Intervistë me publicistin Iljasa SALIHU

30Gus - 0 - Kategoria: Intervista Opinione

Guri në tokë, por jo edhe në vendin e vetë!

Shkruan: Iljasa SALIHU

(Kjo intervistë është bërë në muajin nëntor të vitit 2011)

Po e publikojmë tani këtë intervistë, ne si faqe elektronike e internetit, në mënyrë që të shohim se sa pak ka ndryshuar gjendja në rajonin tonë.

1. Sa është numri i emigrantëve që vijnë në Llojan, kush i sjell ata dhe sa kohë ka që rrijnë aty?

Ky karvan i përvuajtur paraqet pikërisht fytyrën e vërtet të Maqedonisë, ku qeni nuk e njeh të zotin e vetë dhe kryefamiljari nuk e di sa anëtarë ka në shtëpi. Ngjashëm edhe autoritetet përgjegjëse të shtetit nga frika e përgjegjësisë së përkujdesjes, numrin e saktë të hyrjeve, qëndrimit dhe daljet e këtyre të shkretëve në vende tjera (afganistanez, iranian, somalez, indian dhe të tjerë nga vendet aziatike) në Maqedoni dhe veçanërisht në fshatin Llojan, zyrtarisht nuk e ka paraqitur askush, pra një gjë e tillë mungon, ngase siç edhe vetë ata pohojnë, kanë ardhur në këtë shtet dhe askush nuk i ka regjistruar apo njoftuar për të drejtat e azilit apo diçka tjetër. Kjo ishte paqyra e mjegulluar e autoriteteve përgjegjëse. Ndërsa në bazë të disa njoftimeve prej vetë banorëve të fshatit, numri i tyre supozohet të jetë 300 të ardhur (me qëndrim jo të gjatë në këtë fshat), me ndryshime të herë pas hershme, ku para një viti numri dukej të ishte dyfish më i lartë.

Nga mesi i këtyre emigrantëve kemi të atillë që paraqiten si udhërrëfyes – bartës për në vendet e Evropës Perëndimore, që e njohin mirë terrenin dhe gjuhët që fliten nëpër këto treva. Këtë kemi mundur ta kuptojmë, ku për tri vjetë radhazi i kemi parë të njëjtit persona, mbase të integruar shkëlqyeshëm në mesin e banorëve të Llojanit dhe nuk ishte ndonjë vështirësi (përmes këtij treguesi) të vëreje se kush është futur në këtë tregëti. Megjithëkëtë, bartja prej vendit nga vijnë bëhet krejtësisht në formë joligjore dhe pjesëmarrësit në këtë shpërngulje janë të ndryshëm dhe të shumtë, edhe pse këtu është vështirë të flitet për një krim të organizuar, ngase gjatë këtij itinerari, marrin pjesë edhe njerëzit e rëndomtë, që nuk janë të shquar për krime paraprake, ku për një përfitim më të madhë, pranojnë ta kryejnë një shërbim të këtillë dhe prapë vazhdojnë me punën e tyre të rregullt.

Për tre vjet ka që kjo dukuri (dukuri – sepse deri më tani janë ndërruar shumë fytyra) e pranishme në fshatin Llojan. Fillimisht këta u vendosën në mejtep të xhamisë, ku zemërgjerësia dhe bamirësia e banorëve gëlonte, ngase ata i shihnin si të dëbuar dhe të shkret, duke qenë tërësisht të zhveshur prej çdo djallëzie që mund të qëndronte në prapavijë. Në kohën që filluan të shtohen

shumë dhe të paraqiten si të mërzitshëm, fillimisht në xhaminë e fshatit dhe pastaj në fshat, filluan edhe masat ndaj tyre, duke i larguar krejtësisht prej mejtepit. Pas këtij largimi, ata edhe më tepër u shtuan, ku disa mistreca të këtij fshati ia filluan ngarendjes së përfitimit ekonomik, ku fjala bie, për transport dy kilometërsh paguanin 30 euro, çmim i rritur sepse përbënte rrezik për transortuesit – ata ishin njerëz të rëndomtë. Pastaj disa filluan t’i strehonin nëpër shtëpitë e tyre, duke ia marrë për një natë nga 20 euro, kurse tani, në bazë të informatave që qarkullojnë në fshat, ia marrin nga 5 euro për një natë, kuptohet kjo është ana që dihet publikisht, ndërsa ana që vetëm kryerësit e kësaj veprimtaria e dinë, mund të jetë shumë rrëqethëse.

2. A keni kërkuar nga autoritetet që ta zgjidhin problemin dhe çfare përgjigje keni marrë?

Siç thashë edhe më lartë, fillimisht kjo çështje u shikua dhe u trajtua si çështje normale dhe për këtë askush nuk reagoj, përpos që secili vullnetarisht i ndihmonte. Me kalimin e kohës kjo u bë e padurueshme. Banorët fëshfëritnin fjalë pakënaqsie ndërmjet veti, por nuk e kishin kanalizuar në vendin ku kjo dukuri mund të gjente zgjidhje. Kështu ishte vepruar ngase gjithherë për çfardo problemi kërkesat dhe brengat e banorëve kishin hasur në vesh të shurdhër, ndaj edhe në këtë rast duket se nuk i besonin autoriteteve përgjegjëse. Çështja mbeti që bisedë pas bisede të njoftohen autoritetet përgjegjesë (edhe pse ata nuk mund të ishin të panjoftuara për këtë dukuri) dhe të vijë puna deri te ndonjë aksion spektakolarë – tejet sipërfaqësorë të policisë, ku emigrantët kishin rastin të “shëtiteshin” me furgona të policisë deri në stacion të policisë dhe pastaj të lirohen, për t’u kthyer sërsish në vendin ku ishin më parë. Kryetari i Bashkësisë Lokale dhe ai i Komunës së Likovës, u trandën vetëm pasi disa media e sensibilizuan këtë çështje, për të dhënë kështu disa deklarata të përgjumura, ku shihej në paraqitje jonjoftimi dhe jointeresimi i tyre për këtë dukuri. Këta deklaruan se kishin kërkuar edhe më herët që Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe ajo e Punëve të Brenshme të ndërmerr diçka në lidhje me këtë vërshim të të huajve. Çuditrisht për këtë kërkesë popullata asnjëherë nuk ishte njoftuar, që të bën të dyshosh në seriozitetin e këtyre paraqitjeve, thuajse mediat qenkan të parat që duhet të flasin për një dukuri të caktuar, duke ia përkujtuar pastaj atyre që gjenden në pushtet se duhet të flasin diçka, qoftë edhe nëse paraqitjet e tyre i përkisnin njerëzve të rëndomtë. Përkundër këtyre dilemave dhe kësaj amullie shtetërore e komunale, këta emigrant vazhdojnë të enden ende në fshatin Llojan.

3. A ka pas probleme apo incidente në fshat, mes banorëve dhe emigrantëve?

Para tre muajve një grup i emigrantëve në orët e vona të natës i kishin sulmuar katër banor të Llojanit. Menjëherë pasi u përhap ky njoftim, shumë

banor të fshatit, morën timonin e trupave të rendit dhe sigurisë shtetërorë, ku vullnetarisht e pastruan afërsisht tërë fshatin dhe në qëndër të fshatit i tubuan të gjithë emigrantën dhe ashtu në tërësi ia dorëzuan policisë. Policia ashtu siç e kishte shprehi, pas marrjes në pyetje i liroi dhe ata prapë u kthyen në Llojan. E nesërmja vazhdonte si më parë, nëpër rrugë, shesh, kafenë e nëpër male harliseshin këta. Por, nga këndi i sotëm sulmin e asaj nate e shohim pakëz më ndryshe. Dyshohet se emigrantët ishin sulmuar nga vetë banorët e fshatit, për ta sensibilizuar kështu këtë çështje, mbase edhe për ndonjë përfitim material të tyre! Sido që të jetë, kjo lihet për t’u shoshitur edhe më tej, kuptohet nëse ka vullnet dikush që të zbardhet në tërësi kjo golgotë e këtyre të përvuajturve, ngase ajo që dihet sigurtë në tërë këtë dramë, është se ato nuk kanë ardhur për piknik këtu, sepse një joshje e tillë mungon edhe për vetë banorët e këtij fshati.

Përleshje mes emigrantëve ka pasur, edhe atë në orët e vona të natës, ku banorët vendas kanë përjetuar një trishtim të thellë prej klithmave të çakërdisura të tyre, edhe atë si rrjedhojë e dehjes me alkool, edhe pse shkaqet e tjera, si mallëngjimi, jeta endacake, pasiguria e të ngjashme nuk mohohen.

Falemenderit dhe gjitha të mirat

Faleminderit edhe prej juve!

/llojani.info/

Lini një Përgjigje