Dënesja e jetimit dhe heshtja e varrit

24Maj - 1 - Kategoria: Opinione
Shkruan: Iljasa SALIHU

Sa këshillë të mirë njeriu merr me rastin e marrjes pjesë në faljen e namazit të xhenazes dhe pastaj përcjelljen e kufomës për në varreza! Të gjithë përgjigjet lehtësisht gjejnë përgjigje; të gjitha telashet sikur dëshirojnë të varrosen së bashkë me të ndjerin; të gjithë lakmitë si të ishin fjolla të borës treten; mendimet për ardhmërinë sikur struken në kazanin e arsyes, përgjithësisht në ato çaste vërtetë njeriu është vetja!
Ajo që nuk ishte e lehtë të përballohet, kuptohet përpos dhënies lamtumirë atij që posa ishte nisur për në botën e berzahut, ishin dënesjet e jetimit diku 11 vjeçar, i cili nuk arrinte dot t’i kuptojë dy gjëra: se jetën e rëndë duhet kaluar në mungesë të babait dhe se një ditë do të takohen me babain, pra ky nuk është fundi, është vetëm një hap drejt botës së pambarimtë. Dënesjet e tij na përvëluan të gjithëve. Zemra sikur të ishte një përroskë malore e tharë e cila vetëm pas rrebeshit të shiut shpërtheu furishëm për në fushat e rrafshta. Manari i bukur kërkonte babanë, nuk dëshironte ta linte atë vet në varreza, sikur i urrente varrmihësit që e kishin bërë atë shtëpi të akullt, kërkonte mjeshtër për ndërtimin e shtëpisë dhe jo mjeshtër që ndërtonin duke gropuar një varr, edhe pse loçka jetim nuk e kuptonte se edhe njëra edhe tjetra përthekohet me emrin VENDBANIM.
Allahu e mëshiroftë Bekimin, familjes, miqve dhe fëmijve të tij i dhëntë durim e udhëzim! Iljasa SALIHU

Lini një Përgjigje