Kronikë në barkë

18Pri - 0 - Kategoria: Opinione
Shkruan: Iljasa SALIHU

(Metafora si domosdoshmëri e kohëpaskohshme)

Pas atij lundrimi, duket se ishte mërzitur me pamjen e bukur që ofronte syprina e ujit dhe kërcimet e herëpashershme të peshqve. Pavarësisht asaj bukurie, ai ishte mërzitur! E dëshironte atë që të tjerët pa dëshirën e tyre e përjetonin. Ndaj, pa humbur kohë sërish ia mësyu brigjeve dhe mundësisë së ndryshimit përmes dorës së tij. Atij duket se nuk i mjaftonte vetëm t’i hedh në letër besnikërisht ato që i kishte parë dhe përjetuar teksa jetonte në brigje. Ai tashmë kishte krijuar edhe më tepër armiq, ngase ata të brigjeve ishin njoftuar me dënesjen që Lundruesi e hidhte nga barka, dënesje këto që rridhnin si rrjedhojë e puthadorëve të brigjeve. Këta puthadorë në kohën e çlodhjes pas asnjë mundimi, qetas nëpër brigje, në zgrip të ujit të njelmët, përbërje kjo e ngjashme me lotët e Lundruesit, pengonin gjithçka që mund t’ia turbullonte ujin, edhe ashtu të turbulluar. Ata ujin e njelmët e përdornin në cilësinë e ujit shërues, ndërsa Lundruesi nuk ndjente ndonjë nevojë për atë ilaç, ngaqë me një ujë të tillë shpesh e përlyente gjithë trupin e tij.

Me t’u afruar brigjeve, ata të këtij trualli, thuajse u informuan prej luftanijeve që prisnin menjëherë t’i sulmonin ato brigje. Lundruesi bëri të vetën. Shkeli në rërën e njërit prej brigjeve. Sikur prushi që shpërndahet prej cikloneve të forta, ashtu edhe atij ju mblodhën me gjakra të nxehura të gjitha ata që moti e kishin shitur vetën falas, për ta pyetur kështu Lundruesin se deri më tani ku kishte qenë, pse ashtu sikur kukuvajkë vajton në barkë, me këtë, kë dëshiron ta nënçmonte dhe pse vallë të arriturat nuk ia pllakoste timonierëve të këtij vendi? – dhe një varg pyetjesh e dilemash tjera e shoqëruan Lundruesin. Por ai vazhdoi prapë me të vetën, duke i thënë se kthimi im në rërën e gjithkujt dhe të askujt nuk do të thoshte pendim për atë që më parë e kam shkruar dhe pohuar nëpër vende të ndryshme. Nëse është kështu, atëherë vrojtim të “mbarë” të qoftë, ngase ata që nuk mendojnë sikurse ne, janë kundër nesh apo armiq tanë potencial, – i kishte thënë një fytyrë zi e hijerëndë që mbante një këmishë me jaka të bardha. Lundruesi nuk vazhdoi tutje diskutimin me ta, duke vlerësuar si të kotë bashkëbisedimin e atyre që monologun e marrin për dialog. Vendosi të qëndrojë me një këmbë në rërën e bregut dhe me tjetrën në ujin buzë atij bregu, simbol ky që ta kujton përvëlimin e një gjymtyre prej dashakeqeve të kësaj hapësire dhe flladitjen e një gjymtyre prej atyre që u shkrumboheshin për gjendjen tonë të mjerë.

Lundruesi kishte pranuar rol jo të kënaqshme prej tij në këtë shoqëri. Megjithatë, ai duhej të frymonte përmes lapsit të tij. Ndaj, me laps në dorë, sipër

letrës së bardhë dhe herë në rërën përvëluese e herë nëpër syprinën e ujit, t’i hedh në letër gjithë ato që i kishte parë dhe përjetuar në tokën me mbështjellës të ftohtë! @llojani.info

Lini një Përgjigje