Derdhja e parasë për derdhje në bronz

3Kor - 0 - Kategoria: Opinione

Gjenden para për t’i bërë të vdekshmit të  “pavdekshëm”, ndërsa mungojnë paratë për t’i mjekuar të gjallët

Shkruan: Iljasa SALIHU

Një i moshur, i cili prej kohësh ishte i braktisur prej të mirave të shtetit, një ditë teksa rropatej për ta siguruar ekzistencën për vete dhe për familjen e tij, aksidentalisht i thyen disa eshtra në trup. Pas një përpjekje të lodhshme, përkundër faktit se dhimbjet e tij nuk duroheshin, sërish me gjithë ato dhimbje duhej t’i duronte procedurat burokratike, përndryshe duhej të priste edhe gjatë kohë deri sa t’i nënshtrohej mjekimit. Hesht, edhe pse të dhemb, mos bërtit edhe pse ke arsye t’i çash malet me të bërtitura, – kështu disi i thonë kësaj pune në shtetin e Maqedonisë. Megjithëkëtë, pas disa orvatjesh ishte bërë puna që ai të dërgohej për mjekim në Shkup, gjegjësisht në spitalin e qytetit. Ky rrëfim nuk është ndonjë rrëfim i veçant dhe as i rëndësishëm, nëse nuk i dallojmë gjësendet e rëndësishme prej atyre të paduhurave.

E rëndësishme! Një kal i derdhur në bronz të shtrenjtë ia kishte kthyer vithet kuvendit të Maqedonisë. Sidoqoftë, shihej se kjo shtatore mbahej pastër. Përballë këtij kuvendi, sakaq u përballa me një ushtri të tërë shtatoresh, shumica e të cilëve qenë njerëz. Sërish pashë së kjo tufë statujash mbahej pastër. Teksa kundroja këto “kërpudha pas shiut” mendja më pyeste se vallë sa mund të jetë vëllimi i parave të derdhura për derdhjen e këtyre figurave në bronz? Nuk ju përgjigja mendjes sime, ngaqë nënvetëdija më thoshte se gjithsej për projektin “Shkupi 2014” janë harxhuar 500 milion euro.

Fillova të eci më shpejtë, ngase isha nisur për një viztë në spitalin e qytetit që gjendej përbri kuvendit. Qysh në hyrje të atij spitali kundërmonte një erë e keqe. Nxitimthi mblodha veten dhe i thashë vetes: “ore nuk gjendesh në mal, por në spital, ndaj mos i rrudh buzët e mos i var turinjtë”. Pyeta për dhomën që kërkoja dhe disi më kahëzuan për në vendin përkatës.

Ç’të shihja, më shumë se i sëmuri që shkova për ta vizituar, më trishtoi vetë mjedisi i ndotur dhe shtretërit e vjetër e të papastër në atë “dhomë të shëndetit”. Biseduam për pak çaste me të sëmurin dhe vura re se nuk ishte keq. Më erdhi mirë që kishte filluar ta merrte veten! Kurse unë nuk mund ta merrje veten prej atij anakronizmi që pashë. Të shpenzohej me miliona euro për gjësende të vdekura dhe nënçmuese, ndërsa në anën tjetër të lihej në mjerim vendi prej ku pritet mjekimi dhe gjallërimi i njerëzve, për mua ishte çmenduri dhe parrugësi në vete, që vetëm një shtet si ky i joni mund ta bënte dhe mund ta duronte. Sa durimtar që është!

Lini një Përgjigje