur me pikë më të ndjeshme të të nënshtruarve, sa për kujtim të harresës, nëse ne i marrim kokrrat e juaja ne vetëm shqip do të flasim, madje edhe atë gjuhë të cilën e keni mësuar do ta harroni, të gjitha shtëpitë do t’i shitni sepse ne do ju japim banesa me pishina, ne do të hapim kufirin e Llojanit, ne do të ua hipim rrogat e të ngjashme. Menduam se vërtetë rrogës i thonë rrogë, e bukës bukë, por me fjalën rrogë ata kishin menduar në rritje të rrymës, në rritje të derivateve të naftës, në rritje të të gjitha artikujve tjerë përveç rrogës. Ne flamurin do ta grisim më falni do ta ngrehim, po këtë e realizuan, u lumtë, në fshatrat e pastra shqiptare e ngritën flamurin, duke menduar në përgjigje të pyetjeve të asaj fushe, mbase harruam se duhet të punojmë, harruam të lexojmë, harruam të futemi në borxh për të shkolluar fëmijët tanë, duke harruar ta harrojmë edhe fenomenin e harresës. Fatkeqësisht kur u ulën në kolltuk, aty nën kishte qenë një mi, miu kishte qenë i uritur dhe ia kishte ngrënë letrën. Madje lëre që e humbën letrën e premtimeve, miu ia dëmtoi edhe shqisën e të dëgjuarit, po, po, që kur kolltuku u ul në kokë të tyre, nuk dëgjojnë asgjë që është kundër të parëve të tyre, madje as që shohin sytë e tyre. Sytë u funksionojnë po ashtu edhe veshët, por brohoritjet të cilat bëhen ndaj identitetin tim personal, nuk dua të merrem me identitetin e tyre ngase është e drejtë e tyre, identitet imi i cili i takon shqipes krenare, thënë troç: partneri i tyre i kurorës në një ndeshje hendbolli të mbajtur afër “mollës së kuqe” e fyen letërnjoftimin tonë. Unë së paku do e them në këtë letër, meqë nuk kam jam i legjitimuar të flas në emër të askujt tjetër, ndaj nuk mundem ta bëjë një gjë të tillë. Ata të mjerët fyerës ishin të fyer nga vëllezërit e tyre nga gjaku e nga kisha dhe nuk ia kthyen atyre, por fyen shqipen të cilën e mbajnë si rezervë të artë për shfryrjeje të mospranimit të tyre, madje atje kishin shkuar me pagesën e TVSh-së sime. Unë një fshatar i vogël në këtë botë të madhe e dëgjova atë, ata të cilët duhet ta dëgjonin nuk deshën ta dëgjojnë, ndoshta nuk u ndjenë të fyer, ose nëse e dëgjonin do të thyenin kurorën. Shpresoj se me këto shkronja nuk kam bërë mëkat ndaj burokracisë, ngase admirali polak Hyman Rickover i lindur në Janar të vitit 1900 thotë: “If you are going to sin, sin against God, not the bureaucracy. God will forgive you but the bureaucracy won’t”- Nëse bën mëkat, bën ndaj Zotit e jo ndaj burokracisë. Zoti do të ua falë, kurse burokracia nuk do ua falë. Kujdes: është mirë të jetosh i varfër, por të vdesësh i pasur. Nuk është mirë të jetosh i pasur e të vdesësh në gypa të kanalizimit, po, po kjo ndodhë atëherë kur populli tërbohet!

/albtime.com
Shkruan: Qerim ISUFI

Lini një Përgjigje