Doli nga shtypi libri, “Krimi ekonomik“ i autorit Iljasa SALIHU

10Tet - 0 - Kategoria: Libra

Doli prej shtypit libri më i ri i autorit Iljasa Salihu me titull “Krimi ekonomik”. Kjo vepër është një kurorëzim i kahmotshëm i mundit dhe i punës së palodhshme të autorit, magjistër Iljasa Salihu, me të cilin material autori mori edhe titullin magjistër i shkencave të sigurisë.

Rëndësinë e këtij libri e shton edhe fakti se është ndër librat e parë në gjuhën shqipe që trajton krimin ekonomik dhe rrezatimin e tij në pasqyën e sigurisë në një qasje shkencore. Autori ka gjetur guximin të shtjellojë disa çështje të cilat janë të njohura për publikun e gjërë, mirëpo ata që duhet të veprojnë, shumëherë heshtin edhe pse janë shumë të njohura pasojat që sjellin këto veprime heshtakësh.

Në lidhje me këtë, recensenti i këtij libri, Mr. Milazim Mustafa shprehet se ky ka qenë një hap tepër i guximshëm i autorit që të merret me këtë temë, duke na prezantuar një punim origjinal, që citon fjalët e autorit ku thotë se ky nuk është një punim dhe përfundim i kësaj teme, por vetëm një nisje, që do të hap rrugën e shumë studiuesve të ardhshëm, që do të merren dhe ta zhvillojnë edhe më shumë këtë fushë djerrinë.

Në këtë punim është paraqitur një struktur që në vete përmban paraqitje dhe ndërlidhje të pranuar shkencërisht. Fillimisht janë shtjelluar aspektet teorike të krimit ekonomik, duke vendosur kështu një themel të përshtatshme për temat në kapitujt tjerë, siç janë: korrupsioni, pastrimi i parave të pista, përvoja e hidhur e skemave piramidale në Shqipëri dhe Maqedoni dhe mësimi që patjetër duhet të merret për padrejtësitë edhe ekonomike në Maqedoni nga lufta e 2001-shit dhe përpjektet e sfilitura në Kosovë për ta çliruar këtë vend edhe njëherë prej armikut tjetër që njihet me togfjalshin krim ekonomik. Ky punim përbëhet prej katër kapitujve, që njëherësh paraqet edhe një dimensionim të mjafueshëm të studimit të dukurisë së krimit ekonomik.

Në lidhje me librin, vetë autori Iljasa Salihu shprehet:

“Duhet ditur se gjeneza e krimit ekonomik rrjedhë prej atyre vendeve të cilët sot mëtojmë t’i marrim si modele të parandalimit dhe luftimit të këtij krimi. Krimi ekonomik në vendet tona ka një stacionim më të vonuar, por me kalimin e kohës dhe rritjes së kërkesave të ndryshme ekonomike, qytetarët e këtushëm, qofshin ato persona fizik apo ato juridik, ranë pre e doktrinave makiaveliste, ku këtë lloj të krimit e kultivuan aq ngjeshur, sa që sot është bërë një sfidë e vërtetë që ky krim të luftohet, madje edhe përballë mekanizmave shumë të forta juridike, krimi ekonomik me gjithë format e tij është bërë vështirë edhe të zvogëlohet. Sido që të jetë gjendja nëpër institucione dhe në terren, ky libër do të jetë një nxitje dhe vetëdijësim, fillimisht shoqëror dhe pastaj shkencor, se parandalimi dhe luftimi i krimit ekonomik është i mundshëm, mjafton të mos e heshtim këtë dukuri, t’i marrim parasysh faktorët kultivues të krimit ekonomik dhe hedhje dritë sipër dëmeve që është duke ia shkaktuar prania e këtij krimi shteteve dhe shoqërive”.

Libri është botim privat i autorit, kurse u shtyp në shtypshkronjën Print Ism në Shkup.

Lini një Përgjigje