Fituesja e vonuar

12Dhj - 0 - Kategoria: Opinione

Maqedonia edhe pak do të shpallet kampione e fitoreve të betejave të djeshme dhe humbëse e betejave të sotme.

Më në fund, përgjigja e Gjykatës Ndërkombëtare për Drejtësi, ëmbëlsisht e mikloi Maqedoninë sipër mollëzave të kuqe, mollëza që para katër vjetëve në Bukuresht e kishin pranuar pa dashje një shuplakë të rëndë prej Greqisë. Trandja nga kjo shuplakë kishte ndikuar që treni t’i ikte aq larg, sa që edhe me aeroplan nuk do të mund ta arrinte, ngaqë në çastin kur kjo u kthjell, treni kishte mbërritur në stacionin e fundit. Mbeti që për muaj të tërë të ecte nëpër hekurudhën ku pritej të kalonte ai tren, të cilit për transport më parë ia kishte paguar biletën, duke shpresuar se do të kalonte sërish nëpër atë hekurudhë dhe do ta merrte me vete edhe Maqedoninë, qëllimi i së cilës ishte, punësimi si bashkëpunëtore me gjitha të drejtat e barabarta në Aleancën Veri-Atlantike. Atje paguanin mirë, mbase si kundërvlerë të asaj punë mund të merrte siguri për gjithë qytetarët e vendit, dukuri kjo shumë e kërkuar dhe e nevojshme në Maqedoninë e trazuara prej të fjeturve. Paksa e habitshme çështja e dukurisë së trazimit prej të fjeturve! Këtë rrungajë njerëzish më së miri mund ta shohim në shtëpinë e kryefamiljarit gjumash. Për të mos ndenjur së koti, Maqedonia regjistroi fakultetin e histerisë, më falni të historisë dhe me të madhe ia filloi gjurmimit të rrënjëve të saja, që për habi të saj, doli se rrënjët i kishte të shtrira deri në antikitet, edhe pse ujiteshin me ujin e kësaj kohe.

Në prag të mbarimit të fakultetit, meqë tashmë trumbetohej se kjo ishte vetëdijesuar së tepërmi për rrënjët dhe rëndësinë e të qenit e vjetër në këto treva, vendosi që shuplakës së 2008-shit, t’i kundërvihet me ankesë në Gjykatën Ndërkombëtare për Drejtësi. Pas disa muajve, kjo gjykatë e shpalli fajtore Greqinë për flakareshin e padrejtë ndaj saj. Po cili ishte dëmshpërblimi i asaj shuplake, që kishte ndikuar t’i ikte treni për konkursin në Aleancën Veri-Atlantike? Asgjë, ishte vetëm një fitore morale e saj, – kështu u shprehën anëtarët e familjes së Maqedonisë, paçka se këta e festonin në dhomën e Shkupit fitoren e humbjes. Treni i kishte ikur para katër vjetëve, ndërsa kjo sot – historiania e diplomuar, ngazëllehej vetëm se dikush i tha se Greqia nuk kishte pasur të drejtë në atë flakaresh të fortë.

Si rrush i harlisur nëpër pjergull, ashtu edhe Maqedonia ishte harlisur e tëra prej gëzimit, gjë që ia tërhoqi vëmendjen edhe sekretarit të përgjithshëm të Aleancës Veri-Atlantike. Për t’ia ndalur hovin këtij gëzimi të çoroditur, ku edhe më tej irritonte atë që kishte mundësi t’i jepte shuplaka sa herë t’i tekej, i tha se rasti i njëjtë do të përsëritet nëse nuk e zgjidhni çë shtjen e emrit.

Me këtë kuptuam se çdo fitore e saj është e kotë, për aq sa nuk e ndërron emrin, që pandehet se pa të drejtë ia kishte marrë dikujt tjetër. Ç’të shohësh. Prapë buzë në

formë petulle dhe ngrohje të mollëzave, tashmë si lloj parapërgatitje për grushtin në Çikago.

Sidoqoftë, Maqedonia do të merr guxim të niset për në Çikago. Fundja do të provojë, nuk i kushton asaj asgjë, përpos anëtarëve të saj, që në pamundësi të pritjes katërvjeçare, mund të marrin vendim të braktisjes së saj, për të pasur mundësi bashkëngjitjeje me atë që njëmend ka vendosur t’i ruaj mollëzat e bukura dhe që oraret e nisjes dhe mbërritjes së trenit nuk i ka ndërmend t’i ngatërrojë. Ndoshta pas grushtit në Çikago, ajo do t’i regjistrojë studimet e magjistraturës për histori dhe pak para vitit 2016 të njoftohet prej Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, se Greqia padrejtësisht e kishte bllokuar anëtarësimin e saj në NATO në vitin 2012. Pastaj kjo si qyqe e vetmuar, prapë do t’i gëzohet kësaj fitore që rrëfen për humbjen e dytë të shansit për anëtarësim në strukturat më të fuqishme ndërkombëtare. Kësisoj, Maqedonia duket e kënaqur që po i caktohen ngadhënjime gjyqësore prej institucioneve ndërkombëtare, por ajo shihet se nuk është duke e parë se çdo ditë e më tepër institucionet ndërkombëtare janë duke u larguar prej saj.

Iljasa SALIHU

Lini një Përgjigje