Dashuria e rëndësishme dhe rëndësia e dashurisë?

5Maj - 0 - Kategoria: Opinione
Shkruan: Iljasa SALIHU

Kur njeriu e ndien vetën të rëndësishëm?

Gjithsesi ka raste të shumta kur njeriun e bëjnë të ndihet se ia vlen frymëmarrja në këtë botë me borë në një mot me rreze përvëluese të diellit!

Nëse dashurohesh thellë në ndonjë vajzë, përpiqesh ta përvetësosh atë, me këtë edhe t’i arsyetosh netët e humbura pa gjumë për atë pëllumbeshe, atëherë dije se ke filluar të futesh në lëmshin e mëdyshjes se dashurisë së rëndësishme dhe rëndësisë së dashurisë, të cilët padyshim se përfundojnë në grykën e njëjtë të jazit. Nuk shkon shumë kohë, kur një ditë ajo mund ta hap derën e zemrës së njomë të saj duke i dëshiruar kështu mirëseardhje dashurisë suaj të sinqertë. Dashuria e saj me dashurin tuaj tashmë zien në të njëjtën vorbë. Në kohën kur kridhesh për sfilitjen e kapjes së asaj dashurie, fillon të emocionohesh, mbase në fund natyrshëm edhe të mbërthen një lumturim deri diku i harlisur. Lumturohesh e ngazëllehesh, ngase tashmë mendon për ty ajo për të cilën një kazan mend dikur e derdhe në tokën e tharë. Habitesh e stepesh, ajo për të cilën thurja laramani ëndrrash, sot është e imja, madje mezi pret të takohemi e të shkëmbejmë ca shkëndijë miklimesh e puthjesh. Dikur edhe në paramendim vështirë se mund t’i afroheshe, tashme me trup e me ndjenja atë zogëz e ke pranë. Shkurt është kurora juaj dhe papandehur ndiheni i rëndësishëm, ngase sot në pëllëmbë dore keni gërshetat e asaj pëllumbeshe!

Kjo ishte një romancë e sendërtuar në themelet e vërteta që bën fjalë për ndjenjën e të qenit i rëndësishëm duke dashuruar sinqerisht.

Paramendoni, vajzën që dikur, mbase edhe tani me afsh e dashuronit, ajo sot të mos ndjeje asgjë për juve. Të përqafohej me atë që ajo e dashuron. Për këtë shpezë të dashuruar në Lejlan, edhe atë duke e ditur se Lejla e dashuronte vetëm Mexhnunin, hapat e mëtejmë nuk janë fare të lehta. Ky duke humbur kohë pas dashurisë së huaj do ta humbiste edhe mundësinë e të dashuruarit aty ku vërtetë i vlen. Por ec e merre vesh dashurinë, ajo nuk varet prej neve, mbase në mungesë të ndonjë qëndrueshmëria të thellë, vetë dashuria do të na shpinte sikur të ishte një dallgë deti e përdalë, sa në këtë skaj e sa në skajin tjetër të shkëmbit ranor, madje mund edhe të na fundos tërësisht edhe në cektësinë e asaj gjerësie e thellësie të detit.

Po paramendoni të dashur lexues, sikur ta donim Allahun me afsh, kuptohet duke qenë të sigurt edhe në dashurinë e Allahut ndaj robërve të Tij, si do ta kishim mbarëvajtjen e dashurisë së rëndësishme dhe rëndësinë e dashurisë. Pas këtij mbërthimi të sinqertë, vallë a do të ndiheshim të rëndësishëm në këtë jetë? Nëse jo, atëherë vaj halli për besimin dhe përkushtimin tonë. Nëse po, atëherë dije se edhe dashurinë që natyrshëm mund ta kesh në këtë botë ndaj njeriut të duhur do ta përvijosh me një arsye të shëndoshë, duke gjetur e sjellë

harmoni përgjatë gjithë kësaj ecejake në këtë jetë, madje pse jo edhe duke ia dhënë statusin gruas si mbretëreshë ndaj hyrive në Xhenetin e pambarimtë.

Lini një Përgjigje