“Kthimi” i Kastriot Abdylit dhe “Martesa” e Blerta Zeqirit prezantohen në “Berlinale Europian FilmMarket”

4Pri - 0 - Kategoria: Llojanasit

Me qëllimet e vjetra – promovimin e kinematografisë kosovare e gjetjen e mundësive për bashkëpunim me kineastë të botës – dhe një katalog me tituj të ri filmash të realizuar së fundmi, Qendra Kinematografike e Kosovës edhe sivjet do të bëhet pjesë e tregut të festivalit me nam.

Një stendë e përbashkët me Shqipërinë, tashmë është rezervuar në hapësirat e tregut të filmit në edicionin e 68-të të festivalit të filmit “Berlinale”, që hapet sot, e enjte, 15 shkurt, raporton “Koha Ditore”.

Dy filmat nga Kosova do të shfaqen në kuadër të “Market Screenings”, derisa një ekip i QKK-së do të zhvillojë takime me programerë të festivaleve të njohura të filmit. Ata do të jenë aty të pranishëm prej hapjes e deri më 23 të këtij muaji.

“Filmat që do të shfaqen janë: ‘Martesa’ nga Blerta Zeqiri dhe ‘Kthimi’ nga Kastriot Abdyli. Gjatë kësaj kohe, QKK-ja do të takohet me producentë të huaj, me kompani të shitjes, me distributorë, me programerë të festivaleve si dhe me partnerët e saj të jashtëm”, ka thënë Vesa Qena, përgjegjëse për marrëdhënie me publikun në QKK.

Siç transmeton Gazeta Express, “Kthimi” i Kastriot Abdylit është bashkëprodhim i parë mes Kosovës dhe Maqedonisë dhe premiera e tij pritet së shpejti, edhe në Kosovë
edhe në Maqedoni. Ndërkaq, “Martesa”, vepër e regjisores Blerta Zeqiri, tash më
se një javë është duke u shfaqur në kinema në Prishtinë dhe po shënon një
shikueshmëri si rrallë ndonjë film kosovar deri tani./Gazeta Express/

Lini një Përgjigje