Kujdes! Fshati Llojan nën kontrollin e të verbërve

28Nën - 0 - Kategoria: Mbi Llojanin Opinione

Penda e fshatit Llojan asnjëherë nuk arriti të mbushet me ujë, ngaqë murin që pritej t’i thotë NDAL ujit, dyshohet ta kenë trajtësuar në objekte private të mençurit. Bisedat për rihapjen kufirin shqiptaro-shqiptar me dekada vazhdojnë të ndrydhen në shtratin e lumit pa ujë. Premtimi për vënien e sërishme të minierës së Llojanit në funksion, tashmë ka filluar të kujtohet si një përrallë prej së cilës fëmijët natën frikohen.

Rruga e cila është shtruar në kohën e sundimit jugosllav, është duke shërbyer si një krijuese e denjët e rritjes së kërkesave për amortizues të veturave, pavarësisht se me rregull paguhet regjistrimi vjetor i veturave prej pronarëve të tyre. Me gjithë këtë bjeshkë problemesh dhe kësaj verbërie shtetërore (sa i përket investimeve shtesore, sepse shteti në detyrime financiare gjithherë ka qenë korrekt), llojanasit asnjëherë nuk u kapardisën përballë vërshimit të të ikurve prej mizorive që vringëllonin nëpër vende të ndryshme. Boshnjakët e gjeten mikpritjen, shtratin dhe ushqimin e ngrohtë në këtë fshat. Mbetën të mahnitur prej zemërgjerësisë së këtyre banorëve. Pastaj vëllezërit shqiptar të Kosovës shpeshherë harruan se nuk gjenden nëpër shtëpitë e tyre, ngaqë ato pak të mira që i kishin banorët e këtij pellgu të bujarisë, i pjesëtuan me dy, ku atë që e zotëronte vendasi, lirshëm mund ta zotëronte edhe vëllai shqiptar nga Kosova. Kur eci nëpër kujtimet e këtij peri të hollë, pa dashjen time përmallohem, jo pse me dinjitet e kishim dhënë provimin njerëzor dhe kombëtar, por pse asnjëherë shteti i cili krekosej për mikpritjen e të dëbuarve prej flakës së luftës dhe i njëjti asnjëherë se kishte cekur se këtë shkëlqesi e arritëm falë vullnetit të këtij fshati dhe disa fshatrave tjerë shqiptar. Më në fund të kësaj pafundësie, banorët e këtij fshati duan që verbërisë shtetërore dhe krekosjes së tyre të rreme t’ia bëjnë me dije se jemi duke i parë të gjithë. Të paktën ta dinë edhe ata që ne nuk jemi budallenj, që mos t’i hetojmë këto mashtrime klasike!

Vërshimi prej vitesh në fshatin Llojan i të ikurve prej Afganistani, Pakistani, Indie dhe prej disa shteteve të ngjashme, duket se ka turbulluar fisnikërinë e këtyre banorëve. Nuk i është turbulluar fisnikëria nga shkaku se u ngopën duke i ofruar mikpritje të ngrohtë hallexhinjve, assesi, por prej institucioneve përgjegjëse për pranim të këtyre të ikurve. Jam më se i sigurt se këta njerëz të shkretë nuk kanë ardhur si turistë në këtë fshat, sepse këtu mungon çdo gjë që mund ta josh dikë për një gjë të tillë, madje vetë etja e të rinjve vendas që sa më parë ta lëshojnë këtë fshat tregon për (mos)prezencën e kushteve për turizëm.

Duket se Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Politikës Sociale u zgjuan prej gjumi për të dhënë një përgjigje të përgjumur, vetëm pasi disa media, sensibilizoi çështjen e afganizimit të Llojanit. Sikur ata harruan se ky problem ekziston prej vitesh, e jo prej atë ditë kur Alsat-i përmes filmimeve e paraqiti

Afganistanin në mes të këtij fshati, madje përpos muzikës afgane në prapavijë, edhe infrastruktura rrëfeu për një ngjashmëri të tillë. Të gjithë e kanë të qartë se edhe kësaj radhe këto ministri duan që obligimet ligjore ndaj këtyre të shkretëve t’i hedhin në kurrizin e bujarisë së këtyre banorëve! Edhe më ironike bëhet çështja kur po nga këto ministri pohojnë se lëvizjet dhe strehimi i këtyre të shkretëve është nën kontroll. Kurse nga ana tjetër shumica druajnë t’i bartin apo strehojnë këta, sepse një vepër e tillë prej këtyre institucioneve mund të llogaritet si krim dhe për këtë mund të dënohesh rëndë. Nëse është kështu, atëherë me çfarë të drejtë i lejojnë të lëvizin haptas qeniet përmes të cilëve mund të kryhen një krim?! Ke të drejtë ta shohësh seç dergjet nën diell dhe nën rrebeshin e shiut, por assesi ta strehosh, madje si rrjedhë e këtij rreziku, disa vendosën t’i strehojnë, por nga shkaku se ky veprim barte në vete rrezik të lartë, atëherë çështjen e bamirësisë e hoqën qaftë, për t’i hapur kështu rrugë çështjes së kompensimit financiar.

Meqë prekja dhe përballja me këta të shkret qenka krim dhe për këtë mund të dënohesh rëndë, atëherë sa më parë banorët e këtij fshati duhet t’ia thyejnë dyert me të trokitura të shqetësuar, duke filluar prej të parit të këtij fshati, pastaj të parit të komunës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale. Sepse pa një zhurmim të tillë, ka gjasa që verbëria të shoqërohen edhe më shurdhërinë!

Iljasa SALIHU

Lini një Përgjigje