NDËRMJET DHIMBJEVE DHE KRENARIVE

23Dhj - 0 - Kategoria: Libra Opinione

(Iljasa Salihu ”Mëngjesi i hershëm “ (roman), Shkup 2011, faqe 160)

Libri pas botimit, rrugëton nëpër lexues dhe vende të ndryshme, pra bën banim te shumë artëdashës e intelektualë të cilët pa ngurrim ia hapin kopertinat për të parë se çka fshihet brenda këtij apo atij libri, çfarë tematike përbën dhe çka do të mbetet në të vërtetë në mbamendjen e tyre gjatë leximit.

Pra në mesin e librave të botuara e që kanë marrë “udhë” për te lexuesit është edhe libri i cili para disa ditësh u bë pronë e imja e që titullohet me një titull interesant dhe tërheqës për lexim “Mëngjesi i hershëm” , i autorit Iljasa Salihu, i cili më parë kishte botuar librin eseistik me titull “Rrugëtimi nëpër mjegulla”.

Dihet se ndërtimi i romaniti ka disa specifika të cilat kanë të bëjnë me zgjedhjen e temës, trajtimin e saj në mënyrë të thuktë, aktualiteti i temës, a do të mbetet koherent edhe pas shumë kohësh dhe me çfarë vlerash ideoartistike do të shoqërohet.

Tematika

Së lexuari romanin në fjalë vërejmë se autori ka bërë gjetjen e temës të cilën e ka aktualizuar nëpërmjet zhvillimit të saj, ka bërë konkretizimin e ngjarjes që është mbarështruar dhe shtjelluar mirë me tematikë edukative duke vënë në pah se vetëm me shkollim e dije mund të ecim përpara dhe do t’i dalim përballë çdo armiku të cilët i kemi armiq shekullorë. Romani është ndërtuar mirë, skeleti i romanit është i rregulluar me të gjitha kërkesat bazë që i kërkon një roman ndër

to edhe futja në lojë e personazheve, jetësimi i tyre, aktualiteti, konkretizimi i të dhënave në temën e sajuar, përdorimi i humorit nëpër disa raste nga personazhet e që lexuesit i jep dëfrim gjetë leximit. Kujtojmë se këtyre rregullave autori në parim iu ka përmbajtur në këtë roman interesant për lexim. Ngjarja e romanit zhvillohet në fsahtin Llojan të Kumanovës, fshat që është banor i saj edhe autori i romanit.

Siç e cekëm më lart subjekti i romanit fillon me kryepersonazhin Betimin nxënës i klasës së gjashtë e më vonë për t’u futur në skenë edhe personazhe të tjera që do t’i fus në dialogje të cilat në vazhdim do t’ia japin timonin drejtues autorit që të formësoj idenë e strukturimit të romanit.

Në të gjashtëmbëdhjetë pjesët e romanit autori i ka dhënë përparësi ngjarjeve të cilat janë zhvilluar nëpër kohë dhe situata të caktuara të cilat u shoqëruan më vonë edhe me luftën e UÇK-së në Maqedoni dhe shkollimit përmes së cilës përkufizohemi si komb me kulturë e dije, zatën edhe kjo është porosia e autorit që fshihet në tërë romanin.

Në atë mëngjes

“Mëngjesi i hershëm” titullohet edhe romani i Iljasaut. Të ndalemi pak te ky mëngjes i hershëm i cili u shoqërua me fyerje të shumta siç dinë pushtuesit dhe armiqtë ta bëjnë këtë, sidomos kur koha është e turbulltë. Mëngjesi i vitit 1998 e gjeti Betimin në të kthyer nga fshati Orizare me biçikletë, në të dalë të fshatit Vaksincë ndeshet me një kordon të policisë, ku Betimi u bë objekt fyerje e maltretimi nga policët me tyta të kthyera nga një fëmijë. Këto fyerje shtazarake të policëve do t’i mbaj në mend gjatë Betimi. Ishte kohë e pakohë në Kosovë, luftë, spastrim etnik, vuajtje, vrasje, masakra etj., këto e shqetësonin Betimin dhe shokët e tij të klasës: Arbrin i cili në mesin e shokëve njihej si humorist dhe bisedat i fillonte me dozë humori, Shkëlqimi, Suejbi dhe Noli të cilët në shenj solidarizimi me bashkëkombasit e tyre në Kosovë të cilët gjetën strehim në rrethet e fshatrave të Kumanovës lëshuan nivelin e mësimit dhe tani bisedat e tyre përqëndroheshin gjithnjë më tema lidhur me luftën e UÇK-së e cila luftonte për çlirimin e Kosovës. Këtë e kishin kuptuar edhe arsimtarët e shkollës.

Në vazhdim të shtjellimit të romanit vërejmë se autori librin e përcjell me një gjuhë të rrjedhshme, të kuptueshme diku edhe me fjalformime e me figura të cilat ia ngisin për një shkallë vlerën ideoartistike dhe ideoestetike romanit.

Pra vend të theksuar brenda bërthamës së romanit autori i ka dhënë edukatës, shkollimit si një parakusht për integrim të shoqërisë shqiptare. Kjo shihet në vazhdim të leximit të romanit kur pas përfundimit të shkollës fillore Betimi me shokët dëshirojnë të orientohen për në shkollë të mesme në drejtimet e dëshiruara. Me këtë autori jep një tabllo reale të kohës me batica e zbatica të shumta duke filluar edhe nga rastet sociale të cilat ishin atëbotë por edhe tani të bollshme, ku shumica e nxënësve detyrohen ta ndërpresin shkollimin e të shkojnë nëpër zanate të ndryshme.

Megjithatë në bankat e shkollës së mesme tanimë ishin ulur shokët të cilët e personifikojnë këtë roman, ku tani paraqitet edhe një sfidë për mësim, me një shoqëri të re. Autori në vazhdim paraqet zënken e Betimit me një nxënës të klasës në Kumanovë, paraqitet ajo motoja e ndarjes ndërshqiptare, moto që ndan në mes veti shqiptarët “katundar e qytetar”, kjo ndarje megjithatë për fat të keq ndodh jo vetëm në trojet e ndara shqiptare në Maqedoni fshat-qytet, por edhe në Luginë të Preshevës e gjetiu, ku pason ajo fyerja e cila ndërlidh segmentin e fyerjes në atë mëngjes të hershëm te kordoni i policisë, e që erdhi edhe deri te përleshja fizike në mes të Betimit dhe qytetarit nxënës. Kjo është një nga porositë e autorit që del si konkluzion praktik që të mos ekzistojë ndarja vëllazërore në qytetar –fshatar. Tjetra që e karakterizon ecejakjen e romanit është edhe ngjarja e vonesës së nxënësve për në shkollë dhe shpifja se gjoja është dëmtuar goma e kombit dhe si rrjedhojë e kësaj del përfundimi se nuk bën të gënjejmë sepse kujdestari e zbuloi këtë shumë mirë dhe se thonë se “gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra” e gjithmonë e vërteta del në shesh.

Lidhëshmëria tematike

U mor vesh që strukturën e vet romani e ka me porosi edukative që është një gjetje e mirë nga autori , por jo vetëm kaq sepse romani ka lidhëshmëri tematike në mes të motivit që përmendëm më lart dhe temës aktuale që ishte atëbotë jo vetëm për shqiptarët por edhe për Evropën e Amerikën: lufta e UÇK-së, UÇPMB-së e vitit 2001 e cila shpërtheu në vazhdën e ushtrimit të dhunës dhe represionit sistematik që ushtronte policia dhe ushtria serbe sidomos nëpër fshatrat e banuara me shqiptarë dhe lufta e UÇK-së në Maqedoni, ku këto e ndryshuan për shumë shkallë historinë tonë kombëtare.

Në vazhdim paraqitet në skenë vendosmëria e Betimit dhe Shkëlqimit të nisen për në luftë, në log të trimërisë, për t’iu ndihmuar vëllezërve matanë kufirit dhe të rreshtoheshin ushtarë të UÇPMB-së, por për shkak të moshës së re u detyruan të kthehen dhe të presin porosinë e të panjohurit se edhe te ju do të ketë së shpejti log të burrërisë. Kjo edhe ndodhi dhe Betimi me çdo kusht kishte dëshirë të rreshtohet në forcat e UÇK-së përkundër moshës së re dhe dëshirës për rreshtim, gjeti refuzimin, por më vonë pas bartjes së predhave në istikame u bë pjesë e pandarshme e karvanit të luftës për çlirim, dhe me këtë edhe arrijmë deri te epilogu i romanit.

Prej gjithë kësaj që u tha deri më tani del konstatimi romani “Mëngjesi i hershëm”, shoqërohet me një vlerë të kënaqshme artistike dhe kujtojmë se Iljasau e ka kaluar me sukses “sprovën” se mund të jetë i suksesshëm edhe në këtë zhanër të letërsisë…

(Autori është shkrimtar nga Presheva dhe është i njohur për opinionin shqiptar)

Bilall Maliqi

Lini një Përgjigje