TV Shenja: HAPJA E KUFIRIT NË LLOJAN, PREMTIMI QË NUK PO MBAHET QE 16 VJET

10Maj - 0 - Kategoria: Llojani Mbi Llojanin Video

Pika kufitare Llojan- Miratovc. Një vijë ndarëse mes Maqedonisë dhe Serbisë, një gur që ndan dy shtete, rreth 2 kilometra largësi në mes të dyja komunave, por pa një kufi i cili do të lejonte qarkullimin e qytetarëve të këtyre dy komunave ndërmjet vete. Kjo ështe gjendja që nxori në rrugë edhe qytetarët e Llojanit por edhe ata të Komunës së Preshevës.

Në shënimin e Ditës së Europës, nën moton “Një ditë pa kufi”, protestuesit kërkuan qarkullim të lirë dhe hapje të kufirit. Ato që kaluan këtë vijë sot ishin disa balona ngjyrë të bardh dhe blu, si dhe pëllumba të cilat u lëshuan në mënyrë simbolike nga protestuesit.

Kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi, tha se në bashkëpunim me Komunën e Preshevës, kanë vendosur që të ngrisin zërin, për shkak se ata besojnë se e drejta e qarkullimit të lirë të njerëzve është një ndër të drejtat themelore.

ERKAN ARIFI, KRYETAR I KOMUNËS SË LIKOVËS

“Nga këtu apelojmë tek të gjitha organet qendrore të vendit, po ashtu edhe të Serbisë, të ambasadës së Bashkimit Europian, që duhet të gjejmë zgjidhje, zgjidhjen e duhur, që u është bërë padrejtësi e madhe të dyja komunave dhe besoj se fluksi I njerëzve që protestuan ka qenë shumë i madh, sepse është shumë e rëndësishme për të dyja vendet”

Qytetarët e Llojanit, shprehen të revoltuar se në mungesë të kufirit, ata duhet të udhëtojnë 70 kilometra për të arritur në Miratovc, në vend të 3 kilomterave të cilat i ndajnë këto dy komuna.

PROTESTUES

“Me hap rrugën mirë është për ne, Llojan Miratovc, kjo rrugë është mbyll kufiri dhe nuk mund të dalim. Duhet të dalim përreth kah Tabanovca, Preshevë e Miratovc të arrijmë. Ndërkaq, bëhet fjalë vetëm për 3 kilometra Llojan me Miratovc”

PROTESTUES

“20 euro na bëhet rruga për të shkuar atje, edhe 70 kilometra rrugë andej këndej”

Ata ndjehen të zhgënjyer nga partitë politike, për të cilat thonë se para çdo cikli zgjedhor vite me radhë u premtojnë hapjen e këtij kufiri.

PROTESTUES

“Ky kufi ekziston me qindra vjet, shqiptarët kanë shkuar këndej, miqësinë e kemi prej në Tërrnovc e Shkup. E tash i bëjmë 70 kilometra me ardhë në Miratovc a 20 min i ka në këmbë 5-6 minuta me veturë. Kërkojmë kërkojmë, partitë na premtojnë gjithmonë kur ka votime, ata na premtojnë se kemi me hap kufirin dhe kurr hiq. Kemi protest një dy ose tre here. Autoritetet për këtë punë nuk kanë marr masa kurr, ata vetëm për interesin e vet me marr vota. Atyre u bëj apel me marrë masa rigoroze për këtë punë, se kjo është shumë me rëndësi për të gjithë qytetarët. Prej Komunës së Haraçinës edhe gjitha vendet tjera”

Ata thonë se i kanë humbur shpresat tek partitë politike  dhe se po bisedojnë për krijimin e një këshilli  të fshatit Vakcincë, Sllupçan dhe Llojan, me qëllim që të merren me këtë çështje.

PROTESTUES

“Kjo është kërkesë e kahmotshme e banorëve të fshatit Llojan dhe Vakcincë, qe 25 vjet që bëjnë premtime, do të hapet. Çdo zgjedhje locale ose parlamentare premtimet janë të mëdha, shihni vet se sot populli është viktimë. Politikanët të mos të premtojnë, se gënjeshtrat më nuk kalojnë te popullata, por le të veprojnë. Bisedohet se do të bëhet një këshill fshati Vakcincë Llojan, Sllupçan  dhe në të ardhmen do të shohim se si do të rrjedhin gjërat. Mendoj që vetëm në atë mënyrë mund të bëjmë diçka, përndryshe nga politikanët I kemi humbur shpresat”

PROTESTUES

“Goxha rrugë e shkurtë këtu, ne jemi prej Kosovës, rajoni i Gjilanit, për me ardhë te dajt duhet të shkojmë Ferizaj Shkup, minimum dy apo tre orë rrugë bëjmë, ndërkaq këtu mund të arrijmë për 15 min. Është mirë të hapet për të gjithë familjarët si andej si këtu”

PROTESTUESE

“Motrën këtu e kam nuk mund të shkojmë, familja, tjetri tjetri. Krejt këtu janë të martuar gjysmë gjysmë, të nana smundet me shku, ajo plak spo mundet askënd me shku me pa, e sëmur prej zemrës në kufi . I ka vdekë vëllau nuk ka shku me pa, hiç hiç katastrof.  ”

Protestë e ngjajshme është mbajtur edhe në Miratovc nga ana e komunës së Preshevës. Kryetari i kësaj komune Shqiprim Arifi, tha se kjo është vetëm një nismë e aktiviteteve që do të pësojnë më tej me qëllim të hapjes së kufirit, duke nënvizuar se Serbia po i diskriminon shqiptarët duke mos lejuar hapjen e këtij kufiri.

SHQIPRIM ARIFI, KRYETAR I KOMUNËS SË PRESHEVËS

“Është e drejtë e jona, jo vetëm si shqiptar, por sidomos si shqiptar, që të kemi lëvizjen e lirë, një standard I cili është normal , është standard real në të gjithë BE-në, është një standard të cillin Qeveria e Serbisë nuk është  mirë duke e kuptuar kur të vjen në kontekstin shqiptar. Kur të vjen në kontekstin ndërkombëtar Qeveria e Serbisë mundohet me të gjitha format e veta të përfitojë  bashkimin Evropian. Kur të vjen këtu në Luginë të Preshevës Qeveria e Serbisë është me një sy verbër. Për këtë arsye ne si pushtet lokal, jo vetëm sepse e kemi pasur premtim electoral por pse e ndjejmë kufizimin që është duke na i bërë në mënyrë diskrimunese… Pse diskriminuese, për arsye  sepse rreth vijës kufitare deri tek Bullgaria, janë 6 pika kufitare gjithsej , e vetmja pikë kufitare e mbyllur është tek ne shqiptarët”.

Problemi me kufirin Llojan-Miratovc është një problem i cili i shoqëron që nga pavarësimi i Maqedonisë. Ajnur Bafqari /SHENJA/

Lini një Përgjigje