Intervistë me ekonomistin Skender MUSTAFI

19Jan - 0 - Kategoria: Intervista Opinione

Si rrjedhojë e ballafaqimit tonë vetëm përmes të vrojtuarit me problemet e mëdha botërore, duket se kemi anashkaluar rëndësinë e dhënies së përgjigjeveqë drejtpërdrejt na brengosin neve. Duke qenë të vetëdijshëm për pasojat e këtij mënjanimi, vendosëm që përmes portalit llojani.info, të marrim pikëpamje prej njerëzve të profesionave të ndryshme, duke respektuar çdo mendim, sa do i shkurtër apo i gjatë të jetë. Përmes pyetjeve të njëjta, do të marrim përgjigje edhe prej atyre që duan fillimisht përmes lapsit dhe kambanave të tregojnë hapur se tutje në moçalishten e këtij fshati nuk shkon kështu.

Llojani. info: Cilët faktor mendoni se e pengojnë rihapjen e pikëkalimit Llojan – Miratoc?

Skender Mustafi: Ne kemi qenë dëshmitarë të premtimeve të shumta të partive politike sa i përket çështjes së kufirit. Ajo që vërehet ndër popullatën tonë është se çuditërisht pas çdo përsëritje të një lajmi të tillë një pjesë dërmuese e marrin lajmin me entuziazëm dhe me bindje se vërtetë gjendja do të ndërrojë. Në ditët e sodit më duket e pa logjikshme të flasim rreth fuqisë së lëvizjeve të qeta popullore të cilat i vënë në lëvizje mendimet dhe fjalët ndërkombëtare, në një kohë kur mendjet tona nuk dua të zgjohen. Për rreth njëzet vite në laborator me rreth pesëdhjetë koka njerëzish realizojnë studime të mëdha kërkimore të cilat herë-herë ndryshojnë rrjedhën e zhvillimeve në gjithë globin. Tek ne, në dy anët e kufirit, shpresoj të gjenden më shumë se pesëdhjetë koka, të cilat për njëzet vite nuk kanë arritur që së paku të nxjerrin në pah një bilanc të qartë rreth qëndrimeve të shteteve ndaj hapjes së këtij kufiri, e lere më të organizojnë një lëvizje pak më të zëshme mbi këtë çështje. Fundja, kush organizon për ne lëvizje kur ne më shumë harxhojmë para për plumba (qoftë edhe qorre) dhe fishek zjarre për vit të ri dhe dasma se sa fjalë për pozitën tonë e cila na ka nda si bark të dytë të lidhur me një zorrë qorre.

Llojani. info: Përse rruga që lidhë Llojanin, Vaksincën dhe Kumanovën, akoma nuk po shtrohet me asfalt?

Skender Mustafi: Fillimisht të them të drejtën Komuna e Likovës për mendimin tim është një komunë interesash dhe përrallash e cila në një të ardhme të pa caktuar do të shndërrohet në një komunë të vërtetë. Pra, nëse komuna nuk ka stabilitet të caktuar, qoftë edhe në një mas të caktuar, i cili i mundëson vetë ekzistimin ajo është një tërësi më tepër politiko-partiako-interesash se sa një tërësi gjeo-politike. I gjithë sherri nisë nga mungesa e bazës për ekzistencë dhe veprim. Komuna e Likovës, e cila duhej realizuar këtë projekt dhe të tillë të ngjashëm, duhet marrë diç, konkretisht në këtë rast, nga Llojani dhe Vaksica për të dhënë diçka. Ngase kjo komunë veç zyrës dhe “mangallëve” për kafe nuk ka asnjë qendër veprimi politiko-ekonomik dhe ngaqë të gjitha mjetet e dhe veprimet ekonomike të këtij populli derdhen dhe (s)tatohen në komunë të Kumanovës, atëherë s’ka edhe çka të japë. Nga kjo gjendje kuptojmë se Komuna e Likovës si njësi përgjegjëse politike për këtë rajon është komunë lypsare e cila mbijeton nga paratë që i ndahen, ngjashëm më ndihmat sociale. Kur një trup është në këtë gjendje të një lypsari, atëherë asnjë lypsar nuk lyp për ty, veç se për vete dhe interesat grupore.

Llojani. info: Kanalizimi që filloi, përse nuk përfundoi tërësisht?

Skender Mustafi: Projekti për kanalizim, asnjëherë nuk është shqyrtuar në mënyrë publike, qoftë planet e realizimit fizik të projektit, qoftë bilanci ekonomik i realizimit të tij etj etj. Qëllimet e realizimit të projektit që në fillim varionin nga ato më të mirat e deri tek ato më të këqijat. Në këtë rast mjegullimi i qëllimeve me planet realizuese dhe kushtet e ambientit shpien drejt „avullimit të gypave”, “avullimit të të hollave“ dhe shfaqjes së problemeve tjera shtesë siç ekziston rasti me shkeljen e të drejtave të pronës private. Disi jemi mësuar të na gënjejnë kokat politike shqiptare, qoftë edhe ato të rajonit tonë, sepse janë të tillë, hajna të pa skrupull. Dhe në këtë rast me të kuptuar se vërtetë po veprohej diç tek ne, askush nuk kërkoi „t‘i shihen dhëmbët pelës falas“, kështu që tani jemi këtu ku jemi.

Llojani. info: Kush përfiton dhe kush humb me rastin e qëndrimit të mëtutjeshëm të emigrantëve aziatik në Llojan?

Skender Mustafi: Kjo çështje mund të trajtohet nga disa këndvështrime kur merret pyetje parasysh, por unë do t’i them disa fjalë vetëm rreth pozitës së llojanasve në këtë situatë. Llojanasit janë pjesë e një historie, sado të vogël, e cila ka të bëj me shpërnguljen kështu që mirëpritja e emigrantëve në kohët e para ishte rezultat i bindjes dhe edukatës së tyre moralo-fetare. Padyshim se kjo gjendje shpirtërore ndryshon me kalimin e kohës përsëritjen e skenave, gjë e cila ka filluar të shfaqet pak më zëshëm mos durimi. Sidoqoftë, të gjitha pyetjet e mësipërme si dhe kjo tani kanë të bëjnë me vetë llojanasit, vetëdijen dhe aftësinë e tyre për të ndërmarr veprime kundër të pa drejtës. Bojkotimi i sjelljes së shtetit „të portave“ si dhe bojkotimi i veprimeve të vetë bashkëqytetarëve të llojanit të cilat dëmtojnë interesat e të tjerëve është hap i parë i cili ngrit vetëdijen e bashkëfshatarëve, megjithatë asnjëherë nuk ndërmerret. Ne jemi mësuar që të bisedojmë dhe madje shpesh të fyhemi nga njerëzit më të ulët si në moral ashtu edhe në edukatë dhe në fund të lëvizim kokën në shenjë pohimi, pra ne jemi ata që humbim. Se kush përfiton në këtë rast, është shumë e lehtë të gjendet nëse ne studiojmë drejtimet të cilat shkaktojnë humbjen tonë.

Lini një Përgjigje