Frika si nderë dhe nderi si shpërblim

20Dhj - 0 - Kategoria: Opinione

20131219-212719.jpgPatoni thotë se guximi është frikë që zgjat një minutë më shumë!

Dikund lexova të ketë thënë një “trim”: Ne nuk i frikësohemi Zotit, sepse asgjë të keqe nuk i kemi bërë Atij!

Ky i gjorë harron se njeriu për tu ruajtur prej pësimit dhe ndëshkimit është kusht që të frikësohet dhe jo pasi ta bën të keqen a krimin të frikësohet, sepse pastaj u frikësove a nuk u frikësove është e njëjtë, sepse të pret ndëshkimi dhe një mori pasojash dhe viktimash si rrjedhojë asaj trimërie të mykur dhe të verbër. Madje Rusoi kishte thëse se edhe i marri mendon, por këtë e bënë pasi ta kryen marrëzinë. Zoti njeriun e urdhëroi të qëndrojë mes frikës dhe shpresës. Frika nuk është aspak e keqe, as ves dhe as nënçmim për njeriun, sepse ajo është natyrshmëri, është mburoj dhe është këshillë e sinqertë. Duke qenë të frikësuar jemi më shpresues dhe jemi të prirë që me kohë t’i marrim masat për një vepër të caktuar. Secili njeri para një provimi është i shoqëruar me njëfarë frikë, madje vetë prania e kësaj frike e ka bërë që studenti të përgatitet më mirë, përndryshe i kemi parë trimat në mungesë të kësaj frike seç bien pingul prej provimit dhe pastaj duan t’ia hedhin fajin profesorit.

Po të mos kisha frik se mund të rrëshqisja në akull me makinë, atëherë nuk do të harxhoja para për goma të dimrit. Frika është ajo që më ruan prej një të keqe të mundshme. Unë do të isha hedhur në zjarr, vetëm për t’i treguar të tjerëve se sa trim jam, por ja që ndjenja e frikës më ndalon, përndryshe sot do të tallej me të drejt gjithëkush me veprën time të pamend. Megjithëkëtë, njeriu në qenien e tij e ka të vendosur edhe trimërinë, por aty ku e ka vendin duhet përshfaqur, mbase njeriu që frikohet aty ku duhet është njëmend trim, sepse ruan veten dhe merr masa me kohë për ta përvijuar një vepër të caktuar si duhet. Ju mund ta paramendoni një gjahtar trim i cili del në gjueti pa pushkë e pa allti. Ky mund të mos jetë frikacak, por jam i sigurt se ky nuk mund të jetë njeri që shrytëzon mendjen e tij si duhet, sepse pas pak, mendja e këtij së bashku edhe me trupin mund të bëhen ushqim i shijshëm për kafshët e egra në pyll! Tërheqja taktike në luftë nuk është argument se komandanti me ushtarët qenkan frikacak, porse ajo duhet të kuptohet prej njerëzve me mend si përgatitje për një rimësymje trimërore.

Unë Zotit nuk i frikësohem, por gjërave që më largojnë prej rrugës së Zotit. Zoti nuk na frikësoi për ta treguar madhështinë e Tij si krekosje, ngase Atij i përulet gjithëçka që është në qiej e në tokë, por Ai na nderoi duke na

treguar se ky apo ai veprim mund t’ju shpie në humbje dhe për të mirën tuaj nderoni shenjat në rrugë. Zoti përmes shpalosjes së gjërave që duhet pasur frikë, njëherësh na siguroi për përjetësinë e lumtur. Thjeshtë, babai nëse më thotë frikësohu prej kësaj amullie se nesër mund të ngelësh pa shkollë e pa ardhmëri të shëndoshë. Në këtë rast babai im është njeri shumë i mirë e tejet largpamës, ngase po më paralajmëron për një dështim nëse eventualisht nuk e ndryshoj diskursin tim. Me pak fjalë, unë i frikësohem Zotit, jo për të mirën e Zotit, por për të mirën dhe për përparimin tim! Me këtë e nderoj veten dhe gjithë krijesat në tokë, përndryshe nëse do t’ia tregoja muskujt Zotit, atëherë sigurt se unë do të jem ai që do ta thyej qafën time dhe se Zoti Lavdiplotë sërish do të jetë Madhështor dhe i Lartmadhëruar!

Lini një Përgjigje