Dasma e sodit, një katastrofë e traditës dhe e kuletës sonë

31Kor - 0 - Kategoria: Opinione

Kurrgjë nuk është dita e martesës në krahasim me ditënatën pas martesës!

Shkruan: Iljasa SALIHU

Më kujtohet një rrëfenjë që e pata dëgjuar në vitin e parë të fakultetit. Profesori të gjithëve na pyeti se ç’kuptojmë me togfjalëshin katastrofë financiare? Meqë ishim në fillim të studimeve, profesori i nderuar dëshironte që përmes alegorive dhe satirave të ndryshme të na këndellte sado pak. Pothuajse asnjëri prej nesh që dhamë përgjigje nuk ishim përgjigjur saktë, madje as që i ishim afruar përgjigjes së saktë. Duke qenë se përgjigjen nuk e gjetëm, atëherë profesori na tregoi. Ai tha se me togfjalëshin katastrofë financiare kuptojmë bërjen e dasmës me hua nga banka duke ju ikur nusja pas dy javësh në një adresë të panjohur. Gjithë paratë e huazuara përgjatë dasmës i keni harxhuar. Tashmë, ju duhet ta ktheni kredinë që është me normë të lartë të interesit. Ju patjetër duhet ta ktheni kredinë, edhe pse hipoteka ju ka ikur. Tanimë, vetë ju jeni hipoteka dhe hipotekë e turpit tuaj. Duhet ta ktheni kredinë, përkundër se mendoni se si t’i gjeni edhe ca para për të punuar në kthimin e nuses në shtëpi. Ajo përfundimisht nuk kthehet, edhe pse tashmë e keni marrë vesh se ku gjendet ajo, si dhe jeni njoftuar me arsyen e moskthimit të saj në shtëpinë tuaj. Prej tërë kësaj tregjedie të përzier edhe me ca dromca të komedisë, zilja që do t’ia përkujtojë dasmën do të jetë pagesa përmujore që i detyroheni bankës.

Çmeria e dasmave në vendin tonë vetëm se po merr edhe më tej hov. Në saje të kësaj mendësie njerëzit me shpirt tregtari as që duan të lodhen së menduari për hapjen e ndonjë ndërmarrje prodhuese. Ata e kanë gjetur një formulë më të lehtë dhe tejet fitimprurëse. Ata u mjaftuan me ndërtimin dhe zgjerimin e përvjetshëm të restoranteve. Fitimi me bollëk po thonë se këtu është, kuptohet derisa të kemi të atillë që tufën e djersës së tyre janë në gjendje që për një natë ta avullojnë, duke e hidhëruar kështu Zotin, pa dyshim që pastaj edhe njerëzit. Në vijim po jua sjell një dialog të vërtetë edhe pse i mbështjellur me gëzofin e metaforës. Në të vërtetë unë kam dialoguar me një dukuri.

Thotë se pasurinë e ka hallall. Më vjen mirë, – i them, madje gëzohem shumë. Thotë se ka vite që grumbullon para për ta bërë një dasmë të madhe, pavarësisht shpenzimeve marramendëse. Nuk dëshiron të turpërohet me një dasmë të vogël, edhe

pse mu aty gjendet begatia. Në fakt, aty gjendet madhështia dhe jo turpi! Më vjen mirë që ka shije dhe vullnet për të kursyer para, por e këshilloj se është humbje e madhe të mendohet për një dasmë të madhe, duke djegur kështu tërë atë mund për një natë. Mbase e pyes se a ka ndarë ndonjëherë para për zeqat. Më thotë se pasiria e tij është vetëm pronë e tij. Më pyet se përse nuk punojnë skamnorët sikurse ai, që pastaj të kenë sikurse ky, thuajse ata nuk përpiqen fare për të gjetur punë, si dhe të qëndruarit të varfër i jep kënaqësi. Sa mendim i mbrapshtë ky! Ai nuk është në gjendja ta kuptojë se detyrimi i përbashkët është përpara të drejtës vetjake , ndaj i them të mos ngutet, sepse zeqati është pastrim i pasurisë dhe fundja është e drejtë e të varfrit. Nuk i bisedohet tutje me mua. Duke e ngritur kokën lartë e më lartë si një korb me krahë të thyera fillon të largohet.

Pas tri vjetësh takohem sërish me mikun tim. Më përqafon me njëfarë dëshpërimi të përzier me përmallim, duke më thënë se kisha pasur të drejtë në dialogun për dasmën dhe për pasurinë. Ai i kishte harxhuar 6 mijë euro vetëm për një natë. Nuk dëshiroi që të mi tregon shpenzimet tjera përgjatë dasmës. Madje as që kërkova të njoftohem me hollësira tjera financiare. Paratë e harxhuar vetëm për një natë i kishte kursyer për 6 vjet. Ai meqë e kishte pasur një djalë të vetëm, kishte menduar vite më parë për dasmën e tij të madhe. Ai 6 mijë euro i kishte harxhuar për një natë, në një restorant luksoz, që kishte qenë i shoqëruar me një muzikë të disa këngëtarëve me nam dhe që këndonin shumë shtrenjtë. I gjori baba, kishte menduar 6 vjet për dasmën e të birit, por fare nuk kishte menduar për edukimin e të birit dhe të asaj që do të merrte i biri. Ai nuk kishte menduar për edukimin e të birit, sepse vetë kishte qenë i pa edukuar. Tani që ujku ia kishte ngrënë dhentë, duket se i kishin ardhur mendtë. Mirë që më në fund, të paktën i kishte shkëmbyer tërë delet për ndezjen e trurit. Ja vlen barra qiranë, do të thoshte populli. Qysh të nesërmen, të ftuarit i kishin thënë se mishi nuk kishte qenë sa duhet i pjekur, si dhe sallatat kishin qenë shumë të vjetra. Madje muzika më tepër kishte qenë shurdhuese sesa mikluese. Shërbyesit me fytyra të vrenjtura kishin qenë lemeri në vete për musafirët. Përkundër bjeshkës së gjerë së të ftuarve dhe harxhimit marramendës, askush nuk i kishte thënë të paktën faleminderit për këtë shërbim. Ai ishte dëshpëruar thellë, aq thellë sa që kishte filluar të del ujë i ngrohtë prej asaj thellësie. Më thoshte, – vallë unë kurseva para që mos të kursehem prej kritikave, apo t’ia bëj një nder djalit, të resë dhe të ftuarve?

Për më keq, ishte i zhgënjyer edhe me të renë. Ajo nuk ia varte fare. Nuk zgjohej herët në mëngjes, ashtu siç e kishte paramenduar ai. Nuk i ofronte ngrohtësi në bisedë,

madje as që e pandehte për vjehërr. Të mos flasim t’ia shërbente ndonjë çaj! Shihej një kërshëri e gjallë nga ana e saj që për çdo natë të del me të shoqin e saj mbrëmjeve rinore. Djali i tij nuk ia prishte të dashurës. Ajo ishte e tëra, pa të cilën vetë mbretëria e dukurisë së dashurisë do të shembej. I ati sikur të ishte një i pandehur me të drejtë për heshtje, heshte dhe nuk bëzante fare. Shihte seç rrëshqiste vetura e tyre, por në heshtje mallkonte veten dhe gruan e tij se përse paratë e kursyera nuk i kishin përdorur për blerje të gomave të dimrit, por kishin investuar aq shumë para për ndërrimin e ngjyrës së veturës.

Në jazin e kësaj dhimbjeje, mua më erdhi mirë që e paska parë të vërtetën e mendësisë sonë. Ani pse vonë, fundja le të jetë ky një shembull për gjitha ata që ende nuk kanë rrëshqitur, ose janë në zgrip të një rrëshqitjeje. Fundja, jashtëqitjen e tij ky e hoqi me kokën e vet. Fundja, kuptoi se duhet jetuar për vete nën hijen e udhëzimit të Zotit dhe jo për të tjerët nën hijen e djallit të mallkuar, sepse historikisht është dëshmuar se të tjerët kurrë nuk do të mund t’i kënaqësh, madje edhe atëherë kur ja rrënon dëshirat vetvetes. Fundja, kuptoi se udhëzimi i Zotit është udhëzimi më i mirë dhe më dobiprurës. Të gjithë të tjerat të ofrojnë vetëm kënaqësi disa ditore, ndërsa frutet e këtij udhëzimi janë të përjetshme, janë për të mirën tonë, për të mirën tonë familjare e shoqërore, si dhe për të mirën e kursimeve tona.

Lini një Përgjigje