Kush e nisi luftën ma i pari ?!

6Dhj - 0 - Kategoria: Opinione

Ndoshta shumë gjëra në Ballkan janë integruar drejt botës integruese aq shpejtë saqë nuk ka ngelur asgjë pa u integruar, e tani sërish fillojmë nga e para, apo siç thoshim kur ishim të vegjël duke luajtur me gogla “pistiklar”. Aj pra të fillojmë nga e para. Kur ishim në shkollë, normalisht në sistemin e arsimit monist me plotë mastalgji e mësonim se pushka e parë ka krisur në Prilep dhe në Kumanovë, dhe atë me 11 tetor, nëse nuk kam harruar. Ja si përsëritet historia, pas disa dekadave u desh që të vjen 2011 që sërish të përsërit historia për të krisur pushka e parë dhe atë pikërisht nga Prilepi, por për fat të keq kësaj radhe nuk e qëlluan tetorin por Nëntorin. Ndoshta kjo është simbolika se kjo pushkë ka krisur dallash thoshin pleqtë tanë.

Dallimi qëndron vetëm në faktin se atëbotë patë pushka e parë patë krisur për tu liruar nga fashizmi gjerman, e tash nga nacionalizimi dhe irredentizmi shqiptar, sepse “vetëm shqiptarët e vdekur janë të mirë” e këto të gjallët janë halë në sy! Nëse në bazë të të dhënave historike kemi konstatuar se pushka e parë e krisur në Prilep dhe Kumanovë, dhanë rezultate sepse e çliruan vendin nga Gjermanët, kësaj radhe si duket pushka ishte e ndryshkur dhe gjuante pak si shtrembët. Nejse, në Prilep, kombëtarja Maqedonase në ndeshjen (ar)miqësore, me paaftësinë e saj për të mposhtur kombëtaren Shqiptare në terrenin e gjelbër, fansat e kombëtares maqedone vendosën të krisin një pushkë për të trishtuar shqiptarët dhe për tu treguar se këtu jetojnë maqedonasit “sllavo-antik prijatarët” e kulturës në glob, bile edhe jashtë globit!

Nejse, n vend të frikës lindi reaksioni, kur vetëm disa ditë më pas fansat shqiptarë në R. e Kosovës dogjën flamurin e R. së Maqedonisë. Ky akt, s’ka dilemë se është i shëmtuar dhe për tu gjykuar, sepse këto janë akte të qyqarëve dhe frikacakëve, e qyqarllëku nuk është veti e shqiptarëve. Ky akt u gjykua edhe nga Qeveria i R.

Kosovës edhe nga organizata e futbollit Kosovar, por ku ngeli gjykimi i Qeverisë maqedone ndaj aktit të Prilepit. Pra, kjo jep me kuptuar se djegia e flamurit të Maqedonisë ishte si reaksion shumë më i madh ndaj politikës së qeverisë maqedone se sa ndaj fansave në Prilep.

Pak më vonë ndodhi edhe një aksident dhe atë pikërisht ditën e flamurit shqiptar, kur disa të rinj në Teovë kishin ekspozuar karta të Shqipërisë së madhe. Op, policia policia e maqedonisë menjëherë në aksion, arrestime, burgosje, pyetje përgjigje, maltretime psikike e ndoshta edhe fizike, dhe në fund me padi penale për këta të rinj, me pretekstin se të tillë kanë bërë vepër penale. Kështu thotë Kodi penal i Maqedonisë, sepse paraqitjen e kartave të shteteve të mëdha në Ballkan, e sheh si veprim penal. Mirë boll, ama paraqitja e kartës së Maqedonisë së madhe me pretendime territoriale ndaj të tjerëve nuk qenka veprim penal, por përkundrazi, akt patriotik. Po pra, sepse karta e Maqedonisë së madhe është shpalosur para syve të patriotëve që udhëheqin me qeverinë e Maqedonisë dhe atë në shtetin Amë, e kjo karta e Shqipërisë së madhe në ilegalitet. Ky ishte komenti i njeriut të parë dhe të dytë të atyre që janë kompetent për ruajtjen e rendit dhe

sigurisë në R e Maqedonisë. Pra, ata që shpalosën kartën e Shqipërisë së madhe kanë shpalosur në ilegalitet e jo në vendin e tyre, që nënkupton se shqiptarët e Maqedonisë nuk janë në vendin e tyre, dhe sipas kësaj logjike duhet të rikthehen andej nga kanë ardhur!!! Andaj të gjithë ata që shpalosën kartën e Shqipërisë së madhe do të kenë padi penal(tike) sepse Kombëtarja e Maqedonisë vërtetë nuk shënoi gol, ama ne skuadra e politikës do të shënojmë qind për qind. E këta që shpalosën kartën e Maqedonisë së madhe, këta kanë trajtim tjetër, këta nuk janë nacionalistë, këta janë patriotë. Aktorët e kësaj vepre le ti paditë Shqipëria dhe Greqia.

Të dëgjohen këta komente nga njerëzit e thjeshtë, nuk u prehet dëm, ama të dëgjohet nga njerëzit nr. 1 dhe 2 të atyre që janë të detyruar të ruajnë rendin, sigurinë, paqen dhe harmoninë në shtet është shumë qesharake. Pra ky akt s’ka koment tjetër vetëm se dëshmi se në Maqedoni, ose ka dy kode penale që funksionojnë ndaras nga njëra tjetra varësisht nga emri i vepruesit, ose ka një kod penal që funksionon në dy arshinë, sepse nuk ka logjikë tjetër, që për të njëjtën vepër njëri të gjykohet si veprim penal, e tjetri patriotik !!!

E çka me ba, kështu duhet nisur pisteklar sepse procesi i integrimit gjithnjë e më shumë po shkon drejt pikës kulminante të evolucionit, dhe sërish çdo gjë do të kthehet në vendin e vet. Nejse mos ta zgjatë më shumë sa nuk kam bërë ndonjë vepër penale edhe unë se pastaj do përgjigjem penalisht, por po e përfundoj me përkujtimin se “ DARDHA KA BISHT”.

Jusuf Zimeri

Lini një Përgjigje