Emri Zot, një flluskë përballë emrit Allah

16Dhj - 10 - Kategoria: Opinione

Kalorësi mund të has në shumëçka, mbase edhe të harron se gjendet sipër vitheve të kalit, harresë kjo si rrjedhojë e panoramës së jashtme neveritëse. Përgjatë atij kalërimi, ai mund të has në fusha pjellore, ku fillimisht do të lumturohet me Krijuesin e asaj pjellëshmërie dhe me dorën e atij që ndërhyri në këtë lulëzim. Buzëqeshja e këtillë me rrënjë prej zemre, për fatin tonë të keq nuk është e përbotshme. Ngaqë, përgjatë atij kalërimi mund të hasim edhe nëpër djerrishte, ku shohim njerëz në mosprezencën e tyre, seç dërdëllisin pa pushim, mbase edhe njeriu mund të habitet se si paska mundësi të flasin aq shumë dhe fare pa pushim, sa që përballë të tjerëve mund të mburren me dëshmi se pushimin në zanatin e tyre as që e njohin, duke e lënë edhe punëtorin më të zellshëm pa gojë, duke e ditur se edhe punëtorit më të mirë i duhet ndonjëherë pushimi.

Edhe pse punëtorit të mirë, ndoshta nuk do t’i takonte të merrej me çjerrje të këtilla, por kur heton se dukuri të tilla bëhen gjithnjë e më normale, atëherë ai domosdoshmërisht duhet të ndërmerr diçka, qoftë edhe pse nuk mund t’i takoje asaj shpureje.

Gjatë këtyre ditëve, sërish u gjendëm pranë klithjeve të vjetra, që para se ta mundësojnë të ndjehesh keq për ata fatkeq, të vënë në një dyzim sa të lehtë aq edhe të rëndë. Të lehtë, sepse mund t’i përgjigjesh shumë lehtë, ngase argumentet natyrshëm janë në palën e dëgjuesit të atyre klidhjeve. Të rëndë, sepse argumentet e atij që thotë se ekzistonë ajri, qoftë edhe nëse nuk e shohim, vështirë gëlltitet prej atij që vetëm tre minuta ka mundësi të jeton pa ajër. Kështu që, largimin e këtij dyzimi të lehtë dhe të rëndë, të djeshëm dhe të sotshëm, do ta bëjmë përmes një përsiatje të mesme, si dhe duke mos pandehur në profesionalizmin e këtij shtjellimi.

Dje një djalë i ri dhe shumë i sjellshëm, në murin e rrjetit social, kishte postuar se Zoti i tij është Allahu, feja e tij është Islami, libri i tij është Kurani dhe emri i tij (që kishte për qëllim identifikimin e përkatësisë fetare) është Mysliman. Besoj që secili mund t’i merr me mend reagimet vijuese. Ç’të shohësh dhe ç’të dëgjosh prej atyre që për hir gjoja dëlirësisë kombëtare, po përmes plumbave kombëtar, kishin filluar ta gjuanin krenarinë e atij djaloshi, që po ta kërkonte nevoja, ai i pari do t’i përgjigjet këtij kushtrimi kombëtar të luftës për liri, ndërsa lloji i këtyre që fetarinë e gjuajnë me plumba kombëtar, do të bëhen të shurdhër në prani të atij kushtrimi për në front dridhërues. Ky ishte motivi që me shtyri t’i rrekem kësaj teme, që ndoshta dikush mund të më kritikon për devijim nga binarët që i shkojnë përshtati përgaditjes sime. Unë aspak nuk do të lodhem, do ta hedhi ombrellën sipër meje dhe rrebeshin që vjen nga lart, do ta shikoj seç

shkapërderdhet në tokën që pavarësisht përgaditjes shkollore, të barabartë do të na gëlltitë në barkun e saj.

Akoma nuk arrij ta kuptoj sa duhet thumbin e njerëzve që duan t’i tkurrin gjërat, me qëllim të ruajtjes sa më mirë të gjuhës shqipe, thuajse gjuha shqipe paska mbetur në mëshirën e pasurimit të saj, duke e larguar emrin Allah dhe duke e zëvendësuar këtë emër me emrin Zot, që assesi nuk e përmban kuptimin e plotë të atij emri, emër që deri më sot askush nuk është personifikuar me të. Emri Zot, sot përdoret në nivele të ndryshme, si fjala bie, zoti ministër, zot shtëpie, ishte djalë i zoti e të ngjashme, ndërsa emri Allah vazhdon të mbetet cilësi e vetme e Krijuesit të gjithësisë (s’ka dyshim se kjo rrjedhë do të jetë e përjetshme). Nëse me të vërtet e doni gjuhën shqipe, atëherë mësohuni mirë të shkruani në gjuhën shqipe, kjo është dëlirësia e dashurisë së një gjuhe dhe argumenti i dukshëm i dashurisë ndaj kombit përkatës, mbase jo rastësisht thuhet se gjuha është shpirti i një kombi. Nëse dëshironi që praktikisht të dëshmoni se ia doni të mirën kësaj gjuhe, atëherë punoni sa më shumë në largimin e disa fjalëve të huaja, që sikur viruse janë futur në fronin e fjalorit tonë. Fjala bie, le t’i largojmë prej fjalorit tonë fjalët: violencë (dhunë), eksperiencë (përvojë), kredibilitet (besueshmëri), link (lidhje), begraund (prapavijë), suport (ndihmë), inkarnim (mishërim), ambient (mjedis), ambiguitet (dykuptimësi), aprovim (miratim), impresion (përshtypje – mbresë) decid (i prerë) e të ngjashme. Nëse e duam aq shumë gjuhën le të merremi pra me këto fjalë, që fatkeqësisht janë futur në familjen e gjuhës sonë, njëkohësisht duke i pasur edhe në gjuhën shqipe këto fjalë, kuptimi i së cilave ekziston i plotë në gjuhën tonë.

Ndërsa nervozizmi tjetër ishte çështja e sendeve, që gjoja se i paskemi blerë prej të tjerëve. Të mos merremi gjithaq me islamin, fe kjo e blerë prej Turqisë, – ishte kumti i njërit prej komentuesve, mbase edhe përvijim i shumë prej atyre që tërë ditën dërdëllisin këso kumtesash nëpër rrugë, dhoma dhe gjithandej kah veprojnë. Fillimish të nderuar, islamin nuk e kemi blerë nga Turqia, sepse Turqia për të qenë shitëse e kësaj feje, ajo së pari do të duhej të ishte prodhuese dhe pronare e islamit. Ndërkaq, harrojnë qëllimisht se feja islame është me prejardhje nga qielli, ndërsa vendet dhe njerëzit në tokë atë e marrin dhe e pranojnë varësisht prej nivelit të të kuptuarit të asaj që duhet pranuar si të praruar apo si ndjellakeqe. Kësisoj, ata pa vetëdije e privilegjuan Turqinë! Ngase, nëse pak kanë lexuar histori dhe janë konsultuar me logjikën e tyre të shëndoshë, do ta shohin se islami ndër shqiptarët ka qenë i pranishëm edhe para ardhjes së Perandorisë Osmane në trojet tona. Të mos harxhojnë aq shumë energji për shkakun e kësaj dukurie, por le të merren sinqerisht me pasojat në këtë rast pozitive, të pranimit të kësaj feje – i kisha këshilluar unë. Përmes islamit shpëtuam prej greqizimit, ngase ata njësonin skajshmërisht fenë me kombin, kështu që, nëse ishe ortodoks, patjetër duhej të ishe edhe grek. Pastaj përmes dallimit të madh në fe, shqiptarët arritën të dallohen në tradita me sllavët (serbët, maqedonasit etj), dallim ky që krijoi hendeqe mes neve dhe atyre, duke e ngritur pastaj vetvetiu ndjenjën për kërkesa kombëtare dhe ndarje përfundimtare

me ata që nuk të lidhte asgjë, pra as feja dhe as kombi.

Fundja vlera të islamit janë: pastëria nëpër shtëpitë tona (pavarësisht kushteve ekonomike), synetimi, pastrimi pas marrëdhënieve seksuale, respektimi i prindërve, edukimi i fëmijvë, ngrohtësia familjare, vizitimi i farefisnisë, respekti ndaj më të vjetrit, ndjenja për ndihmë ndaj tjetrit, mbrojtja e atdheut në çdo kohë dhe shumë virtyre tjera, virtyte këto që e zbukurojnë çdo shqiptar.

Çështja tjetër ishte paralelja me vijëza të njëjta e abetarës me kuranin. Kjo njëherësh tregoi se sa fort u ishte ngjitur pluhuri i injorancës në sy. Ata kishin harruar, apo nuk e kishin mësuar si duhet kurrë kuptimin e drejtë të abetares. Siç dihet, abetareja është libri jonë fillestar, që përmes saj mësojmë rrugën e të lexuarit dhe të shkruarit libra, ngjashëm sikurse biçikleta për fëmijë që anësh i ka dy rrotat ndihmëse. Është gabim kuptimor të krahasohet abetareja me kuranin, ngase e para ta mundëson si ta kuptosh më mirë kuranin – librin, tashmë të përkthyer edhe në gjuhën shqipe. Unë e dua abetarën dhe e ruaj atë me fanatizëm, me këtë edhe dashurinë e atij që ma ëmbëlsoi këtë libër fillestar – mësuesin dhe si rrjedhë e kësaj drite të të kuptuarit drejtë të abetares, nuk hedhi dot paralele me librat tjerë, ngase duke e mbivlerësuar njërën, mund ta nënçmoj tjetrën. Madje këta kishin shkuar aq larg, sa që kuranin e kishin quajtur kushtetutë të arabëve. Këta përmes kësaj njohurie treguan se nuk dinë asgjë, ngase një model dhe sistem të tillë asgjëkundi në botë nuk ekziston, ku kurani të merret si bazë orientuese e akteve ligjore dhe nënligjore në shtetet përkatëse. Në rrethanat e sotme, kurani luan rolin e një kushtetute të ndërgjegjës së myslimanëve anekënd botës dhe ju kisha lutur të mos i ngatërroni duke i futur në thesin e njëjtë myslimanët me arabët, duke i privilegjuar kështu arabët dhe duke i nënçmuar kombet tjera.

Ngatërrimi vijues ishte çështja e emrit. Këta nuk kishin arritur ta bëjnë dallimin ndërmjet emrit me karakter fetar, p.sh, Muhamed me identifikimin e përkatësisë fetare si pjesëtarë të islamit – mysliman. Kësisoj, unë akoma nuk kam dëgjuar për ndonjë njeri që e ka emrin Mysliman! Ndërsa sa i përket emrave Ilir, Besfort, Dardan, Agim, Fatjon e të ngjashme, kjo është krejt në rregull, emra këto që tregojnë përkatësinë kombëtare të një njeriu, edhe pse kurgjë nuk ka të keqe, emri që tregon përkatësinë e tij fetare, sepse fundja çështja e kombit dhe ajo e fesë te njeriu në përgjithësi, është si dy flatrat e zogut, ku zogu me lehtësi mund të shëtisë në hapësirat e ndryshme.

Krejt në fund. Është mirë që njëherë e përgjithmonë ta largojmë prej mendjes se ata që kishin shporrë fenë nëpër analet e territ, ishin dhe janë patriotë dhe atdhedashës të mirë. Assesi, këtë edhe praktikisht mund t’ia tregoj. Ata që punojnë nëpër ministri apo vende ku janë të përzier me maqedonas, diku tjetër me ndonjë kombësi tjetër, në kohë festash, si ajo e vitit të ri, përbashkuesi i të gjithëve, mëtohet të paraqitet pija alkoolike. Pala e kombësisë dhe fesë tjetër që lejon, madje edhe pëlqen këtë pije, i thërret për dolli të gjithë, duke pandehur në njësimin dhe integrimin e traditave në kazanin e krishterë, me këtë edhe një ngadhënjim të vlerave kombëtare, ngase pala tjetër nëse sheh se lehtas i trajtëson

ndalimet në lejime, hapin tjetër të njësimin dhe derdhjen e vlerave në kazanin kombëtar do ta ketë më lehtë. Mbase më ka rënë që personalisht t’i dëgjojë disa shqiptar, të bërë gjysmë-dërrasë prej dehjes, të kenë uruar, gjersa ngritnin dolli, për rrojtje sa më të gjatë të shtetit të Maqedonisë, si dhe disa të tjerë tregonin, se si në kohën e Jugosllavisë së dikurshme, shqiptarët bënin këso uratsh për jetëgjatësinë e Jugosllavisë, kuptohet duke i shoqëruar cakërrima e gotave. Ndërsa ata që për hir të një urdhëri fetar nuk e konsumonin dhe nuk e konsumojnë këtë pije, në këso rastesh, mbase edhe ku bëhet matja e pulseve kombëtare, largoheshin dhe largohen prej atyre që në çdo rast dhe çast duan të na shfarosin, fillimisht përmes shkrirjeve të traditave. Gëzohem që disa ndalesa fetare, paraqiten si mburojë edhe të vlerave kombëtare, mbase në këso rastesh është i preferuar hendeku që ndanë barutin prej gacave. Kësisoj, patëm rastin që atdhedashurinë ta shohim edhe përgjatë luftërave tona çlirimtare, ku ata që rrihnin gjoks për patriotizëm dhe flakje të fetarizmës, nuk ia dolën prore që një gjë të tillë ta dëshmojnë. Më vjen keq, kërkoj ndjesë nëse dikë e ngushtova, por ky është realiteti, që unë kam pasur rastin edhe praktikisht ta shoh. Respekte edhe për ata që ndryshe mendojnë prej meje. Sidoqoftë, përmes ekzistimit të së ndryshmes, arrij të ndjehem edhe më i lumtur për atë që Allahu ma bëri të mundur ta mësoj, të veproj dhe ta njoh.

Iljasa SALIHU

Lini një Përgjigje