Gjërat që e prishin agjërimin

29Kor - 0 - Kategoria: Mësime
Shkroi Prof. Jusuf Zimeri

Gjërat që e prishin agjërimin përfshihen në dy dispozita:

1. Që e prishin agjërimin dhe obligojnë vetëm kaza.

2. Që e prishin agjërimin dhe obligojnë kaza dhe kefaret.

01,Gjërat që e prishin agjërimin dhe obligojnë vetëm kaza

Sipas dijetarëve të medhhebit hanefij, gjërat që e prishin agjërimin dhe obligojnë vetëm kompensim kaza ditë për ditë pa kefaret janë:

– Nëse agjëruesi përdor ndonjë ushqim, apo ilaç me arsyetim të shëndoshë islam, siç është sëmundja apo udhëtimi, atëherë e ndërpret agjërimin dhe obligohet me kaza ditë për ditë.

– Ejakulimi i spermës si rezultat i motivuar nga dëfrimi me femrën me anë të përkëdheljes, puthjes, përqafimit, prekjes etj.

– Ejakulimi i spermës me anë të dorës, vepër kjo, e cila është e ndaluar sipas parimeve islame, kurse gjatë Ramazanit prish agjërimin dhe obligon vetëm kaza pa kefaret.

– Marrëdhëniet me ndonjë të vdekur, kafshë apo fëmijë që nuk ndien kënaqësi epshore me të, e që njëherit është edhe vepër e ndaluar sipas parimeve islame, prishin agjërimin kurse agjëruesi obligohet me kaza pa kefaret.

– Nëse agjëruesi e prish agjërimin gabimisht, apo me imponim atëherë duhet bërë kaza, sikur që është rasti, kur agjëruesi duke marrë abdes i shkon ujë pa dashje në fytin e tij.

– Nëse agjëruesi ha oriz të pazier, apo brumë, miell të papërzier me ndonjë element që zakonisht i jep shije siç është sheqeri, mjalti, tëlyeni etj. Në këtë rast agjërimi prishet, kurse agjëruesi obligohet që këtë ditë ta kompensojë kaza me një ditë tjetër pa kefaret.

– Nëse agjëruesi ha kripë për njëherë me shumicë, në këtë rast agjërimin duhet bërë vetëm kaza e në të kundërtën, nëse ushqehet me kripë pak nga pak, atëherë s’ka dyshim se kjo bëhet me shije dhe për këtë obligohet me kompensim kaza dhe me kefaret.

– Nëse agjëruesi ha ndonjë pemë e cila ende nuk është e pjekur dhe që zakonisht nuk hahen të papjekura, apo ndonjë lloj bime, obligohet me kaza pa kefaret, por me kusht, nëse ato nuk i ka zier dhe nuk i ka përzier me kripë, apo ndonjë element tjetër që i jep shije, e në të kundërtën prish agjërimin dhe obligohet me kaza dhe kefaret.

– Nëse dikush ha apo pi me harresë apo bën marrëdhënie intime me harresë, e pasi që t’i kujtohet se ishte agjërueshëm, ha përsëri duke menduar se agjërimi i tij është prishur herën e parë, atëherë obligohet vetëm më kompensim kaza, por nëse e din se harresa nuk ka ndikuar në agjërimin e tij dhe e prish agjërimin me qëllim atëherë obligohet me kaza dhe kefaret.

– Injeksioni. Të gjithë dijetarët janë kompaktë në mendimet e tyre se injeksionet klizmike për mes të cilave bëhet futja e lëngjeve në zorrën e trashë nga poshtë për t’u pastruar ose për t’u liruar nga shtrëngimet e barkut e prishin agjërimin dhe obligojnë

kaza, ditë për ditë pa kefaret. Kurse sa i përket përdorimit të fetilëve supozitorë klizmik apo instrumenteve tjera medicinale në zorrën e trashë, sipas mendimit të dijetarëve të medhhebit hanefij, nëse futet i tërë fitili dhe nuk duket fare, atëherë e prish agjërimin dhe duhet bërë kaza ditë për ditë e në të kundërtën nuk e prish agjërimin. Kurse, nëse këto mjete klizmike futen të mbushura me lëngje shëruese, apo diç tjetër, atëherë sipas shumicës së dijetarëve prishet agjërimi dhe obligohet me kaza pa kefaret. Injeksionet që merren nën lëkurë, apo muskuj sipas mendimit të Ebu Hanifes e prishin agjërimin dhe obligojnë kaza, kurse sipas mendimit të Imam Ebu Jususfit dhe Imam Muhammedit nuk e prishin agjërimin, mirëpo në bazë të mundësisë është më e preferuar që të vonohet marrja e këtyre injeksioneve deri pas iftarit, kurse injeksionet intravenoze e prishin agjërimin, dhe obligojnë kaza.

– Vjellja e shkaktuar me qëllim. Të gjithë fukahatë islamë janë të mendimit se vjellja me inicim, me qëllim prish agjërimin dhe se atë ditë agjërimi duhet bërë kaza.

– Nëse agjëruesi e ha atë që i ka ngelur mes dhëmbëve dhe ajo mbeturinë është më e madhe se një leblebi, atëherë prish agjërimin dhe obligohet të bëjë kaza.

02,Gjërat që prishin agjërimin dhe obligojnë kaza me kefaret

Sipas mendimit të dijetarëve të medhhebit Hanefij gjërat që e prishin agjërimin dhe të obligojnë kaza bashkë me kefaret 1 janë:

– Arritja e plotë e kënaqësisë epshore e cila arrihet me kryerjen e marrëdhënieve seksuale në anusin apo venisin e femrës. Në këtë rast agjëruesi obligohet paraprakisht të kërkojë falje gabimi nga All-llah Xhel-le Xhelaluhu (Istgfar) e pastaj obligohet me kompensim kaza dhe me kefaret dhe atë me takimin e thjeshtë të penisit në venisin e femrës. Argumenti i kësaj është ngjarja e një arabi që e transmeton Ebu Hurejreja (r.a) i cili thotë: “Derisa ishim ulur te Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme erdhi një njeri dhe i tha:”O i Dërguari i All-llahut, kam bërë kërdi. Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme i tha :Ç’ke? Tha: Kam bërë marrëdhënie seksuale me bashkëshorten time duke qenë agjërueshëm. Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme i tha: A ke mundësi (a gjen pasuri)që ta lirosh një rob? Tha jo. A ke mundësi të agjërosh dy muaj radhazi pa ndërprerë ? Tha jo. A ke mundësi të ushqesh 60 të varfër? Tha jo. Atëherë Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme qëndroi heshtur deri sa iu soll një arkë me hurma dhe i tha: ”Shpërndajua këtë të varfërve.” (Buhari)

– Të ngrënit dhe të pirit e ushqimeve të rëndomta, apo diç që e zëvendëson ushqimin pa justifikim të drejtë të Sheriatit islam, siç janë: ushqimi i rëndomtë, të pirit, barërat, thithja e duhanit, afionit, hashashit dhe llojeve të tjera të drogës ngase kënaqësia këtu është e dukshme. Me shprehjen ngrënie dhe pirje përfshihen të gjitha sendet që zakonisht hahen dhe pihen, siç janë: buka,mishi, pemët, perimet dhe lëngjet e tyre etj. Si argument i tërë kësaj është hadithi i Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme që e transmeton Aisheja r. anha ku thotë: “Ngrënie (prishje e agjërimit) quhet ajo që hyn në (organizëm) e jo ajo që del”.

1 Kefareti është lloj denimi që e ka përcaktuar ligjëdhënësi për evitimin e mëkatit, e kur është në pyetje kefareti te agjërimi i Ramazanit është për qëllim agjërimi i dy muajve pandërprerë nëse prishet një ditë me qëllim.

Lini një Përgjigje