Kur gjykon gomari, medalja e arit i takon sorrës

25Mar - 0 - Kategoria: Opinione
Shkroi Prof. Jusuf Zimeri

Dijetari e njeh injorantin, sepse edhe ai vet dikur ka qenë i tillë, kurse injoranti nuk e njeh dijetarin, sepse kurrë nuk ka qenë i tillë!

Si është gjykatësi ashtu është edhe gjykimi. Është normale për një gjykatës të korruptuar të jep vendime të padrejta, mbase kryefjala e veprimtarive të tij është gjykimi në saje të përfitimit të tij. Ai është me rëndësi të mos mposhtet dhe suksesi i tij, pastaj do të shtrihet vetëm në këtë rrafsh.

Kur gjykon gomari, medalja e arit i takon sorrës. Kjo është e vërtetë, ngase ky vendim gjykues i gomarit është pasqyra më e spërndritur dhe më e vërtetë e aftësive të tij. Moti kohë e pata dëgjuar këtë proverbë, por thënë të vërtetën, nuk e dija kuptimin dhe thumbimin e vërtetë të saj, edhe pse i kuptoja të gjitha fjalët e renditura në këtë fjali. Në një rast e pyeta një plak të mençur, – o i nderuar haxhi, çfarë kuptimi ka kjo shprehje? Ai më shikoi pak si me habi dhe papandehur më tha, – a edhe sot ore biri i axhës nuk po e kuptonë manan e kësaj fjale? Jo, i thash!

Dëgjo biri i axhës, më tha, po të tregoj si ka ndodhur. Filloi rrëfimin dhe unë e dëgjoja me shumë kërshëri.

Njëherë ishin shoqëruar bilbili dhe sorra. Një ditë kishin filluar të këndojnë. Pasi përfunduan këngën, sorra tha, – e sheh, zëri im është më i mirë se zëri yt, unë këndojë më bukur. Bilbili si mbreti i këngës, u shtang nga habia dhe tha, – si është e mundur t’i të këndosh më mirë se unë, kur kënga është profesioni dhe jeta ime. Kur të gjithë kënaqen duke më dëgjuar. Jo tha sorra, s’është e vërtetë unë këndoj më mirë se ti, këtë mund jo vetëm ta dëshmojë, por edhe ta ligjësoj! Si është e mundur pyeti bilbili? Sorra tha, – eja të shkojmë te gjykatësi dhe pastaj ai të vlerësojë.

Bilbili ishte i bindur në zërin e tij dhe besonte në drejtësinë, andaj edhe pranoi të shkojnë para gjykatësit. Duke kërkuar një gjykatës të mirë, krejt beftë, gjetën Gomarin. Sorra iu drejtua duke i thënë, – zotëri gomar, ne jemi në një telashe me bilbilin rreth çështjes, se cili mund të këndojë më bukur, ndaj erdhëm në ahurin (gjykatën) tuaj që të gjykosh mes nesh. Mirë tha gomari. Këndoni që të

dy, t’ju dëgjoj dhe pastaj unë me drejtësi do të gjykojë. Bilbili ia dha këndës, pastaj edhe sorra ia dha krrakërisë së saj dhe në fund ngeli vlerësimi i gjykatësit.

Gomari tha, – në mbështetje të argumenteve dhe aftësive të mia si ekspert i këngës, vlerësojë se sorra është ajo që këndoi dhe njëmend këndon më mirë se bilbili.

Bilbili i mahnitur dhe i shashtisur filloi të qajë. Gomari e pyeti, – pse po qanë? Bilbili iua ktheu, – po pra, nuk po qajë se nuk këndova mirë, por po qajë se kush po e vlerëson këngën time!

E kuptove bir tani kuptimin e kësaj fjalie. Krahaso me këtë shembuj tjerë nga jeta.

Po, po e kuptova, bukur e kuptova. Shpresoj të nderuar lexues se edhe ju ta keni kuptuar! /llojani.info

Lini një Përgjigje