Iljasa Salihu

26Nën - 0 - Kategoria: Mbi llojanasit


Iljasa Salihu lindi më 10 Prill 1984 në fshatin Llojan, fshat ky që gjendet në mes të Kumanovës dhe të Preshevës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme të makinerisë në Kumanovë. Studimet për ekonomi i ka mbaruar në Universitetin e Prishtinës. Menjëherë pas diplomimit, regjistrohet në studime pasdiplomike në UEJL në Tetovë, drejtimi Studime të Sigurisë, ku më 09 Korrik të vitit 2011 magjistron në temën, “Krimi ekonomik – sfidat e sigurisë kombëtare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni përballë këtij krimi”.

            Përskaj punës së tij të rregull në Ministrinë e Mbrojtjes si administrator financiar, ai merret edhe me publicistikë. Ka qenë redaktor i revistës mujore, “Zëri i shqiptarit” me qendër në Prishtinë, ka shkruar për revistën Paqja dhe shkruan për gazetat ditore në Shkup, Tiranë dhe Prishtinë.

            Në vitin 2010 ka botuar librin eseistik, “Rrugëtimi nëpër mjegulla” dhe në vitin 2011 ka botuar romanin, “Mëngjesi i hershëm”. Ka qenë redaktor i librit, “Gjurmë realitetesh” të autorit Ardian Ramadani dhe redaktor i librit me poezi, “Përmallime” të autorit Nexhmedin Hamdiu.

Me rastin e manifestimit të Vitit të Ri Islam 1431, dekorohet publikisht prej FRI-së, për prozën, “Familja e shënoshë – garanci e së ardhmes”. Gjithashtu me rastin e hapjes solemne të punëtorisë ndërkombëtare “Imazhi i ri i Ballkanit” në organizim të “Shumëllojshmërisë” – koleksion për poezi dhe ese, merr pjesë në prezentim të punimit me temë, “Për një imazh më të mirë në Ballkan”.